4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Oda Haliti, DJ dhe producente

Qëndrimi në shtëpi në këtë kohë pandemie është humanizëm.

Është koha të kujdesemi për natyrën, shoqërinë, dhe veten tonë duke qëndruar në distancë, duke qëndruar në shtëpi.

Ekspertët e shëndetësisë po kërkojnë vazhdimisht prej nesh të qëndrojmë në shtëpi, të qëndrojmë të sigurt nga pandemia Covid-19, me qëllimin që të ngadalësohet shpërndarja e virusit.

E kuptoj frustrimin e të gjithëve, por shëndeti është më i rëndësishëm se çkado tjetër momentalisht. Duhet të fokusohemi të gjithë aty, t’i mbajmë zemrat e hapura për njëri-tjetrin, të kujdesemi për njëri-tjetrin që të qëndrojmë gjallë së bashku, të jemi prezent, por edhe kreativ në mënyra të ndryshme.

Shoqëria jonë do të na duhet në muajt e ardhshëm, kështu që ne të gjithë duhet të tregojmë solidaritet, dashuri dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit.

Libri të cilin e rekomandoj ta lexoni në këtë kohë izolimi është, “Susan Sontag, The Complete Rolling Stone Interview” nga Jonathan Cott.

Në vitin 1978, Jonathan Cott, redaktori themelues i revistës “Rolling Stone”, i njohur më së miri për bisedat e tij me Bob Dylan, John Lennon dhe Leonard Bernstein, intervistoi Susan Sontag, së pari në Paris dhe më pas në Nju Jork. Vetëm një e treta e bisedës së tyre 12-orëshe u botua në botimin e 4 tetorit 1979 tek revista “Rolling Stone”. Tre dekada më vonë, pas kalimit të Sontag-ut, Cott shtypi inçizimin e plotë të asaj interviste të gjatë si libër.

Pyetjet e Jonathan Cott karshi Sontag-ut në libër i gjeni të bazuara në tre librat e Sontag-ut të botuar në gjysmën e dytë të viteve 1970; koleksionet e eseve si “Fotografia”, “Sëmundja si Metaforë”, dhe koleksioni i tregimeve të shkurtra “Unë”, etj. Në përgjigjet e saj për Cott, Sontag prek tema të shumta, duke përfshirë kohëzgjatjen e saj me kancer dhe qëndrimet ndaj vdekjes; muzika e Chuck Berry, Bob Dylan, dhe Patti Smith; idetë e Niçes dhe Proustit, dhe ndryshimet midis Nju Jorkut dhe Los Angjelosit.

Sidoqoftë, fokusi kryesor i librit është vetë Sontag-u, për të cilin procesi i njohjës ishte thelbësor për të provuar plotësinë e qenies.

Personaliteti i Sontag-ut është gjallërisht i pranishëm në intervistë, përfshirë besimin e saj në kulturën njerëzore dhe historinë, dashurinë e saj për të lexuar, serioziteti dhe temperamenti i saj pasionant, pavarësia e saj dhe epshi për të vërtetën.

Filmi: “The Lobster” nga regjisori grek Yorgos Lanthimos

“We dance alone. That’s why we only play electronic music.”
“Ne kërcejmë vetëm. Kjo është arsyeja pse luajmë vetëm muzikë elektronike”.

Filmi “The Lobster” zhvillohet në një të ardhme të afërt distopike. Njerëzit beqar, sipas ligjeve të qytetit, dergohen në hotel, ku ata janë të detyruar të gjejnë një partner romantik për dyzet e pesë ditë ose shndërrohen në bisha dhe dërgohen në pyje.

“The Lobster” është një film është super i çuditshëm, por edhe i shkëlqyer. Është një prej atyre filmave që është aq i ndryshëm me historinë dhe vizualitetet, dhe mjaft intrigues për t’u parë. Kinematografia ështe e jashtëzakonshme dhe filmi nuk është i parashikueshëm aspak.

Ta jep ndjesinë sikur je duke lexuar Beckett-in përmes një ‘hangoveri’. Ose një adaptim i hollësishëm i detajuar i “Metamorfozës” së Kafkës.

Është film i realizuar mjeshtërisht, ashtu siç e gjen filmin në mënyrën më të çuditshme të bukur, e gjen gjithashtu si komedi të zezë, intelegjente dhe të vertetë.

Nëse doni një mendim të mirëfilltë për problemet ekzistenciale të marrëdhënies së detyrueshme të çifteve, nuk ka më të mirë.

#rrinshpi

Related