4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Veton Nurkollari, artist

Përderisa në këtë kohë të pandemisë dhe për shkakun se jemi tërë kohën të izoluar në shtëpi, mund të na mungojnë aktivitetet e zakonshme, si kafja e mëngjesit apo daljet e rregullta në mbrëmje, e natyrshme kjo. Por kjo gjendje e jashtëzakonshme është duke na i mundësuar edhe shumë gjëra tjera, sikur kohën e kaluar me familje, përpjekjet për të gatuar sikur Jamie Oliver, rizbulimin e librave të lexuara e të pllakave të strukura në një kënd të tavanit, dhe ndër më të çmuarën, kohën në dispozicion për reflektim aq të nevojshëm.

Shkaku i punës sime shikoj mjaft filma, sidomos dokumentarët, dhe instikti im i parë për të sugjeruar ndonjë do të ishin disa të cilat janë të qasshëm për lexuesin. Në Netflix janë dy mini seriale interesante, “Wormwood” nga Erroll Morris dhe “Wild Wild Country” nga Maclain dhe Chapman Way.

“Wormwood” është një gërshetim i jashtëzakonshëm ndërmjet dokumentarit dhe fiksionit dhe një storie gati e pabesueshme mbi ate se çfarë ka bërë CIA në vitin 1953 duke përdorur LSD-në si eksperiment dhe si ka vdekur shkencëtari Frank Olson. Teknika fenomenale e intervistimit, një ‘trade mark’ i njohur i Erroll Morris nga filmat e tij të mëhershëm, duhet të jetë ndër arsyet kryesore për ta shikuar këtë serial.

“Wild Wild Country” ka të bëj po ashtu me një storie të pabesueshme, ate të mësuesit dhe gurusë indian Bhagwan Shree Rajneesh, i njohur më teper si Osho dhe krijimit të komunitetit në Oregon dhe konflikteve të shumta atje pas dëbimit nga India. Sasia dhe cilësia e materialit arkivor si dhe dramat e njëpasnjëshme janë elementet tjera të këtij seriali, lirisht mund të them, të hatashëm.

Në fillim të dhjetorit kisha një ndër udhëtimet e fundit para se të ndodhte pandemia dhe para se të mbylleshin kufijtë dhe nga ai udhëtim u ktheva me një dashuri të shtuar për Iranin dhe kulturën e filmin Iranian. Këtu dua të sugjeroj një trilogji nga regjisori i madh Iranian Abbas Kiarostami, i quajtur “The Koker Trilogy” dhe i përbërë nga “Where Is the Friend’s House?”, “And Life Goes On” dhe “Through the Olive Trees”, një kryevepër jo vetëm e filmit iranian por edhe atij botëror. Filmat nuk është edhe aq lehtë për t’i gjetur por po i gjeni do të jeni të shpërblyer me eksperiencën e jashtëzakonshme dhe humanizmin e pashoq të Kiarostamit.

Disi në përputhje me rrethanat është edhe ajo çka po lexoj dhe rilexoj këto ditë; “Murtaja” dhe “I Huaji” nga Albert Camus, “Just Kids” nga Patti Smith me “The Freud Scenario” nga Jean-Paul Sartre në pritje.

#rrinshpi

Related