4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Arlind Qori, profesor

Libri që do të sugjeroja ka për autor Karl Marksin dhe titullohet “18 brymeri i Lui Bonapartit”. I nisur si pamflet politik, “18 brymeri…” ia ka dalë të jetë njëkohësisht një traktat teorik mbi shtetin dhe raportin e tij me klasat shoqërore, ndërkohë që për nga stili dhe zhdërvjelltësia e të shkruarit arrin nivelin e një vepre letrare.

Në ditë si këto, të izoluar e në dukje me shpresa të venitura, me burokracitë shtetërore që po bëhen gjithnjë e më të pushtetshme, “18 brymeri…” do të na ndihmonte të kuptonim më mirë dinamikat e një shteti që në dukje ngrihet përmbi kontradiktat klasore, por në fakt vazhdon t’i shërbejë klasës ekonomikisht sunduese. Të një shteti që, në kushte emergjence, i duhet të frenojë disi grykësinë e oligarkëve për të siguruar interesat kolektive dhe afatgjata të këtyre të fundit.

“18 brymeri…” është njëkohësisht një thirrje për ndryshime shoqërore, për bërjen e historisë. Po, si çdo bërje e mirëfilltë, ajo nuk mund ta trajtojë gjendjen ekzistuese si tabula rasa, por duhet të niset prej kontradiktave të saj dhe caqeve objektive që vendos inercia historike.

Nga ana tjetër, këto kohë më ka lënë mbresa filmi “Sorry we missed you” i regjisorit Ken Loach. Në të trajtohet një prej formave më të pabesa të shfrytëzimit në ditët e sotme: Punëtori konsiderohet si sipërmarrës i vogël (shofer furgoni) që punon për një porositës shërbimesh. Në vend se të ishte çlirim nga sundimi dhe poshtërimi në vendin tradicional të punës, kjo mënyrë pune e vendos punëtorin në kushte edhe më të vështira dhe të pasigurta pune e page. Mbilodhja, stresi dhe tëhuajësimi i punëtorit arrijnë të tilla përmasa, saqë dalëngadalë ai shndërrohet në një qenie asociale, duke shkatërruar edhe lidhjet emocionale me njerëzit e zemrës.

Sot jo të gjithë e kanë privilegjin të qëndrojnë në shtëpi. Një pjesë e punonjësve të klasës së mesme kanë mundësi t’i shlyejnë detyrimet dhe të paguhen duke punuar nga shtëpia. Po të tjerët jo. Shumë punëtorë duhet të ngrihen herët, të hyjnë në autobusë e të ngjishen në vende pune ku virusi vallëzon nga një njeri në tjetrin. Ata janë të detyruar ta bëjnë këtë sakrificë sa për të mbajtur lart nivelin e fitimit të pronarëve, aq edhe për të na siguruar neve, pjesës tjetër të shoqërisë, të mirat e nevojshme për të përballuar karantinën.

Prandaj në emër të atyre që me hir e pahir po sakrifikojnë e sakrifikohen edhe për shoqërinë, të gjithë ne të tjerët duhet të respektojmë në maksimum rregullat e karantinës.

Ndërkohë që nesër – dhe s’di si ta theksoj më fort këtë aspekt – të gjithë ne duhet ta shlyejmë detyrimin moral ndaj tyre duke i dhënë zë kauzës për të drejta në punë dhe pagë të dinjitetshme.

#rrinshpi

Related