4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Adrian Morina, aktor

Shumë kanë vendosur ta përdorin këtë periudhe për të rritur krijimtarinë e tyre, provojnë hobi të reja, nga pikturimi deri tek gatimi. Por me frikën e COVID-19, shumë njerëz e kanë të vështirë të bëjnë aktivitete krijuese dhe përfundojnë duke u bërë viktima të “mendimit të tepërt”, duke besuar se mbase ky është një EKSPERIMENT. Për këta të kategorisë së fundit, kam një citat: “Asgjë në jetë nuk duhet të kesh frikë, duhet vetëm të kuptohet. Tani është koha për të kuptuar më shumë, në mënyrë që të kemi frikë më pak”. Aq shumë kam pasur “mendime të tepërta”, sa që këtë nuk e di as kush e ka shkruar.

Por, kurdoherë që fjala ”EKSPERIMENT”, përdoret si një titull filmi, pothuajse asnjëherë nuk jep indikacione që do të shihni një komedi muzikore. Si një doracak i frikës dhe gjakftohtësisë, “Das Experiment”, nuk zhgënjen; është po aq shqetësues, hipnotik dhe bezdisës njëkohësisht.

“Das Experiment” (Anglisht: The Experiment) është një film gjerman i vitit 2001 me regji nga Oliver Hirschbiegel. Ai bazohet në romanin “Kutia e Zezë”, e Mario Giordano (të cilin nuk e kam lexuar), dhe merret me një eksperiment shoqëror, duke simuluar një situate burgu.

Një eksperiment shoqëror rekruton 20 vullnetarë, 12 të burgosur dhe 8 roje, që vëzhgohen nga një ekip shkencëtarësh në një burg. Në këtë eksperiment, të burgosurit humbasin të drejtat e tyre civile duke u shëndrruar në numra që duhen t’u binden rregullave arbitrare. Rojeve u jepen shkopinjtë por me kushtin që të mos i përdorin pavarësisht akuzave të të burgosurve.

Rojet, të vetëdijshëm për fuqinë e tyre, përdorin frikësimin e të burgosurve për t’i bërë ata më të bindur ndaj urdhërave me moton “Poshtërimi është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur këto probleme”.

Vlera e ”Das Experiment”, bazohet në predispozicionin gjenetik drejt macizmit ngacmues, ku një pjesë e ngjyrimit të egër vjen nga pyetja se sa këto sjellje janë të ngulitura në psiqikën e njeriut, megjithëse filmi është i gatshëm të komentojë prirjen e natyrshme drejt totalitarizmit.

Nëse do të provoja të ngrisja një pyetje të rëndësishme për shoqërine e sotme, edhe në vendin tonë, pashmangshëm do të pyesja: Çfarë do të ndodhte sikur një mengjes ta kuptonim se jemi në një ”Big Brother”? Ndryshe s’di si ta arsyetoj gjithë këtë energji negative, gjithë këtë prirje për dhunë e cila shumë lehtë mund të ketë përfundim si në “Das experiment”.

E sa për librin? Ua sugjeroj “Libërthi i dashurisë”, librin e mikut tim, aktorit dhe shkrimtarit të shkëlqyeshëm, Shpetim Selmani. Si një “diss” ndaj “Das Experiment” ose eksperimenteve të tjera po e shkëpus një pjesëz:

“E pagëzuam djalin tonë Lir jo përshkak të një mbretërie e as për shkak të asnjë mbreti, jo për shkak të një gjiganti dramatik që e quanin Shekspeare, po për shkak të lirisë së mendjes, që është rruga e vetme drejtë dritës. E pagëzuam Lir nga e drejta për të qenë i lire. Nga nevoja për të qenë i lirë”.

#rrinshpi

Related