4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Ben Apolloni, regjisor

Këto ditë mbylljeje në shtëpi, duhet të jenë ditë kur ne duhet të hapemi ndaj librave, filmave, artit… në përgjithësi të hapemi ndaj botës shpirtërore, të cilën e kishim harruar duke vrapuar jashtë. Mendoj që duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë e “të bëjmë rrugën më të rëndësishme në jetë, rrugën drejtë vetes”, siç thot Hermann Hesse.

Dhe kjo mbyllje e jonë, duket se po i bën mirë edhe natyrës, të cilën e kemi ndotur pa hesap dhe kur të dalim shpresoj sërish, pasi të kemi lexuar, shikuar filma e medituar, do të dalim shumë më të mençur, shumë më të dashur, shumë më të kujdesshëm, më njerëzit tjerë, por edhe me natyrën.

Libri: “Makbeth”

Në këto ditë kur krejt bota po lufton për shëndet, politkanët në Kosovë bëjnë luftë të ashpër për pushtet. Dhe kjo më kujton tragjedinë “më të tmerruar” të Shakespeare, “Makbeth”.

Në këtë dramë tragjike, nga më tragjiket në historinë e teatrit dhe letërsisë botërore, shfaqen ambiciet e pangopura për pushtet të trimit Makbeth, i cili nderohej si hero nga të gjithë, për luftrat që kishte bërë në mbrotje të vendit të tij, por që nga një ëndërr që sheh, në një gjendje gjysmë kllapie, atij i zgjohet dëshira që të arrijë majat e pushtetit. Këtë ëndërr të tij, e ushqen mandej edhe zonja e tij, zonja Makbeth, dhe çifti nuk lënë gjë pa bërë për të arriturr kurorën mbretërore dhe për ta vënë atë në kokat e tyre. Ata vrasin mbretin që i donte dhe nderonte, vrasin miqtë, vrasin gra e fëmijë, vrasin çdo kënd që u del në rrugë si pengesë për të arritur kurorën. Ata zhyten në gjak, nga i cili nuk ka lum as det që do t’i lajë. Ata mbërrijnë majat e pushtetit, por duke u ngjitur kishin harruar që pas çdo maje pason teposhtëza, pason gremina dhe Makbethët bien në greminë, bien në lumin e gjakut që vetë kishin krijuar dhe mbyten në të.

Tragjedia “Makbeth”, është ndër veprat më të lexuara dhe më të inskenuara nëpër teatrot botërore. E shkruar para 400 vitesh, ajo ende çmohet shumë nga lexuesit e studiuesit, për mjeshtrinë artistike, për mesazhet politike, sociale, etj. që janë aktuale edhe sot.
Filmi: “Nebraska”

Filmi “Nebraska” është bardh e zi, por skenari, regjia, loja e aktorëve është përplot ngjyra. Regjisori Alexander Payne është i njohur sidomos për filmat “Sideways” dhe “The Descendents” për të cilët ka fituar nga një “Oscar” në kategorinë e skenarit më të mirë. Edhe pse këtë herë Payne bën film në bazë të skenarit të një autori tjetër, ai shumë mirë e ka zbërthyer, e ka përshtatur këtë skenar me stilin e tij regjisorial. Dhe e ka bërë filmin e tij më të mirë.

Filmi fillon me plakun Woody Grant (Bruce Dern), që ecë nëpër autostradë edhe pse mezi këmbët e mbajnë. Ai është një plak i shkatërruar nga alkooli, që ka marr një letër ku thuhet se ka fituat një milion dollar. Djemtë dhe gruaja e tij nuk i besojnë asaj letre por Woody nuk zmbrapset. Gruaja e qorton se kur ka dashur të bëhet milioner është dashur të punojë për një gjë të tillë. Woody nuk e dëgjon por beson që është bërë milioner. Djali i dytë pas tentimeve për ta bindur të heq dorë e sheh se është e kotë dhe vendos ta dërgojë me veturë në Lincoln, prej nga Woody-t i ka ardhur letra e lotarisë.

Gjatë rrugës ata fillojnë ta njohin më mirë njëri-tjetrin sepse për nga natyra, siç e thotë një nga gratë e familjes, burrat e familjes Grant janë fjalë pak. Për dallim prej grave që nuk ndalen duke folur. Babë e bir përgjatë rrugës na e shfaqin një Amerikë ndryshe prej asaj që e njohim ne. Një Amerikë përplot me njerëz egoistë, dembelë, pijanecë të pashpresë. “Nebraska” përmes imazheve bardh e zi, sikur i bënë rentgenin asaj pjese të Amerikës që na e shfaqë.

Skenari i Bob Nelson, është i shkruar me një thjeshtësi e bukuri të jashtëzakonshme. Rrëfimi rrjedh bukur, pa kthesa e përplasje të mëdha dramaturgjike por që në mënyrë perfekte shpërfaqë raportet mes personazheve. E këtë e bën edhe përmes heshtjes (ka skena ku personazhet vetëm rrinë e shikojnë e mezi e hedhin ndonjë fjalë) por edhe përmes dialogut. Dialogu mes personazheve është i veçantë. Në shikim të parë duket se është një dialog vetëm sa për të thënë diçka por në fakt përmes atyre fjalëve shpaloset shumë mirë filozofia e personazheve. Po të dëgjohen (lexohen) me vëmendje dialogjet e “Nebraska” janë përplot sentenca.

Filmi “Nebraska”, është rrëfim për njerëzit e vegjël të Amerikës së madhe. Njerëz që jetojnë duke punuar ose si fermer, si automekanikë, ose në ndonjë bar të vogël. Ata kënaqen me pak. Mjafton të kenë ushqim, alkool dhe seks. Ose kështu duken. Sepse pasi që marrin vesh se Woody është bërë milioner, të gjithë i vërsulen atij “milioni”. Dhe sipas kësaj del se më shumë i duan paratë, se sa njëri-tjetrin. Dhe jo pa qëllim skenaristi e ka përdorë lotarinë në tregimin e tij. Sepse të gjithë dembelët, njerëzit e “vegjël” janë shumë të dhënë pas lojërave të fatit. Ata nuk besojnë në punë, në vete por besojnë në fat, besojnë në loto.

Për dallim nga shumë regjisor të kohës sonë që përmes montazhit të shpejtë, lëvizjes së kamerës, vrapimit filmik… mundohen ta bëjnë interesant filmin dhe ta mbajnë shikuesin ulur përballë ekranit, Alexander Payne, rrëfen ngadalë, me shumë qetësi. Sepse edhe rrëfimi që na e shfaq është i qetë, pa ngjarje të mëdha. Dhe me këtë regjisori na e dëshmon se edhe nga ngjarjet e vogla mund të krijohen vepra të mëdha kinematografike.

Skena e fundit e filmit është një gjetje shumë e mirë kur babë e bir e kuptojnë që nga lotaria nuk ka asgjë dhe se duhet të kthehen nga kanë ardhur me vetëm një kapelë në kokë, të cilën ia dhurojnë plakut ata të lotarisë, djali vendos që krenarinë e babait ta ruaj dhe rrugës për në shtëpi ai ndalet në një sallon automobilash e blen një kamionetë. Skena e fundit kur Woody shfaqet para shokëve dhe të njohurve të tij, duke e ngarë kamionetën dhe me kapelën në kokë ku i shkruan “Prize Winner (fitues shpërblimi)” është shumë emocionuese.

#rrinshpi

Related