4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Hasnije Ilazi, filozofe

Bota jonë ishte një iluzion që e krijuam me shkujdesje fëmijërore; iluzioni i vetëmjaftueshmërisë dhe paprekshmërisë. Botë pa të ardhmen (për të cilën nuk shqetësoheshim), pa të kaluarën (të cilën e fshehëm në harresë), liri jashtë kohe (në shfrenimin e saj) e prangosur në pafundësinë banale brenda së tashmes. Por, e fundmja ishte gjithkund rreth nesh dhe ne ndjeheshim se një lloj fundi, do të na përfshijë edhe neve. Jo sepse gjithçka ka një fund, por sepse të gjitha që i bënim na drejtonte nga e pashmangshmja. Dhe ja ku jemi sot. Të mbyllur, të pafuqishëm, të kthyer nga e kaluara nga e cila kërkojmë shpëtim dhe nga e ardhmja e pasigurte nga e cila kërkojmë mëshirë.

E shikova raftin e librave. Libri si rrugë, ikje, vetmi, frikë, shpresë, jetë. Jo çdo libër. Por ky po: “Premti ose Limbat e Paqësorit”, i Michel Tourinier-it, një version filozofik i “Robinson Crusoe”, të Daniel Defoe-së.

Izolimi i Robinsonit në “Ishullin e pikëllimit” pas fundosjes së anijes “Virginia” në ujërat e Paqësorit, sjellë një rrëfim për përballjen e njeriut me veten dhe botën në pamatësinë e kohës, lakuriqësinë e së Njëjtës së përsëritur, ankthin nga nostalgjia për një jetë rutinore, tanimë në humbje e sipër. Nga procesi i dehumanizimit në një ambient në dukje brutal, përmes përpjekjes fanatike të rindërtimit të botës nga e cila është dëbuar, Robinsoni do të pësojë metamorfozën në të përjetuarit të vetes pa Tjetrin: Tjetrin si realitet dhe aktualitet objektiv, por edhe Tjetrin si projeksion ekzistencial të përsiatjeve subjektive.

Në një raport të ri me natyrën, herë si administrator i saj, e herë si i nënshtruari, Robinsoni do të shfaqet i njësuar me sipërfaqen e tokës, ujin dhe Diellin. Dhe mu në një moment të tillë do të paraqitet Premti, i riu vendas, prototip i jetës trupore, mishërim i Tjetrit aq të kërkuar dhe të pritur. Por Premti nuk bëhet shpëtim, por vetëdije mbi ndryshimin në vetë Robinsonin. Duke e lejuar Premtin të largohet nga ishulli, Robinsoni do të bëjë ndarjen përfundimtare nga e mëparshmja, duke e ngritur dollinë për harmoninië e tij të sapogjetur. Bota e tij tani bëhet truporja e ekuilibruar brenda izolimit fizik, dhe shprtrorja e cila e projekton të ardhmen duke e përqafuar shndërrimin nën rrezet e Diellit.

Simbolika e fuqishme e këtij romani mund të bëhet udhërrëfyesi për njeriun e sotëm, për përqafimin e matamorfozës, marrjen në zotërim të vetes pëballë kësaj kohe, sa të rrezikshme aq edhe qesharake. Ta gjejë frymëzimin te e njëjta për t`u ndjerë komod në tërë plotninë e jetës së ndryshuar.

Filmi: Zorba the Greek (1964) – sipas noveles “Jeta dhe koha e Alexis Zorba” të Nikos Kazantzakis.

Duke udhëtuar për të inspektuar një minierë të braktisur të babait e tij në Kretë, autori anglez Basil takon fshatarin grek Zorba dhe e fton t`i bashkangjitet ngase i moshuari pretendon se ka përvojë minierash. Në fshatin e vjetër të babait të Basilit Zorba bëhet mësues i jetës së shkrimtarirt në të gjitha përvojat e saj, ndërsa Basili për herë të parë shijon jetën në tërë lakuriqësinë e saj: një jetë instiktive, hedoniste, jetë për të jetuar. Luajnë: Anthony Quinn, Alan Bates, Irene Papas, Lila Kedrova.

#rrinshpi

Related