4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Liri Kuçi, politologe

Është gati-gati distopike sesi nëpërmjet largimit nga jeta sociale, komuniteti, familja, më të dashurit dhe takimet e shpeshta me rrethe të tjera njerëzish të afërm – njëfarësoj, izolimit dhe individualitetit – po vetëdijësohemi më shumë si mbi domethënien e lirisë, po aq sa edhe solidaritetit shoqëror dhe vlerësimit të së përbashkëtës.

Sakaq, pandemia që ka kapluar botën mbanë ka shpërfaqur edhe dimensionin tjetër të qeverisjes, duke sprovuar demokracinë e shteteve. Ndoshta ky dimension nuk vjen fort i panjohur, por është sigurisht tronditës për nga përmasat e abuzimeve nëpërmjet politikave represive, diskriminuese dhe aspak progresiste, teksa njerëzimi është duke përballur ditët më të vështira në shekullin e fundit.
Por siç po vërehet, pavarësisht kushteve strikte të izolimit shtëpiak, zemërata e njerëzve ka gjetur hullitë e duhura për t’u adresuar dhe bërë qëndresë kolektive; duke filluar nga protestat nëpër ballkone, deri te manifestimet e ditëve të fundit të mijëra qytetarëve në sheshet e Izraelit, kundër padrejtësive dhe lidershipit totalitarist.

Duke sjellë ndërmend gjithashtu, që në kohë emergjence shëndetësore dhe dhunimit konstant të demokracisë, për shumëkënd edhe kujdesi në kushtet e shtëpisë është privilegj – teksa të tjerë janë të detyruar të punojnë pa kushtet e nevojshme dhe duke iu shkelur të drejtat elementare të sigurisë dhe shëndetit – na ngelet që këtë eksperiencë ta përdorim për të qëndruar të kthjellët ndaj padrejtësive, duke mbajtur zgjuar sensin e reagimit dhe solidaritetit shoqëror përtej pozitave tona. Në këtë drejtim mund të na ndihmojnë leximet, filmat dhe bisedat telefonike me të dashurit tanë, kolegët, shoqërinë dhe familjen.

Libri “1984” i shkruar nga George Orwell, do të qe një shoqëri e mirë këtyre ditëve. Orwelli është brilant në shqetësimin që di të shkaktojë në përfytyrimin e një jete dhe shoqërie krejtësisht të mbikëqyrur dhe kontrolluar nga qeverisja rigoroze nëpërmjet planifikimit të frikshëm. E preferuara ime është Ministria e së Vërtetës, e cila kontrollon edukimin dhe informimin në masë, si dhe ka monopolin dhe veton mbi të vërtetën. Në kushtet e izolimit, kontrollit të dhunëshëm të politikave qeveritare dhe frustrimit prej sa më lart, 1984-ën ‘orwelliane’ e gjejmë më aktuale se kurrë.

Në anën tjetër, teknologjia, paradoksalisht ngelet e vetmja dritare e komunikimit me jetën sociale – duke qëndruar te distopia – do të sugjeroja në lexim “Brave New World” nga Aldous Huxley, (Në shqip me titullin “Më e mira e botëve”), ku autori me stilin e tij futurist mbreslënës të ngërthen në novelën që përvijon një botë të tëhuajësuar prej zhvillimit teknologjik, ku ndarja e re klasore do të bëhet në bazë të shkallës së manipulimit psikologjik dhe inteligjencës artificiale.

Me “Hunger Games” (Lojërat e urisë) nga Susanne Collins, qëndrojmë ende te novelat distopike, në të cilin Panemi post-apokaliptik, lufta për mbijetesë, shoqëria e spektaklit dhe regjimi totalitarist që mirëmbahet nga sa më lart, na sjellin të mishëruar pikërisht imazhin që na kalon tangent, teksa mendojmë për reduktimin e shoqërive tona sot, dhunën shumëpërmasore të pushtetit dhe insinuimin e luftës kundër njëri-tjetrit si spektakli i preferuar i të shtunës mbrëma.

(Titujt e mësipërm kanë frymëzuar edhe filma të ndryshëm (disa me të njëjtin titull si librat), por që do të sugjeroja t’i shihnit pasi të keni lexuar librat.)

Related