4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Genc Mehmetaj, regjisor

E premte, 13 Mars 2020 ishte dita kur unë më në fund e pak me vonesë u binda që koronavirusi nuk ishe një shaka kineze. Kur po lexoja për Italinë, Italia dhe virusi ma kujtuan librin “Dekameroni” që unë e kisha lexuar para shumë kohësh.

“Dekameroni” është një përmbledhje e novelave nga autori italian i shekullit XIV Xhovani Bokaço. Ngjarja zhvillohet pikërisht në Itali dhe pikërisht në epidemi, vetëm se 672 vjet më parë. Libri rrëfen për vitin 1348 në kohën kur në këtë shtet ishte shpërndarë dhe po bënte kërdi sëmundja shtatëdhjetedy-fish ndoshta më e rëndë se COVID19 e që quhej Mortaja. Nga kjo katrahurë një grup i të rinjve ikin në një vilë diku në një fshat për të shpëtuar nga sëmundja ose për të praktikuar distancën sociale që po e quajmë ne sot.
Në mënyrë që askush të mos mërzitet, t’i qetësojnë nervat dhe të mos ketë konflikte mes tyre, ata organizohen dhe kalojnë kohën duke treguar rrëfenja (ose ne zhargonin tonë storje). Rrëfenjat janë të lehta, relaksuese që variojnë nga erotikja, komikja deri tek tragjikja. Mendoj që në këtë periudhë duhet të përpiqemi sadopak t’i ikim të tashmës dhe të zhytemi në botën e personazheve të librave. Unë vetë po i lexoj për të dytën herë nga dy-tri rrëfenja ose më shumë të këtij libri çdo natë, dhe pastaj po flejë si qengj ose si për me qenë më korrekt, si dash.

Edhe që për të mos u çuditur, shumë herë po e kam një ndjenjë qesharake t’i korrigjoj personazhet e filmave kur nuk po i zbatojnë rregullat e pandemisë, ndërsa si adhurues i kinematografisë po shikoj filma e seriale e dokumentarë pa ndalë. Më është kthyer dashuria e vjetër e disa filmave që i kam dashur kohë më parë. Një që dua ta theksoj është edhe “Forrest Gump”. Preferoj që të shikoj filma sa ma dëfryes që ta heqim mendjen sadopak nga kjo situatë që po kalojmë. U sugjeroj që të shihni filma që ju kanë pëlqyer më herët sepse mund t’ua kujtojnë kohët e arta para-pandemike.
Nuk mendoj se duhet të jemi mjekë e as nuk duhet të ketë ndonjë filozofi ose mençuri të madhe, apo patriotizëm, për të kuptuar që të qëndrojmë në shtëpi. Mjafton të kemi frikë. Unë nuk jam adhurues i madh i motos “Kujdes po, panikë jo”. Më shumë e mbështeti “Kujdes po, panik jo, por as pa të jo”.

Mjafton ta kuptojmë që virusi bartet nga njeri në njeri, prandaj njeriu për njeriun nuk është më ujk, as gjirafë, por është virus. Nëse 90% a më shumë shpëtojnë pa vdekje, a ia vlenë të rrezikohen 10%? I plasi goja krejt ekspertëve të vendit e të botës duke na udhëzuar që të mos dalim nga shtëpia.

Kjo do të kalojë këtë të gjithë e dimë prandaj ta marrim si përvojë jetësore. Çka nëse do ishim burgosur (pa faj)? Çka nëse do kishim punuar si astronaut në anije kozmike ku do të na duhej të qëndrojmë gjashtë muaj a më shumë në një hapësire të mbyllur, ku s’ka as gravitet?

#rrinshpi

Related