4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Fitim Mulolli, filozof politik

Sfida me të cilën po ballafaqohet bota sot është unike për gjeneratën tonë, mirëpo nuk është e re për historinë njerëzore. Në raste të këtilla, njerëzimi ka ndërmarrë masa të ndryshme mbrojtëse, si futja në karantinë duke sakrifikuar një prej tipareve dalluese të qenies njerëzore siç është liria.

Përgjatë historisë, mendjet më të ndritura janë marrë me temën e lirisë, në veçanti filozofët politik. Një prej më të dalluarve në këtë drejtim është Jon Stuart Mill i cili thoshte se liria individuale duhet të kufizohet vetëm për të parandaluar dëmin që mund t’i shkaktohet të tjerëve. Ky parim vlen më së miri në këtë periudhë kur ne, ndonëse pavetëdijshëm dhe paqëllim, mund t’i shkaktojmë dëm vetevetes dhe tjerëve (përshirë personat më të dashur per ne) përmes daljeve të panevojshme jashtë shtëpisë duke rrezikuar kështu të marrim dhe bartim virusin COVID-19.

Ndonëse kjo gjendje na ka bërë të heqim dorë nga liria e lëvizjes, në anën tjetër na ka dhënë një mundësi që në ditët normale të jetës është luks. Kjo është mundësia të kalojmë kohë me familje dhe të bëjmë gjëra të cilat jeta e zakonshme dhe dinamike na pamundëson të bëjmë. Përveç kalimit të kohës me familje, unë kam pasur një listë të gjatë të librave të cilat nuk kam pasur kohë t’i lexoj, por kjo kohë më dha mundësinë që më në fund t’i jap fund kësaj liste.

Prandaj i rekomandoj të rinjve që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të lexuar sa më shumë dhe për këtë qëllim po i ndaj disa prej titujve që mendoj se të rinjtë do të duhej të lexojnë duke qenë i bindur se do t’iu lënë përshtypje të mirë dhe do t’iu pasurojnë mendjen: “Ferma e Kafshëve” (Animal Farm) nga George Orwell; “Arti për të Fituar Miq dhe Pushtet” (How to Win Friends and Influence People) nga Dale Carnegie; dhe “Bota e Sofies” (Sophie’s World) nga Jostein Gaarder.

#rrinshpi

Related