4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Dritan Dragusha, filozof

Filmi “Remake” i regjisorit boshnjak Dino Mustafić, i realizuar në vitin 2003, rrëfen për luftën e Bosnjës. Ky film vë në spikamë makthin e vërtetë që po ndodhte në Sarajevë, gjatë vitit 1992. E dikurshmja Federatë Jugosllave, një konglomerat kombesh dhe etnish, e cila si parullë të parë kishte bashkim-vllaznimin, kishte filluar të shpërbëhej në mënyrën më të keqe të mundshme. Ata që deri dje kishin krijuar lidhje vllazërore dhe veten e konsideronin si diçka që ishte supra-nacionale, pra, jugosllav, filluan ta vrasin njëri-tjetrin në baza etnike.

Miro Jovanović (luajtur nga aktori Aleksandar Seksan), ishte me prejardhje etnike serbe dhe është miku më i ngushtë i Tarikut Karaga (luajtur nga aktori Ermin Bravo). Edhe Tariku edhe Miro jetojnë në lagjen Grbavica, në qytetin e Sarajevës. Çdo gjë është e zakontë, deri në momentin e shpërthimit të luftës, ku Miro do të detyrohej t’i bashkohej forcave ushtarake serbe, kurse Tariku dhe të gjithë boshnjakët tani e tutje do të ishin shënjestër e tyre. Këtu regjisori qëllimshëm e thekson fuqinë e prejardhjes etnike karshi fuqisë së mendimit.

Tarik Karaga, ishte një shkrimtar i ri, i cili para se të fillonte lufta kishte shkruar një skenar filmi, të cilin e kishte dërguar në një konkurs letrar në Francë. Ky skenar rrëfen historinë e vërtetë të babait të tij, Ahmed Karaga, i cili gjatë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore zihet rob dhe përfundon në një kamp përqendrimi, por që arrinë të mbijetojë. Në fakt këtu historia fjal-për-fjalshëm përsëritet, sepse ajo se çfarë kishte shkruar në skenar Tariku, e që ishte rrëfimi i asaj se çfarë i kishte ndodhur babait të tij gjatë Luftës së Dytë Botrore, tani po i ndodhte vet atij. Megjithatë, skenari i Tarikut i dërguar para se të niste lufta, kishte zgjuar kurreshtje në Paris, mirëpo, zhvillimet në Bosnje e Hercegovinë kishin marrë tiparet e një lufte të çmendur dhe në Sarajevë, Tarik ishte kapur nga ushtria serbe dhe po i nënshtrohej kushteve mizore të një kampi pune, i cili pothuajse nuk ndryshonte nga një kamp përqendrimi. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të shpëtuar, një producent filmi francez në një këmbim me një të burgosur tjetër e ndihmon Tarikun që të lirohej dhe të siguronte transport për në Paris.

I gjendur në sallonet me shumë luks të Parisit, ku njerëzit nuk e çanin kokën se çfarë realisht po ndodhte me Bosnjen, me Tarikun dhe të afërmit e tij, ai vendos të kthehet në vendlindjen e tij, në Sarajevë. Përmes kësaj skene regjisori Dino Mustafić sikur i bënë kritikë botës perëndimore rreth sjelljes indiferente karshi një lufte që po merrte përmasat e shfarosjes etnike.

Pra, filmi “Remake” shqyrton temën e hakmarrjes kundrejt faljes, si dhe idenë se historia përsëritet dhe se ata që nuk mësojnë prej saj janë të destinuar ta përsërisin atë. Përderisa Tarik ishte i fokusuar që ta rrëfente historinë e babait të tij, ai nuk e dinte se shumë shpejt edhe ai do të bëhej pjesë e një rrëfimi të trisht me përmasa botërore. Ai nuk ishte i vetëdijshëm se drama e babait të tij do të ishte pothuajse identike dhe e riprodhuar në vet fatin e tij. Do të ndryshonin vetëm epokat, por jo edhe problemet etnike.

Po ashtu, një histori e ngjashme, por me një dramë edhe shumëfish më të madhe dhe më të çmendur, është e rrëfyer në librin “Nata” të autorit Elie Wiesel. Wiesel, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, si adoleshent ishte interrnuar nëpër disa kampe të përqëndrimit të nazizmit, në këtë libër rrëfen për historinë e tij dhe të miliona hebrenjve që kishin kaluar nëpër çmenduritë që i orkestronte nazizmi. Rrëfimet e Wiesel janë aq rrënqethëse sa që janë të pabesueshme. Sikurse Wiesel-it edhe personazhit të filmit “Remake”, Tarik Karaga, u ndodh pothuajse i njëjti fat. Që të dy janë larg shtëpive të tyre, pa vullnetin e tyre. Që të dy bëjnë përpjekje të mbijetojnë dhe një ditë të kthehen në shtëpi, sepse i vetmi vend për ta ku do t’iu jepte kuptim njerëzor ishte shtëpia.

Prandaj, edhe pse shtëpia nuk ka konotacion çfarë paraqitet si në filmin dhe librin e lartëcekur, sepse në gjendje normale kërkesa rri në shtëp do të tingëllonte absurd, mirëpo, sot, në këtë kohë jo normale që është krijuar nga virusi COVID-19, kërkesa rri në shtëp, përveç që është normale, është edhe e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit tonë. Pra, rri në shtëpi, shiko filma, e lexo libra.

#rrinshpi

Related