4 vjet më parë

Ne jemi njerëz që vallëzojmë me hapat tonë

Në edicionin e 11-të të ANIBAR, gratë vendimmarrëse trajtojnë potencialin e rinisë për ndryshimin e sistemit në Kosovë

“O trup i tundur nga muzika, o i ndritshmi shikim, si mund të dallojmë valltarët nga ky vallëzim?”

Këto vargje më pas janë filtruar dhe i njihen Hunter S. Thompson, duke u frazuar kështu, “Amerika është duke rritur gjenerata të valltarëve të cilët frikësohen të dalin jashtë kornizave”.

Këto ishin temat e panelit të parë të diskutimit në edicionin e 11-të të Festivalit Anibar.

Pjesë e këtij paneli ishin Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtoresha e CIVIKOS, Donika Emini. Panel ky i moderuar nga Leonora Kryeziu. Mesazhi që përçonte tema e diskutimit përbën kryqëzimin e këtyre ideve, duke nënkuptuar pikëpyetjen se sa jemi ne duke ndjekur vullnetin tonë të lirë, apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, sepse kështu kërkohet.

Kjo zgjoi diskutime të cilat kryesisht u fokusuan në rininë e Kosovës dhe në përgjithësi në aktivizmin për të krijuar ndryshim në një vend si i yni, ku sistemi tash e sa vite vazhdon të qëndrojë i njëjtë. Panelistet u pajtuan me njëra-tjetrën në atë që të rinjtë e Kosovës kanë potencial për të bërë ndryshim.

Sipas Vjosa Osmanit, vallëzimi shijohet me të vërtetë vetëm kur shfaqet njerëzorja.

“Duke nënkuptuar atë që ndryshimi duhet të ndodhë gjithmonë duke u bazuar në parime e këto parime të jenë të mira për të gjithë qytetarët, jo të shikojnë vetëm interesat personale, pavarësisht se kjo nganjëherë mund të jetë e vështirë sidomos për gratë në një vend si Kosova”, shtoi Osmani.

Ndërkohë, Donika Emini u shpreh se ndryshimi në Kosovë ka filluar të shihet sidomos nga tetori i vitit të kaluar pas zgjedhjeve të cilat përveç që sollën një klasë të re politike, por edhe treguan që qytetarët e vendit janë të gatshëm për ndryshim, duke sfiduar sistemin.

“Në Kosovë ende ka shpresë për politikanë të guximshëm”, tha Emini.

Ndër të tjera gjatë këtij diskutimi u trajtua edhe çështja e barazisë gjinore dhe u theksua nevoja për të krijuar një vend më të mirë për vajzat dhe gratë që jetojnë në Kosovë e përballen me probleme të shumta për vetë faktin që janë vajza/gra.

“Shoqëria duhet të mësohet të trajtojë gratë në mënyrë të njëjtë si burrat. E megjithatë, duhet të vazhdojmë të punojmë sepse asnjë ndryshim nuk ndodh shpejt. Gjërat e mira vijnë ngadalë”, shtoi Emini.

Related