9 muaj më parë

Pentola mëson të fluturojë

Rreth mitit të heroit dhe perceptimeve gjinore përmes ikonave maskuline të kinematografisë, filmi i Leo Černic i tregon të gjitha.

Pentola nuk i do fasulet. Por kjo fasulet janë të vetmet që bashkëshortja e tij shtron për darkë. Të shfaqen të ulur në tryezën e darkës, tullumbace në formë zemre fluturojnë në çdo cep të dhomës dhe rrethojnë tryezën e tyre. Gruaja e tij përtith fasulet derisa atij fytyra i reflekton neveri. Pentola i urren fasulet! Dhe këtë herë, më në fund mori guximin dhe vendosi t’i tregojë bashkëshortes së tij. Ajo u zemërua, madje edhe qau. Derisa ia përplasi një shuplakë në fytyrë, aq sa të rrëzojë Pentolën nga stoli. Gjëja e radhës që shohim është Pentola duke qëndruar përpara pasqyrës së banjës. Një moment reflektimi dhe ai shqyen rrobat e vjetra e të plakura sa ai vetë. Tani na shfaqet krejtësisht i zhveshur, vetëm me një pelerinë të kuqe të Superman në supe. Pentola dëshiron të fluturojë! Dhe kështu niset, largohet, nga dritarja e banjës së shtëpisë së tij për të ia mësyrë botës së egër jashtë saj.  Gjersa sheh një shkëmb, i vërsulet që të marrë vrapin për të fluturar. Fundja, ai mban mbi supe pelerinën e kuqe të Superman. Por në fund të shkëmbit, ai kupton se nuk mund të fluturojë dhe bie po si një gurë i rëndë. Kur zgjohet, sheh se pranë tij është Batman.

“Pentola” është një film i shkurtër i animuar, me një kohëzgjatje prej 7 minutave dhe 12 sekondave, i drejtuar nga Leo Černic dhe i prodhuar nga Chiara Magri. Filmi shpalos një histori të ndjeshme dhe të fuqishme, e cila është e mbushur me emocion dhe simbolizëm.

Në këtë film të shkurtër, Leo Černic ka prezantuar një histori të thjeshtë, por thellësisht emocionuese, ku në qendër të vëmendjes vihet një personazh me emrin Pentola, i cili nuk mund të gjejë heroin në partneren e tij, por bëhet hero i tjetër kujt. Qysh se në momentin e parë të prezantimit të tij, Pentola na shfaqet si një figurë e dobët dhe e padenjë. Një person që thjeshtë nuk ka guxim ti thotë bashkëshortes së tij që i urren fasulet. Pentola na shfaqet si figurë e cila vë në pikëpyetje konceptin e heroizmit dhe rolin që luajmë në jetën e dikujt tjetër. Ai na kujton se sa subjektive mund të jenë perceptimet dhe se sa e rëndësishme është të vlerësojmë dhe të respektojmë ndryshimet e njëri-tjetrit. 

Regjisori Černic, jo rastësishëm personifikon Pentolan përmes pelerinës së Superman, dhe ia shton kësaj krijimtarie edhe personazhin e Batman, në të cilin Pentola dashurohet dhe për të cilin ai shëndrrohet në hero.

Superman dhe Batman, dy superheronj ikonë të kulturës pop amerikane, kanë pasur një ndikim të thellë në perceptimin e identitet gjinor maskulin përmes kinematografisë. Si dy personazhe që mishërojnë idealet e forcës, guximit dhe heroizmit, këto dy figura janë kthyer në shembuj tipik të maskulinitetit dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e perceptimeve kulturore për atë që do të thotë të jesh burrë.

Supermeni, me fuqitë e tij të ngjashme me perëndinë dhe ndjenjën e palëkundur të drejtësisë, përfaqëson mishërimin e maskulinitetit tradicional. Nofulla e tij e gdhendur, fiziku muskuloz dhe veprat heroike mishërojnë stereotipin klasik të “heroit”. Përgjatë dekadave, Supermeni është mbajtur si një figurë aspiruese për djemtë dhe burrat, duke përforcuar idenë se forca fizike, stoicizmi dhe vetëflijimi janë tipare thelbësore të një “burri të vërtetë”. Megjithatë, ky përfaqësim i ngushtë i maskulinitetit është përballur gjithashtu me kritika për përjetësimin e standardeve jorealiste që mund të jenë të dëmshme për ata që nuk përshtaten me këto forma konvencionale. Supermani i Černic i personifikuar përmes Pentolas, e rrëzon këtë mit, dhe sfidon këto perceptime duke ia përplasur audiencës thirrjen për të pasur guxim për të sfiduar këto norma dhe për të gjetur vetën, heroin në vete, brenda shoqërive të normuara. Pentola i sfidoi ato, dhe u mësua të fluturojë.

Leonora Aliu

Related