3 orë më parë

Takim me regjisoret: nga historitë personale te realitetet kolektive

Anibar solli dy regjisore të reja të animacionit, filmat e të cilave u shfaqën në Programin për të Drejtat e Njeriut: regjisoren ukrainase Polina Piddubna dhe regjisoren kosovare Siera Deshishku.

Përmes punës së tyre, ato trajtojnë tema të ndjeshme shoqërore, duke u dhënë zë njerëzve që shpesh mbesin të padëgjuar dhe duke reflektuar mbi realitetet e vendeve prej nga vijnë. Më poshtë mund të lexoni më shumë për filmat e tyre, procesin krijues, rrugëtimin deri te realizimi i këtyre veprave dhe ndikimin që ato kanë pasur.

My Grandmother Is a Skydiver, nga regjisorja e re ukrainase Polina Piddubna, është një animacion thellësisht personal që trajton luftën, zhvendosjen, kolonializmin dhe qëndrueshmërinë e grave ndër breza. Filmi ndjek historinë e Alfyias, një vajze plot jetë në Azinë Qendrore të viteve ’60, e cila studion për mami dhe në të njëjtën kohë merret me hedhje me parashutë. Kjo histori lidhet me vitin 2022, kur Alfyia merr një telefonatë nga mbesa e saj, e shqetësuar për sigurinë e saj gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës. Përmes kësaj lidhjeje ndërbreznore, filmi eksploron kujtesën familjare, identitetin etnik, traumën kolektive dhe kuptimin e jetës njerëzore. Filmi është shfaqur në Festivalin e Kanës dhe ka marrë vlerësime në festivale ndërkombëtare.

Me Polinën biseduam për mënyrën se si historia e familjes së saj u shndërrua në film, për rrugëtimin personal pas krijimit të tij dhe për përvojën e prezantimit të kësaj historie në festivale ndërkombëtare, ku shpesh diskutohet edhe realiteti historik e politik i Ukrainës.

“Fillimisht doja të bëja një film për gjyshen time, sepse kur ishte e re punonte si mami dhe në të njëjtën kohë merrej me hedhje me parashutë si hobi. Gjithçka nisi nga dëshira për të treguar një histori feministe. Por më pas filloi pushtimi i plotë i Ukrainës dhe kuptova se çdo brez i familjes sime kishte kaluar luftëra dhe zhvendosje. Vendosa t’i bashkoj këto dy tema – feminizmin dhe luftën – për të folur për qëndrueshmërinë.”

Duke folur për stilin vizual të filmit, ajo shpjegoi:

“Kisha mbledhur shumë referenca gjatë kërkimit tim antropologjik – fotografi, arkiva, piktura dhe filma. Bashkë me disa ilustrues i analizuam të gjitha dhe krijuam një stil unik vizual, ku çdo vend kishte ngjyrat, format dhe atmosferën e vet.”

Ajo u ndal edhe te siluetat e bardha të personazheve:

“Fillimisht ishte një zgjidhje teknike, por më pas kuptuam se funksiononte edhe në nivel simbolik. Pavarësisht çfarë kalojmë, mbetemi njerëz. Duke qenë bardh e zi, personazhet nuk lidhen me një komb të caktuar, prandaj njerëzit nga vende të ndryshme mund ta shohin veten te ta. Luftërat përsërisin të njëjtat metoda dhe unë doja ta tregoja këtë cikël, për të pyetur se si mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.”

Polina foli edhe për procesin e gjatë të hulumtimit dhe intervistimit të gjyshes së saj:

“Ishte hera e parë që bëja një kërkim kaq të thellë. Kalova shumë kohë duke biseduar me gjyshen time, pa i regjistruar bisedat, sepse nuk planifikoja t’i përdorja drejtpërdrejt në film. Mbaja vetëm shënime. Lexova shumë materiale për ta kuptuar më mirë kontekstin. Gjatë udhëtimeve shpesh ndihesha e humbur, por vazhdova të vizitoja muze, të takoja artistë e aktivistë, të bisedoja me njerëz, të fotografoja dhe gradualisht ta gjeja rrugën time.”

Ajo foli edhe për identitetin e popullit ukrainas dhe mënyrën si pasqyrohet në art:

“Ukraina është një vend shumë i larmishëm. Ka shumë njerëz me prejardhje të ndryshme dhe identitete të përziera. Megjithatë, gjatë shekujve kemi zhvilluar një aftësi të jashtëzakonshme për të mbijetuar dhe shumë guxim. Kjo shihet jo vetëm në punën time, por edhe në krijimtarinë e shumë artistëve të tjerë.”

Aktualisht, Polina është duke punuar në filmin e saj të radhës, një adaptim i një novele të shkurtër nga shkrimtari ukrainas Mykola Khvylovy.

“Edhe pse tekstet e tij janë gati njëqind vjeçare, ato flasin në mënyrë të frikshme për realitetin e sotëm. Kanë shumë forcë dhe shumë nga gjërat që ai ka shkruar vazhdojnë të ndodhin edhe sot.”

Duke folur për udhëtimin e filmit në festivale dhe takimet me publikun ndërkombëtar, ajo shtoi:

“Jam shumë e lumtur dhe e privilegjuar që mund ta ndaj këtë histori me njerëz në mbarë botën. Por përballem edhe me shumë mosnjohje, propagandë dhe situata të vështira. Shpesh më duhet të shpjegoj fakte shumë bazike për luftën. Kur kjo ndodh larg Evropës është më e kuptueshme, por kur duhet t’i shpjegoj këto gjëra brenda Evropës, është vërtet dëshpëruese.”


1 ROOM, nga regjisorja e re kosovare Siera Deshishku, është një dokumentar i shkurtër që portretizon familje në Kosovë që jetojnë në varfëri ekstreme, duke u fokusuar në realitetin emocional dhe fizik të përditshmërisë së tyre. Përmes momenteve intime dhe dëshmive personale, filmi u jep hapësirë vetë familjeve për të treguar historitë e tyre, duke ndërtuar një portret të bazuar në besim, dinjitet dhe respekt.

Siera studion animacion në Leeds Arts University. Puna e saj fokusohet në histori reale dhe çështje sociale të treguara përmes rrëfimeve intime të ndërtuara rreth personazheve. Përveçse regjisore, ajo është edhe aktiviste, duke përdorur rrëfimin si mjet për të sjellë në vëmendje përvojat e komuniteteve që shpesh mbesin në hije.

Ajo ndau me ne procesin krijues pas filmit One Room, nga ideja fillestare deri te ndikimi i papritur që filmi pati më vonë.

“Ideja lindi pasi përfundova vitin e parë të universitetit në Mbretërinë e Bashkuar. U ktheva në Kosovë gjatë verës dhe kur u riktheva në shtator, na u tha se semestrin do të realizonim një dokumentar. Në atë moment e dija menjëherë se për çfarë doja të flisja. U ktheva përsëri në Kosovë dhe intervistova familje që jetonin në varfëri.”

Procesi ishte thellësisht personal:

“Askush nuk e ndiente këtë temë aq fort sa unë. Ishte e vështirë të gjeja njerëz që donin të punonin në këtë projekt, kështu që në fund e realizova vetë.”

Duke qenë e angazhuar prej vitit 2015 në një organizatë kundër varfërisë, Siera kishte parë nga afër realitetin e shumë familjeve.

“Nuk do ta besonit në çfarë kushte jetojnë disa njerëz. E di që jam e privilegjuar dhe doja ta përdorja atë privilegj për të bërë diçka për vendin tim.”

Ajo kujton se procesi zgjati tre deri në katër muaj.

“Ishte izolues, por krijueshmërisht ndihesha shumë e lirë. Në të njëjtën kohë ndieja një përgjegjësi të madhe ndaj këtyre familjeve, sepse u kisha premtuar se do të krijoja diçka të rëndësishme nga historitë e tyre. Ishte emocionalisht shumë e rëndë. Kam qarë shpesh, sepse çdo ditë dëgjoja histori të dhimbshme.”

Një moment u bë zemra emocionale e dokumentarit. Në fund të filmit, një vajzë e vogël përgjigjet në pyetjen se çfarë do të donte më shumë:

“E pyeta nëse kishte diçka që dëshironte dhe nuk e kishte. Ajo u përgjigj me zë të ulët, gati duke qarë: ‘Një dhomë.'”

Për montazhin e filmit, Siera tregoi:

“Kisha orë të tëra materialesh dhe ishte shumë e vështirë të vendosja çfarë të përfshija. Nuk ndoqa një proces klasik montazhi. Pasioni për projektin më udhëhiqte. Në fund kuptova se ajo vajzë e vogël e bashkonte të gjithë dokumentarin. Kur vendosa zërin e saj në fund të filmit, e dija se aty mbaronte historia.”

Pas përfundimit të filmit, Siera publikoi në TikTok historinë pas dokumentarit. Videoja u pa nga qindra mijëra njerëz. Falë mbështetjes së publikut dhe figurave publike që e shpërndanë projektin, ajo arriti të mbledhë fonde. Së bashku me babanë e saj, u kthye te familja, zgjeroi shtëpinë, ndërtoi dhoma për fëmijët dhe bleu mobilie. Shtrati i vajzës mbërriti pikërisht në ditëlindjen e saj.

Ky projekt u bë edhe një pikë e rëndësishme mësimi në rrugëtimin e saj si regjisore. Frymëzimin e gjeti te filmi i shkurtër Souvenirs Souvenirs i Bastien Dubois, përmes të cilit zbuloi punën e piktorit të sfondit George.

“Kur fillova të hulumtoja për të, zbulova se ai kishte realizuar ilustrime për luftën në Kosovë. Ishte një rastësi e çuditshme. E gjeta përmes një filmi të shkurtër dhe rezultoi se ai kishte krijuar tashmë vepra për vendin tim, i cili ishte edhe subjekti i projektit tim.”

Related