15 orë më parë

Në zemër të Anibar-it: ide, njerëz dhe imagjinatë 

Teksa festivali po i afrohet ditëve të fundit, Meet the Filmmakers solli edhe një tjetër sesion të mbushur me ndarje filmash, shkëmbim përvojash dhe rrjetëzim mes pjesëmarrësve të këtij edicioni.

Kësaj radhe, të pranishmëve iu bashkua edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, e cila u takua me regjisorët dhe ndau pasionin e saj për animacionin dhe artin.

Në Kinemanë Jusuf Gërvalla u mbajt edhe Pitch It, gara e Anibar-it për prezantimin e projekteve. E krijuar për animatorë dhe regjisorë në zhvillim, kjo platformë u jep pjesëmarrësve mundësinë të prezantojnë projektet e tyre para një jurie ndërkombëtare profesionistësh, të marrin komente të vlefshme dhe të krijojnë lidhje që mund t’i ndihmojnë në hapat e ardhshëm të rrugëtimit të tyre krijues.

“U mahnita nga cilësia e botës virtuale ku u gjenda. Në fillim nuk dukej diçka e jashtëzakonshme, por sapo ngrita duart dhe fillova të ndërveproja me animacionin, gjithçka u bë tepër reale. Insider Outsider solli një mori botësh të animuara dhe personazhesh që nuk i kisha imagjinuar më parë, duke më vendosur mua në qendër të historisë. Me siguri do të kthehem nesër për ta përjetuar sërish,” tha një nga pjesëmarrësit pasi provoi programin VR, i cili mbyllet zyrtarisht nesër në orën 16:00.

Në Kinemanë Jusuf Gërvalla u shfaq edhe Balkan Competition, me shtatë filma në garë: Strive, Vanja & Vanja, The Synthetic Age, Floating, The Shadow, Paradaiz dhe Balconada.

Michael Frei prezantoi lojërat e tij të shkurtra interaktive, duke e çuar publikun nëpër rrugëtimin e tij krijues, nga projektet e para deri te ato më të fundit. Nga Plug & Play te Kids Swan, ai tregoi se si pas një dizajni minimalist fshihet një proces i menduar me kujdes. Edhe pse fillimisht i përqendruar vetëm në animacion, Frei e ka zgjeruar praktikën e tij duke e bërë publikun pjesë aktive të rrëfimit, ku lojtarët marrin vendime pa humbur koherencën e historisë.

Në Galerinë e Arteve u zhvillua punëtoria Botanical Jewelry Lab, e udhëhequr nga Marija Dimitrojevic Jovic. Duke përdorur rrëshirë (resin) të kombinuar me materiale si mbetje lapsash, kafe dhe lule të thara, pjesëmarrësit krijuan bizhuteri unike të personalizuara.

Lucia Dubravay Trautenberger prezantoi Animation Hub, një platformë që u jep filmave të shkurtër të animuar një jetë të re pas rrugëtimit të tyre në festivale. Duke i mbledhur këto filma në një vend, platforma i bën ata të qasshëm për publikun, edukatorët dhe profesionistët e fushës. Ajo foli gjithashtu për zhvillimin e platformës, rrjetin e bashkëpunimeve dhe vizionin e saj afatgjatë.

Mbrëmja nuk mund të përfundonte ndryshe pa kinematë tona. Animated Music Video Competition 1 & 2 pushtoi ekranet e mëdha për herën e fundit në këtë edicion, duke sjellë një atmosferë plot energji. Sallat ishin të mbushura dhe entuziazmi ndihej në çdo cep.

Në skenën e natës, Darin K dhe Nart K ndezën atmosferën me performancat e tyre, ndërsa muzika, vallëzimi, pijet dhe shoqëria e mirë e mbajtën energjinë gjallë deri në momentin kur publiku priti me padurim performancën e P.I.N.T, që solli hitet e tyre tashmë të shumë dashura.

Related