9 muaj më parë

“Dreqin e vramë Kenin” për 25 vjet: Eric Stough tregon recetën se si, në Anibar 14

Një histori e shkrimit të jashtëzakonshëm, dhe rebelimit përmes animacionit.

Kush mund të thotë, se një pjesë e animacionit të thjeshtë por të bukur, të stilit te letrës së prerë, mund të kthejë në fëmijëri në mënyrë kaq intensive? Epo, mua  të paktën më ndodhi kjo, dhe vë bast se edhe shumë të tjerëve të lindur në të 90-tat, që ishin përkrah fëmijëve, regjisorëve, animatorëve të rinj, dhe qytetarëve që ishin ulur sot në audiencë, përgjatë prezantimin special të Anibarit në Kinemanë “Jusuf Gervalla”, në Pejë. Producenti Eric Stough dhe një nga figurat kryesore në produksionin e serisë së njohur të animuar “South Park”, erdhi si i ftuar special dhe kulmi i edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – Anibar në Pejë. Të gjitha kapacitetet e mjedisit të kinemasë u përdorën për të akomoduar pjesëmarrësit e interesuar për prezantimin e Stought rreth rrugëtimit 25-vjeçar të rebelimit përmes animacionit, nëpërmjet kësaj serie unike. I lindur më 7 shkurt 1972, në Shtetet e Bashkuara, Stough njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të gjatë dhe kyç të Trey Parker dhe Matt Stone, krijuesit e South Park. Ai ndoqi studimet në Universitetin e Kolorados, ku u takua me Parker dhe Stone ndërsa studionte film. Eric Stough filloi të punojë me Parker dhe Stone gjatë fazave të hershme të zhvillimit të South Park. Ai luajti një rol vendimtar në procesin e animacionit dhe është vlerësuar si Drejtor i Animacionit për shumë episode të serialit. Stili i veçantë i animacionit dhe kontributet e Stough kanë ndihmuar në formimin e pamjes ikonike të shfaqjes gjatë viteve.

Përveç punës së tij në South Park, Stough ka qenë gjithashtu i përfshirë në projekte të tjera me Parker dhe Stone, duke përfshirë filmin e tyre “South Park: Bigger, Longer & Uncut”, ku ai shërbeu si animator dhe asistent produksioni. Por udhëtimi i tij nuk filloi lehtë. Ëndrra e tij si student ishte të punonte për Disney dhe ai ia doli përfundimisht në World Disney. “Përfundova duke punuar për parkingun”, tregon ai në fillim të rrëfimit  të tij për përvojën personale, duke frymëzuar të gjithë animatorët e rinj që të punojnë e ndërtojnë rrugën e tyre para, ngase sic tha puna e palodhur përfundimisht shpërblehet. E atij iu shpërblye, pas shumë vitesh punë të palodhur, u bë ndër punonjësit e parë të kontraktuar për prodhimin e “South Park”.

Në vitin 1997, krijuesit Trey Parker dhe Matt Stone lëshuan “South Park” në Comedy Central, duke ndryshuar përgjithmonë peizazhin e televizionit dhe industrisë së filmit dhe në veçanti filmit të animuar.

Siç shpjegoi Stought, kolegët e tij Trey Parker dhe Matt Stone, dy miq të universitetit me prirje për satirë dhe humor të errët, krijuan një film të shkurtër të animuar në vitin 1992 të titulluar “Shpirti i Krishtlindjes”. Ky film i shkurtër por edhe gazmor paraqiste katër djem të rinj, Stan Marsh, Kyle Broflovski, Eric Cartman dhe Kenny McCormick, teksa përjetuan aventura të çuditshme dhe shpesh të ngarkuara politikisht. Shkurti tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të televizionit, duke çuar në krijimin e “South Park”. Në një botë, ku YouTube nuk ekzistonte, shfaqja ariti jehonë duke u shpërndarë “derë më derë”, si një kartolinë Krishtlindjesh për producentët e shquar, përfaqësuesit e TV dhe personazhet publike. “Geroge Clooney përfundimisht e mori atë dhe e ndau me disa të tjerë”, thotë Stough, duke qeshur dhe duke gjurmuar për ditët e së shkuarës në kujtesën e tij. Gjë për të cilën mori mikpritjen e publikut përmes duartrokitjeve.  

Që në fillet e prodhimit, “South Park” u bë seri e njohur për qasjen e patrembur dhe kontroverse ndaj politikës dhe çështjeve sociale. Shfaqja nuk kishte kurrë frikë të trajtonte subjektet e ndjeshme kokë më kokë, duke përdorur situata absurde dhe të ekzagjeruar për të nxjerrë në pah absurditetin e ngjarjeve të jetës reale. Qoftë për tallje e politikanëve, për të tallur të famshmit apo për sfidimin e normave shoqërore, “South Park” ofronte një perspektivë të freskët dhe shpesh të pa filtruar.

Gjatë gjithë ecurisë së tij 25-vjeçare, “South Park” kaloi kufijtë e asaj që konsiderohej e pranueshme për televizionin. Stili i papërpunuar i animacionit dhe gjuha e pa censuruar e shfaqjes shtuan hijeshinë e tij unike, duke tërhequr një bazë të dedikuar fansash që prisnin me padurim çdo episod të ri. Në vitin 1999, “South Park” bëri hapin e tij në industrinë e filmit me publikimin e “South Park: Bigger, Longer & Uncut”. Filmi pati një sukses të papritur, duke ndërthurur humorin, numrat muzikorë dhe komentet thumbuese sociale. Përmbajtja e tij e diskutueshme, duke përfshirë një portretizim satirik të Kanadasë dhe një gjuhë të qartë, vetëm sa e shtoi tërheqjen e saj.

“South Park” gjeti një jetë të re në epokën dixhitale, me episode të disponueshme për transmetim dhe klipe të shpërndara nëpër platformat e mediave sociale. Ai u bë një element kryesor në kulturën e memeve në internet, duke forcuar pozicionin e tij si një gur prove për audiencën e re, të lindur pas viteve 2000.

Përdorimi i satirës si ‘armë’

Ajo që me të vërtetë e dallon “South Park” ishte shkrimi dhe satira e krijuar mjeshtërisht, e cila shpesh maskonte mesazhe të thella dhe depërtuese nën sipërfaqe. “Ne do të kishim pesë ditë për të prodhuar shfaqjen dhe do të transmetohej të mërkurën dhe ajo që do të merrnim do të ishte një ide me dy faqe. Nuk ishte animacioni në të vërtetë, ishte shkrimi që na solli këtu”, tha Eric Stough gjatë prezantimit të tij duke vlerësuar shkrimin e mrekullueshëm që ka shfaqja, si një frymëzim për shumë prej nesh shkrimtarët këtu. Shfaqja sfidoi me mjeshtëri shikuesit të vënë në dyshim bindjet dhe paragjykimet e tyre, duke promovuar të menduarit kritik dhe një mendje të hapur për fenë, racën, politikën dhe çështjet që lidhen me shoqërinë. “South Park” u bë rregullisht temë diskutimi për shkak të gatishmërisë së tij për të marrë tema përçarëse. Ajo u vlerësua për çiltërsinë dhe aftësinë e saj për të ekspozuar hipokrizitë shoqërore, duke ndezur debate për lirinë e fjalës, censurën dhe rolin e satirës në mediat moderne.

Së bashku me katër personazhet simpatik të serisë, Eric, Kelly, Keny dhe Stan, “South Park” mbetet në krye të animacioneve rebeluese, duke siguruar që ai të skalitet përgjithmonë në kanalet e historisë së televizionit. Dikush mund të thotë se kjo shfaqje mbijetoi për 25 vjet, edhe për shkak të dashurisë së madhe të krijuesve të saj, për krijimin dhe falë një imagjinate të spikatur rreth vetë botës.

Prezantimi i Eric South u bë i mundur përmes mbështetjes bujare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për Anibar.

Leonora Aliu

Related