4 vjet më parë

Izolimi, mënyra e re e shfaqjes së solidaritetit

Edhe kësaj radhe, Anibar sjell një tjetër diskutim të jashtëzakonshëm përmes Anibar Paneleve, program i cili është transmetuar në Facebook Live dhe në ZOOM.

Këtë herë, paneli i udhëhequr nga Durim Abdullahu, përfshiu mikrobiologun më të kualifikuar të Kosovës, Lul Rakën dhe doktorin vullnetar në Qendrën e Studentëve, gjatë pandemisë COVID-19, Gent Jakupin.

Temë kryesore në këtë panel ishte “Solidariteti në Aksion”. Lul Raka, një person mjaft i njohur me fjalën solidaritet, thotë se pandemia ka ekspozuar probleme të ndryshme që shoqëria jonë i ka mbajtur të fshehta dhe tani solidariteti në mes nesh është më i rëndësishëm se kurrë.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të qëndrojmë afër njëri-tjetrit në momente të vështira si këto, jo vetëm afër familjeve tona, por edhe me anëtarët e tjerë të shoqërisë me të cilët nuk kemi lidhje. Sidoqoftë, këtë herë izolimi është një shenjë e solidaritetit”, shprehet Raka.

Gent Jakupi, në anën tjetër, është shumë i lumtur me mbështetjen që e ka marrë gjatë punës së tij në Qendrën e Studentëve. “As që kam menduar dy herë para se të hyj”, tha ai kur u pyet për eksperiencën. “Më është dashur të izoloj vetën nga familja në mënyrë që t’i mbrojë ata”, shpjegoi ai duke u munduar të theksojë se sa e rëndësishme ishte mbështetja që ai ka marrë nga kolegët dhe familja e tij.

“Ai më kujton vetën time gjatë luftës”, tha Lul Raka, i cili ka pasur eksperiencën e të qenit doktor lufte dhe vullnetar në epideminë e Ebolës në Liberi. Raka na përkujton se si solidariteti është i rrënjosur thellë në rrënjët e kulturës sonë, i përcjellur brez pas brezi. Sipas tij, momente të errëta si kjo pandemi kanë demaskuar secilin nga ne.

“Tani shohim se kush është kush, tani s’ka më fjalë, por vetëm vepra”, shprehet ai.

Raka është shumë i lumtur të shoh doktorë të rinj që shfaqin solidaritet të këtij lloji, por ai kritikoi edhe mënyrën se si institucionet tona trajtojnë punëtorët e rinj e thelbësorë, si Genti.

“Unë mendoj se problemet që i ka sjellë në pah kjo pandemi nuk do të zgjidhen kurrë nëse ne nuk e ndalojmë migrimin e të rinjëve profesionistë, nga shteti ynë. Nuk do të përparojmë nëse nuk ndalojmë së keqtrajtuari intelektualët”, tha Raka. Ai shpjegoi se profesionistët e kujdesit shëndetësor nuk vlerësohen mjaftueshëm dhe nuk i‘u sigurohen burimet e nevojshme për të ushtruar profesionin e tyre.

Ai është krenar të shoh Gentin që rrezikon jetën për shtetin e tij dhe që nuk po merr mësime të gjuhës gjermane, një trend tanimë në mesin e punonjësve të rinj shëndetësorë, të cilët në masë të madhe po migrojnë në shtete me mungesa, si Gjermania.

“Liderët tonë i kanë mjetet në dorë që të ndalojnë emigrimin e të rinjëve. Kur ta ndalojmë këtë, do të kemi të zgjidhur edhe problemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, thotë Raka.

Për ata që duan ta dëgjojnë këtë diskutim, panelin mund ta gjejnë në faqen zyrtare të Anibar në Facebook.

Related