10 muaj më parë

Zbulimi i Fuqisë së Vetëdashurisë: Një rrugëtim drejt pranimit e mirëkuptimit

Tregime personale dhe njohuri mbi rrugën e vetë-zbulimit dhe të ushqyerjes së lidhjeve autentike në Anibar 14

Përgjatë rrugëtimit të krijimit të vetës, koncepti i dashurisë qëndron si një gur themel. Dashuria për vetën, përfshinë vlerësimin, pranimin dhe edukimin e thellë të qenies sonë, dhe përmes vetës edhe të të tjerëve. Fundja, si mund të duam të tjetër nëse ende nuk kemi mësuar të duam vetën?  Vetë- dashnia është një angazhim, për të trajtuar, me dhembshuri, zemërbutësi e mbi të gjitha mirëkuptim vetën tonë. Por si mund të kujdesemi ndaj vetës, nëse jetojmë në sisteme moderne që kapitalizojnë të gjitha sferat e jetës, dhe projektojnë norma të dashurisë, për ne, shpesheherë në formë përjashtuese? 

 

Diskutimi i tretë në kuadër të paneleve tematike të organizuara në edicionin e 14 të Festivalit Ndërkombëtarë të Animacionit – Anibar, në Pejë, ngriti pikërisht këto pyetje dhe ofroj rrëfime personale, por edhe këshilla profesionale nga panelistë të përzgjedhur me kujdes, për këtë.  Shkrimtarja, aktivistja dhe producentja e njohur shqiptare që vepron në Amerikë, Shqipe Malushi, drejtor i QIPS dhe aktivisti Bind Skeja, aktivistja Medinë Dauti, dhe psikologe Fatlinda Nitaj.  Panelistët ndanë eksperiencat e tyre, në rrugëtimet ose drejt gjetjes së formave për të dashur vetën, dhe përmes kësaj të tjerët rreth tyre, apo edhe prej punës që bëjnë në përditshmëri me komunitetin LGBTIQ+ por jo vetëm, në Kosovë dhe jashtë kufijve. 

 

Fatlinda Nitaj nisi diskutimin duke nënvizuar rëndësinë e vetë-dashurisë, në një periudhë kur kërkohet shumë nga ne nga shoqëria përreth nesh. “Nganjëherë duke u kujdesur për të tjerët ne harrojmë të kujdesemi për vetën. Por vetë-dashuria nënkupton respekt për vetën, dhe për të tjetër dhe është tejet e rëndësishme që të krijojmë marrëdhënie të shëndosha”, tha ajo në hyrje të diskutimit duke inkurajuar të tjerët për reflektim mbi mënyrën e vetë-kujdesit dhe rëndësisë që ka për shëndetin dhe mirëqenien e gjithsecilit. 

 

Bind Skeja, themelues i “Linja e Jetës”, një linjë mbështetëse telefonike për personat me ndjenja antkhi, depresioni dhe linjë parandaluese e vetëvrasjes, dhe drejtor i Organizatës QIPS, ndau ndërkaq përvojën e tij me vetë-dashurinë dhe punën që bëjnë me komunitetin, duke nënvizuar tre aspekte të rëndësishme që duhet pasur parasysh kur flitet për vetë-dashurinë, në kontekstin lokal por jo vetëm. Aspekti i parë sipas tij përfshin atë se çka është vetja dhe vetë-dashuria. “Tash shpeshherë e kemi dëgju këtë frazën ‘me, myself, and I’, që tingëllon goxha vetjake. Por vetë-dashuria nuk është vetjake, dhe nuk duhet të jetë vetjake. Sepse në atë formë nuk është e shëndetshme. Vetë dashuria duhet të jetë, dashnia që i japim vetës, për të bërë gjëra të caktuara që neve na pëlqejnë por edhe na lidhin me komunitetin”, tha Skeja. Aspekti i dytë sipas tij përfshinë komuniteti. Skeja tha se puna për komunitetin ofron një mundësi të jashtëzakonshme të lidhjes dhe dashurisë dhe na bënë më të lumtur, më të përkushtuar dhe të lidhur me njëri-tjetrin. “Nuk punoj unë ta zëmë pa pagesë, vullnetarisht, pa ndonjë arsye, është pikërisht dashnia që e marrë mbas kur punoj për komunitetin që na shtyn me vepru tutje, e kjo ka shumë rëndësi”, tha ai. Duke përmendur ndër të tjerash se ka një arsye pse shifrat e vetëvrasjeve janë më të mëdha tek personat e komunitetit LGBTIQ+. “Nëse merr kaq shumë urrejtje prej komunitetit, qysh mundesh me dashtë vetën pastaj?”, tha ai duke elaboruar tutje rolin e komunitetit në konceptin e vetë-dashurisë. Ndërkaq aspekti i tretë, Skeja elaboron tutje, është padyshim aspekti politik, “Nuk është e habitshme që po duhet të luftojmë kaq shumë për vetën e dashurinë, sepse sistemet kapitaliste nuk e mundësojnë njeriut që të duaj vetën”, tha Skeja duke ilustruar këtë me gjendjen e grave në shoqërinë tona dhe tendencës patriarkale për të minimizuar rolin e saj  në shoqërore, dhe perfeksionuar atë përmes produkteve të ndryshme, ose të sillej në forma të caktuara e konform normave shoqërore. Këtë, e ilustroi edhe rrëfimi tejet personal i Medinë Dautit, aktivistet që denoncuar publikisht ngacmuesin e saj seksual dhe padrejtësisë që sistemi i drejtësisë ia kishte shkaktuar përgjatë raportimit dhe luftës së saj për të rimarrë hapësirën e saj, dhe për të validuar rrëfimin e saj. Dauti tregon për sfidat që kishte pasur për të dashur vetën në tre vjetët e procesit të kërkimit të drejtësisë për presionet që kishte marrë për shkak të raportimit të profesorit të saj të shkollës së mesme për ngacmim seksual. Në shtator të vitit 2022, Dauti kishte dalë publikisht në emisionin “Jeta në Kosovë” dhe kishte rrëfyer të tërë ngjarjen, por edhe se si burrat e sistemit të  drejtësisë nuk e kishte përkrahur aspak, dhe i kishin bërë presion përgjatë periudhës raportuese. “Nuk më kuptonte askush, dhe ka pasur njerëz që kanë mendu dhe thënë që nuk është dashur ta bëjë [raportimin]. Por për mua vetë- dashuria ka nis në momentin kur kam fillu me pranu. Me pranu që jam gru, me pranu që më ka ndodh një padrejtësi, me pranu gjithçka dhe me vendos me dalë publikisht. Kur kam dalë publikisht jam ndje sikur po e rimarrë hapësirën që 10 burra për disa vite ma kishin marrë. Kam fillu me dashtë vetën përkundër të gjithave”, tregoi ajo në një rrëfim mjaft prekës e të mirëpritur nga audienca. 

 

Një vështrim tejet interesant përgjatë diskutimit, mund të analizohej prej rrëfimit të zonjës Shqipe Malushi, rrugëtimi personal i së cilës për shumkë në Kosovë mund të shndërrohet lehtësisht në një reflektim personal. Malushi gjersa tregoi historinë e migrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rebelimit me kulturën patriarkale që dominonte në kulturën shqiptare, jo vetëm në Kosovë, dhe tendencës së ikjes nga identiteti që kultivonte këtë kulturë patriarkale, trajton një çështje mjaft komplekse por me rëndësi të madhe, at ët mbijetesës së vetës brenda identitetit kombëtarë dhe mbijetesës së vetës përmes identitetit kombëtarë. “Kur shkova në Amerikë, gjithçka që luftoja dhe prej së cilës ikja fillova me shndërrua në dashni”, tregoi ajo. Malushi është aktiviste për të drejtat e grave dhe në vazhdimësi ka punuar me gratë e komunitetit shqiptarë në Amerikë, për ngritjen e vetëdijes së tyre për mirëqenie, angazhim në hapësira publike, barazi, fuqizim, etj. Malushi tregon se sa shumë rezistencë kishte hasur nga komuniteti shqiptarë, kryesisht burrat përgjatë punës së saj. “Mbanim takime me gra, 200-300 gra, ndërsa për gjithë kohës së takimeve, burrat e këtyre grave pritshin si roje jashtë restoranteve ku i mbanim, dhe më thoshin ‘çka po don ti me gratë tona’”, rrëfen ajo si me shaka duke shpjeguar procesin e ndryshimit si diçka të frikshme për njerëzit dhe diçka që kërkon ndërtim të besimit dhe konsistencë. Malushi ndër të tjerash foli për eksperiencën e saj në Afganistan, ku thotë të ketë marrë dashninë më të madhe ndonjëherë, pikërisht për shkak të angazhimit me komunitetin atje.

Leonora Aliu

Related