4 vjet më parë

“Qasje për të gjithë”

Mungesa e socializimit mes fëmijëve mund të ndikojë në mirëqenien psikosociale dhe zhvillimin e tyre

Mungesa e socializimit mes fëmijëve mund të ndikojë në mirëqenien psikosociale dhe zhvillimin e tyre

Me rastin e mbajtjes së panelit “Qasje për të gjithë”, ditën e enjte, Anibar shfaqi interes të shkëpus disa pjesë dhe mendime nga moderatorja e panelit, Dafina Zuna-Hoxha.

Moderatorja, Zuna-Hoxha na tregon për problemet me të cilat njerëzit me aftësi të kufizuara janë përballur, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë, sa u ka ndihmuar Kosova atyre, si mund t’u ndihmohet sa i përket vizitave mjekësore, nga çfarë mund të përfitojnë ata gjatë kësaj kohe, dhe si e kanë përjetuar mbylljen gjatë pandemisë.

Cilat mendoni që janë problemet kryesore me të cilat janë ballafaquar njerëzit me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë në Kosovë?

Përderisa pasojat e pandemisë COVID-19 po i prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, fëmijët janë ndër më të prekurit. Edhe pse fëmijët janë të kursyer kryesisht nga efektet klinike të drejtpërdrejta të COVID-19, kriza ka një efekt të thellë në jetën e tyre dhe në mirëqenie. Gjatë pandemisë, fëmijët në Kosovë ndër të tjera janë përballur me sfida që kanë të bëjnë me ndarjen ose humbjen në familjet e tyre, që mund të çojnë në ndarje traumatike dhe pikëllim, për shkak të natyrës së trishtuar të vdekjes së shkaktuar nga COVID-19. Pastaj, çrregullimet në shërbimet shëndetësore mund të ndikojnë ndjeshëm në mbijetesën e fëmijëve, imunizimin, kontrollet rutinore të shëndetit dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve. Ndërprerja e shërbimeve përfshin efektet e saj edhe te gratë shtatzëna te të cilat mungon kujdesi para lindjes, përfshin edhe mungesën e mbështetjes së nënave dhe fëmijëve që vuajnë nga niveli i ngritur i dhunës në familje. Gjithashtu, edhe mbyllja e shkollës preku më shumë se 300,000 fëmijë në Kosovë. Hendeku i mësimit u përkeqësua në mesin e fëmijëve nga familje të pasura që ishin në gjendje të vazhdonin mësimin në distancë përmes mjeteve digjitale, dhe atyre të familjeve të varfëra që mbeten pas. Mungesa e lojës, socializimi dhe bashkëveprimi mes bashkëmoshatarve mund të ndikojnë dukshëm në mirëqenien psikosociale dhe zhvillimin e fëmijëve e adoleshentëve. Shumë fëmijë vazhdojnë të mos jenë në gjendje të luajnë ose të shoqërohen për shkak të izolimit dhe mbylljes së shkollave.

Si mendoni, sa është adaptuar Kosova gjatë pandemisë së Covid-19 sa i përket personave me aftësi të kufizuara?

Kjo pandemi, pa dyshim se të gjithëve na ka vënë në një situatë ku është dashur të gjejmë alternativë për t’u perballë me nevojat e fëmijëve në rrethana të reja. Si UNICEF, po konsiderojmë që kjo është edhe më e vështirë te familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Andaj, zyra e UNICEF-it ka marrë tri iniciativa të mëdha gjatë izolimit:

Brenda tre ditësh kemi lansuar kampanjën online #NdërkohëNshpi; #WhileAtHome, si iniciativë që të angazhojmë prindërit, e sidomos baballarët, rreth angazhimit përmes lojës në shtëpi me fëmijët e tyre. Vetëm në javën e parë kemi pasur një arritje të jashtëzakonshme, ku mbi 170,000 prindër janë anagzhuar apo kanë përcjellë aktivitetet e UNICEF-it online. Kemi pasur një kampanjë njëjavore të dizajnuar specifikisht rreth lojës për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke ju adaptuar kushteve që i kanë nëpër shtëpitë e tyre. Kemi pasur gjithashtu edhe muzikë online dhe lexim për fëmijët me aftësi të kufizuara, luajtje në violinë nga Visar Kuçi dhe grupi String String, si dhe lexim të përrallave nga Adriatik Kelmendi dhe dy fëmijët e tij. Gjithashtu, kemi pasur këshilla online nga profesionistë të fushës rreth angazhimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, në kushtet të cilat i kanë në shtëpi.

Në partneritet me HANDIKOS në Kosovë, kemi lansuar instalacionin me 120 karroca dhe me 120 çanta, përballë ndërtesës së Qeverisë, si thirrje për 120 deputetët që të avancojnë agjendën e zhvillimit për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kampanja ka prekur mbi 2 milion zemra të njerëzve dhe ka mobilizur me qindra qytetarë, ambasadorë, vendimmarrëes, që të bëhen zëri i fëmijëve me aftësi të kufizuara.                    Si rezultat, MASHT ka alokuar mjete financiare që të pajisin familjet në nevojë me teknologji asistive që të marrin pjesë në mësimin online. Gjithashtu, një nga kompanitë private, MERIDIAN, i është bashkangjitur UNICEF-it, në mënyrë që të bëjë të qasshme marketet, toaletet, por edhe që të ndihmojë avancimin e agjendës për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Së bashku me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, kemi ofruar shërbime online për rreth 3000 fëmijë me aftësi të kufizuara, ku ekspertë të fushës si, psikologë, pedagogë e mjekë kanë bashkëbiseduar online me fëmijët dhe prindërit rreth barrierave dhe mundësive për angazhimin e fëmijëve gjatë kohës së izolimit.

Sa u përket personave me aftësi të kufizuara dhe stafit mjekësor, a mendoni që mbajtja e konsultave mjekësore online është mënyrë e arritshme dhe efektive për të dyja palët?

Është herët të vijmë në konkludim se a janë efektive apo jo, por më lejoni ta citoj Rijad Mehmetin, 16 vjeçarin që jeton me paralizë celebrale, advokues i të drejtave të fëmijëve me UNICEF-in në Kosovë, i cili thotë: „Për herë të parë gjatë këtij izolimi jemi ndjerë të barabartë, në pamundësi të lëvizim lirshëm, ashtu si ndihemi tërë jetën“. Gjatë mësimit online, Rijadi thotë se nuk është ndjerë ndryshe nga të tjerët, të gjithë kanë mesuar nga shtëpitë me nga një laptop apo telefon përpara dhe nuk ka ndjerë se ka ndonjë dallim të madh nga bashkëmoshatarët. Ai thotë se është përshtatur lehtë.                                             Me programin e vizitave në shtëpi, ne kemi vazhduar online, ku motrat medicinale kanë qenë në kontakt të vazhdueshem përmes grupeve e rrjeteve në media sociale, me nënat e baballarët, dhe iu kanë dhënë këshilla rreth mirëqenies së fëmijeve. Konsiderojmë se kemi arritur të adaptohemi shpejt në rrethana të reja, por sa efektive dhe kualitative kanë qenë, mbetet të vlerësohet.

Çfarë aktivitete do t’i përmendnit që janë të nevojshme dhe profitabile për mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara në kohë pandemie?

Konsiderojmë se çdo ndihmëse, është sadopak lehtësim për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe jo vetëm. Familjet të cilat kanë nevojë shtesë për pajisje asistive që fëmija të jetë pjesë aktive e mësimit online, duhet të mbështeten nga institucionet si dhe të ofrohen këshilla online për prindërit e familjarët rreth angazhimit dhe metodave alternative të edukimit dhe pjesëmarrjes, gjatë kohës sa qëndrojnë në shtëpi.

UNICEF-i ka pasur disa publikime në web-site se si duhet të bashkëbisedohet më fëmijë gjatë kësaj kohe: https://www.unicef.org/kosovoprogramme/press-releases/how-talk-your-child-about-coronavirus-disease-2019-covid-19

A mund të na tregoni nëse keni informata se si fëmijët me aftësi të kufizuara e kanë përballuar mbylljen gjatë kohës së pandemisë?

Nuk isha kufizuar vetëm te fëmijët me aftësi të kufizuara, por në përgjithësi ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një kohë mjaft sfiduese për të gjithë, e në veçanti për fëmijët. Nuk kemi informatë se si e kanë përballuar, por po bëjmë thirrje që prindërit të angazhohen në kalimin e kohës kualitative me ta, të luajnë, këndojnë, lexojnë dhe të bisedojnë rreth temave me të cilat ata preokupohen. Të ju japin sqarime e informata të thjeshta, që mos t’i lëmë fëmijët në amulli e të painformuar rreth çështjeve me të cilat edhe ata pa dyshim se preokupohen.

Related