10 muaj më parë

Paneli i parë në Anibar diskuton pakënaqësitë e aktivistëve me Kodin Civil

Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe komunitetit Queer në Kosovë, kritik ndaj vendimmarrësve

Në ditën e dytë të edicionit të 14 të Festivalit të Animacionit- Anibar në Pejë, ka nisur edhe seria e diskutimeve tematike. Sot, në Galerinë e Arteve në Pejë, penalistët Arbër Nuhiu nga CSGD, Bjeshkë Guri antropologe kulturore dhe Ramadan Sokoli aktivist dhe sociolog, u diskutua mbi të drejtat e komunitetit Queer në Kosovë dhe zhvillimet e fundit që lidhen me mos përkrahjen politike për miratimin e Kodit të ri Civil të Kosovës, e përmes kësaj edhe njohjes ligjore për martesën e personave të seksit të njëjtë në Kosovë.

Përkundër shumë polemikave, debateve, kampanjave dhe gjuhës së urrejtës së shpërfaqur ndaj vetë kërkesës për njohjen ligjore të martesës së seksit të njëjtë, dhe në veçanti Kodit Civil si dokument, aktivistët e pranishëm në panel sot ngritën pikëpyetje jetike edhe sa i përket asaj nëse Kodi Civil ashtu siç është draftuar, në realitet fuqizon apo jo komunitetin Queer.

Arbër Nuhiu, një ndër themeluesit e organizatës së parë jo-qeveritare në Kosovë për avancimin dhe avokimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, u shpreh skeptik sa i përket dokumentit dhe përmbajtjes së tij, ngase ndonëse Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e njeriut dhe komunitetit Queer me tekstin që ka, e njëjta nuk reflektohet edhe në Kodin Civil.

Për sa i përket legjislacionit, Nuhiu theksoi se struktura ligjore aktuale nuk i adreson në mënyrë adekuate çështjet e adoptimit, surrogacisë dhe njohjes së përgjithshme të familjeve LGBTQ+. Ai theksoi se këto janë problemet kryesore dhe tejkalojnë pyetjen se kush mund të martohet me kë, por janë pengesat reale pse Kodi Civil po kundërshtohet.

Nuhiu gjithashtu foli për sfidat me pushtetin aktual, duke përmendur se problemet me partitë e majta, si kjo në pushtet aktualisht në Kosovë, janë më të theksuara sesa me partitë e djathta që deklaroheshin si konservatore në të kaluarën. Ai nënvizoi nevojën për një angazhim më të mirë me institucionet dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për të arritur përparim.

Ndërkaq, Bjeshkë Guri, duke përfaqësuar Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Kosovë, shprehu se këtë vit, vetë prezenca e njerëzve në Anibar, përgjatë festivalit, është një veprim politik, duke theksuar lirinë për të identifikuar veten dhe për të mos shkelur lirinë e të tjerëve. Guri diskutoi ndikimin e homofobisë, veçanërisht ndjekjen e saj pas luftës si një tendencë e ndikuar nga fuqitë e jashtme dhe ndryshimi i sistemeve.

Guri vuri theks tek ajo se derisa Prishtina ka parë disa përparime sa i përket të drejtave të komunitetit Queer, situata në zonat rurale mbetet sfiduese, me raste të përditshme dhune kundër individëve queer. Ajo po ashtu foli për qasjen e ndryshme të organizatave të përfshira në avokimin për të drejtat e LGBTQ+, duke thënë se disa hezitojnë ose distancohen për shkak të kritikave qe të dalin edhe në favor të martesës së personave të seksit të njëjtë publikisht.  Megjithatë, Guri theksoi se këto sfida janë të zakonshme në fushën e të drejtave të njeriut.

Si moderator, Ramadan Sokoli shprehu mirënjohje për temën e sivjetme të Anibar në festival, dhe theksoi nevojën që të ketë më tepër ngjarje dhe guxim për të folur për tema të rëndësishme sociale, edhe jashtë Prishtinës. Zgjerimi i diskutimeve mbi të drejtat LGBTQ+ përtej Prishtinës u identifikua edhe si sfidë nga panelistët. Ata vunë re se Anibari, një festival ndërkombëtar i animacionit, ka ndërmarrë hapa për të adresuar këtë çështje duke arritur audiencën jashtë kryeqytetit.

Leonora Aliu

 

Related