4 vjet më parë

Lum Radoniqi: Gara e Studentëve II

Lum Radoniqi

“Guilt”

Filmi hapet me një peisazh të bukur, një muzikë të çiltër qetësuese. Duket se natyra është në harmoni dhe se jeta ia vlen të jetohet. Dashuria triumfon mbi skutat e konstrukteve tjera shoqërore. Derisa të ndodh diçka dhe fillojmë ta ndjejmë errësirën teksa na pushton, dhe ne, që mundohemi ta luftojme me dritë deri në frymën e fundit. Filmi “Guilt” trajton një personazh që ka probleme ta tejkaloj një traumë, të shkaktuar nga humbja e një personi të afërt. Me çfarëdo mundësie a mjeti që përpiqet, errësira vazhdon ta ndjek. Ajo errësirë forcohet dhe merr energji nga burimi i fajit që ky personazh ndjenë, duke e fajësuar vetën. E vërteta është se njeriu jeton në të tashmen dhe e kaluara di të jetë një spirancë që na mban prapa, deri sa i dorëzohemi dhe zhytemi bashkë me të në errësirën e thellësisë. Traumat duhet të trajtohen. Jeta duhet të vazhdoj, por sigurisht që kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet.  

“Blieschow”

Ky film trajton rivaltitetin në mes dy mendësive, asaj të konsumerizmit, idesë se natyra është produkti jonë dhe idesë tjetër, se ne jemi pjesë e natyrës dhe se duhet ta trajtojme atë me dhembshuri e kujdes. Tomi, personazhi kryesor ballafaqohet me mëdyshje dhe vendime jo të lehta gjatë verës së pazakontë qe po e kalon në fshat. Në kontakt me natyrën, instinktet e tij vihen në pikëpyetje, ku si djal i ri fillon të krijojë bindje dhe pikëpamje të ndryshme. Në film kemi një paralele interesante kur një krijesë e madhe e rrethon Tomin dhe më vonë Tomi e lëndon një zog të vogël. Tomi ballafaqohet me një sfidë kur duhet ta presë pulën për konsum individual, gjë të cilën nuk mund ta bëjë edhe pse do të ushqehet vetë me të. Gjërat vendosën në atë perspektive, ku ne si njerëz jemi vetëm një hallkë, pjesë e një zinxhiri shumë më të madh. 

“Pool”

Ajo çka në fakt mund të duket sfiduese dhe e komplikuar, mund të na fundos dhe të na mund, ende pa bërë përpjekjen e parë. Shpeshherë kemi tendenca për të paragjykuar situata të cilat vetëm pasi gjindemi në to e kuptojmë se e kemi pasur gabim. Shumë sfida na duken të pakalueshme derisa i kalojmë vet dhe i inkurajojmë të tjerët të bëjnë njësoj. Shumë njerëz na duken “të fortë” e te pashpirt, derisa i takojme dhe flasim me ta drejtëpërdrejtë. Duhet të bëjmë përpjekje që të mos zhytemi në paramendime, edhe pse nuk mund t’i anashkalojme komplet ato. 

“There’s a Cat Under The Car”

Natyra dhe njeriu duhet të bashkëjetojnë. Në këtë film të shkurtër nga Islena Neira, shohim një mace (Natyrën) dhe një makinë (Shkencën) të cilat pluskojnë në ajër dhe bien poshtë. Bashkëjetesa e tyre ndërpritet nga njeriu i cili me çdo kusht dëshiron ta bëjë të vetën, ta zotërojë macen, por që nuk e ka idenë se po e shkatërron. Në këtë drejtim makina hakmerret dhe e shpëton macen, duke e hequr nga kthetrat e njeriut. Instinkti jonë njerëzor, për ta zotëruar dhe rrjedhimisht për ta shkatërruar natyrën, vjen me një çmim. Në këtë drejtim duhet të mësojmë se ne marrim aq sa japim. Natyra na trajton njëjtë sikurse e trajtojmë edhe ne atë. 

“The Breakaway”

Shumë gjëra mund të ndodhin brenda ditës. Përmes syve të Lisës shohim një reflektim të jetës, dashurisë për të frymuar jetë edhe tek të tjerët. Si femijë, nuk jemi aq të vetëdijshëm për vdekjen, dhe si rrjedhojë e përjetojmë çdo moment me një entuiziazëm të paparë. Lisa është pikërisht një fëmijë që e jeton jetën në moment, derisa vjen një kohë kur nëna e saj ka një lajm të hidhur të cilin nuk e marrim vesh asnjëherë, megjithatë Lisa e përjeton si të tillë dhe ia ndryshon disponimin. Përditshmëria mund të ndrrojë nga një ekstrem në tjetrin pa e kuptuar fare. Dhe gjërsa rritemi, mundohemi të jetojmë me këtë fakt, se gjithçka mund të ndodh dhe jeta vazhdon në margjina të monotonisë. 

“Thorns and Fishbones”

Tre fëmijë janë të humbur në lojën e tyre, të zhytur thellë në imagjinatën e vet, gjërsa nëna e tyre është gati joprezente në jetën e tyre. Shtëpia e tyre është strehë dhe burg, fëmijët janë gëzim e hidhërim, derisa e shohin në fund një rrugëdalje nga burgu e rrjedhimisht nga mjerimi që i ka kapluar. Tregimi është i ngjashem me Alegorinë e Shpellës së Platonit. Aty përshkruhen njerëzit që jetojnë në një shpellë, ku shohin rëflektimin në mur, të dirixhuar nga dikush prapa, deri në momentin kur i thyejnë prangat dhe dalin jashtë shpëllës, ku edhe e shohin burimin e dritës (diellin) dhe iluminohen. Kjo familje është në kërkim të së vërtetës, dhe për ta gjetur duhet të përballen me mjerimin. 

“Un Diable Dans La Poche”

Një lojë fëmijësh shpejtë merr kahje tjetër kur fëmijët bëhen dëshmitarë të një vrasjeje. Në fakt, fëmijët e përjetojnë lojën si të ishte e vërtetë dhe kjo i bën ata që këtë lojë ta vazhdojnë për një kohë. Rrugëtimi i një fëmije nga një njëri, në një tradhëtar, vetëm se përpiqej të ishte i drejtë. Një tregim me kapituj, që shpërfaq instinkte të vrasjes që këta fëmijë i fitojnë duke luajtur, të cilat i bëjnë ata që të ndryshojnë si njerëz, të zhvishen nga fëmijëria dhe të bëhen të rritur, edhe pse ata në fakt janë vetëm duke luajtur. 

“Where Am I”

Ky film paraqet dualizmin e një njeriu, një mendje e ndarë në dy pjesë e cila kërkon paqe me pjesën tjetër të vetes. Një lloj odiseje ku njeriu kerkon vetëveten. Pyetjet të cilat i parashtron për të gjetur të vërteten e vet. Të gjesh paqe me vetën nuk është e lehtë, sidomos kur ke dy anë të kundërta që luftojnë për posedim të trupit dhe mendjes. Të bashkëjetosh me mendime tuaja do të thotë të pajtohesh me veten, derisa në fund të behësh një.

Article Image

Lum Radoniqi biografi:

Lumi është regjisor dhe skenarist nga Peja. Shkollimin e lartë e ka të përfunduar në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Ka realizuar 6 filma të shkurtër artistik, disa prej të cilëve janë shfaqur në festivale të ndryshme të filmit. Filmi i tij i fundit “Evidence” është shfaqur në Dokufest. Ai poashtu merret me shkrime dhe analiza të ndryshme në fushën e filmit, të cilat janë publikuar në faqe të ndryshme kulturore.

Related