4 vjet më parë

Ibër Deari: Gara Ndërkombëtare IV

“The Chimney Swift” Frédéric Schuld 

Një histori e tmerrshme për fëmijët e robëruar të shekullit XIX!

Disa zogj fluturojnë në qiell. Atmosferë e zymtë. Ata e shohim një oxhak të madh i cili tymos shumë. Zogjtë futen brenda oxhakut dhe ngecin aty. Poshtë në fund të oxhakut e shohim një fëmijë, një fëmijë që tenton të ngjitet lartë për ta pastruar oxhakun. Ai ngjitet lartë e aty takohet me zogun që është brenda oxhakut. Si duket nuk ka kthim prapa për asnjërin. Edhe zogu edhe fëmija kanë ngecur në trupin e oxhakut. Fëmijët ëndërrojnë lirinë të fluturojnë lartë si zogjtë e të shikojnë botën përtej imagjinatës që kanë, por jo në këtë tregim. Këtu kemi një ëndërr apo një liri e cila është e bllokuar në një trup të gjatë oxhaku. Ky film i shkurtër nga Frederic Schuld, na rrëfen historinë e fëmijëve në një kohë jo shumë të mirë, kur ata detyroheshin të pastronin oxhaqe, ose kur ishin robër të mjeshtrëve të tyre. Këtu paraqitet rutina ditore, shumë e zymtë dhe klaustrofobike. 

Fëmijët e vegjël dhe trupat e tyre të vegjël ishin të futur në botën e pastrimit të oxhaqeve, pasi që vetë trupat e tyre ua mundësonin dhe ishte më e lehtë për ta kryer me sukses këtë punë. Fëmijët që nga mosha 5 e deri 10 vjeç e kryenin me shumë sukses këtë pune kaq të rrezikshme dhe të detyrueshme, ndërsa kush nuk kishte sukses keqtrajtohej nga mjeshtri i tyre. Pjesa tjetër karakterizohet me narratorin që na tregon situatat dhe rutinën e pastruesve të oxhakut, detyrimin e fëmijëve që të bëhen pastrues dhe rrezikun për jetën e tyre, ndërsa ne dikur e kuptojmë se narratori po na flet për të kaluarën e tij, i mbyllur me një rreth që nuk ka dalje. 

Sado që kërkon lirinë, si një zog që fluturon i lirë në qiell, ai mbetet i ngujuar në korridorin e ngushtë të oxhakut, i bllokuar e i mërzitur. Fëmijët nuk munden të fluturojnë, pasi që krahët ia kane këputur të rriturit. Animacioni është pa të folura, i vizatuar me laps në formë qymyri. Fotografia na tregon një rrëfim të errët për historinë e fëmijëve që pastrojnë oxhaqe, ndërsa sado që historia është e zymtë, në fotografi shohim shpresë për të dalur jashtë për të parë dritën, ashtu siç mund të imagjinoj vetëm një fëmijë. 

 

“Purpleboy“ – Alexandre Siqueira 

Kur të tjerët vendosin për ty!

“Është djalë? Jo është vajzë! Unë po them se është djalë, do ta shohësh se është vajzë. Djalë – vajzë, djalë – vajzë”. Kështu fillon filmi “Purpleboy“ nga Alexandre Siqueira, që flet për atë se kur të tjerët vendosin për ne, kush jemi dhe çfarë do të bëhemi?

Në fillim e shohim babain duke e trajtuar fëmijën e tij si një burrë dhe në pjesën tjetër e shohim nënën duke e trajtuar fëmijën e saj si një vajzë. Ky fëmijë e humb orientimin. Nga toka ku është duke u rritur ngjitet lartë në qiell që të fluturoj lirshëm, ndonëse flatrat i këputen dhe bie thellë në ujin e pistë. Nuk di as not, por mundohet dhe lufton të dal nga pellgu i pistë. Lufta vazhdon edhe jashtë pellgut, në kërkim të identitetit dhe në kërkim të vetvetes. Kjo luftë nuk është gjë e vogël.

Ky është një tregim për Oskarin, fëmijën që rritet në kopshtin e prindërve të vet dhe askush nuk di për gjininë e saj, ndonëse pretendon të jetë mashkull. Por, a do pranohet Oskari nga të tjerët ashtu si është?

Filmi prek një temë shumë të ndjeshme të problemeve të identitetit gjinor. Ky nuk është një rrëfim i thjeshtë e as i drejtëpërdrejtë, por nga fillimi e deri në fund është përplot me simbolika. Ka një stil të bukur animacioni, i ilustruar metaforikisht për kompleksin dhe problemin e identitetit dhe është aq i qartë, sa arrihet të dëgjohet klithma e fëmijës që është në kërkim të identitetit. Filmi po ashtu i mban të gjithë simbolikat e tij: një bimë që rritet në kopsht që ujitet dhe kujdeset nga dy prindërit; përcaktimin prindërve, duke i ndarë sipas gjinisë ku babai paraqitet si ujk ndërsa nëna si pulë. 

Çdo ngjyrë, lëvizjet e kamerës, objektet që shfaqen, rruga që ec Oskar, kurthet ku bie, janë detajuar në çdo pikë të koduar dhe flasin për problemet politike, sociale e shoqërore që ndikojnë e krijojnë probleme për identitetet gjinore.

Edhe pse Oskar lindi si vajzë, gjatë tërë kohës ne e shohim atë duke e shprehur pjesën mashkullore të saj përmes fuqisë, dhunës dhe dëmtimit që i bëhet asaj. Në fund ne lidhemi thellë me luftën dhe dhimbjet me të cilat përballet ky fëmijë.

Ky film tregon qartë se problemet e identitetit gjinor nuk vijnë nga gjinia apo rolet e përcaktuara, por më shumë janë të ndikuara nga jashtë.

 

“Listen Papa!“ – Olga Poliektova & Tatiana Poliektova

Dëgjo baba, një letër që djali me plote urrejtje e dashuri i drejtohet babait të tij që dikur e kishte hero, që dikur besonte shumë në të, që dikur babai i tij ishte gjithçka për djalin, derisa një ditë e lë të vetëm dhe gjithçka që mbetet nga babai është vetëm urrejtja.

“Të urrej baba”, kështu nis ky film i shkurtër e me shumë dhimbje e emocion, duke evoluar nga “Të urrej Baba” në “Më dëgjo pse të urrej”. Letra apo rrëfimi i tij që e dëgjojmë përmes narratorit na jep dyshimet, dëshpërimet dhe dilemat që djali i cili dikur e adhuronte babain e tij, sot i ka si pengesë dhe i vijnë në formën e urrejtjes e vuajtjes. 

Një ditë babai e lexon në gazetë se si një anglez kishte thyer rekord duke notuar përmes Kanalit të La Manshit dhe falë famës kishte marrë shumë dhurata e lëvdata nga shumë njerëz të vendit të tij.

Babai ëndërronte të ishte diçka i tillë, që ta donin njerëzit, që të flisnin për të dhe të bëhej i famshëm në vendin e tij. Kjo mjaftoi që babai të vendoste ta thyej rekordin e anglezit. Kështu ai vendos të notoj nga Batumi deri në Poti që ishte dy herë më i gjatë se sa Kanali i La Manshit. Por babai nuk e kishte fatin e anglezit dhe askush nuk e përkrahte përveç gruas dhe djalit të tij. 

I vetëm, gjatë rrugës ai përballet me shumë vështirësi. Ne e shohim se si ai fundoset disa herë, pastaj nuk e shohim më. Nuk e dimë a ka arritur në fund apo është kthyer? Pastaj e shohim djalin duke vrapuar i lumtur në qytet dhe e kuptojmë se babai i tij është kthyer. Por, askush nuk beson se babai ka notuar aq shumë dhe fillojnë ta quajnë gënjeshtar. 

Babai bie në depresion dhe një ditë prej shumë vuajteve dhe mundimeve ai vdes. Pas tij vdes edhe nëna. Kështu që djali mbetet i vetmuar, i shtypur nga të tjerët dhe nuk i afrohet më asnjëherë ujit. Djali fillon ta urrej babain që e kishte lënë në vetmi në këtë jetë të tmerrshme dhe poshtëruese. 

Pas një kohe të gjatë, djali takohet me një vajzë dhe dashurohet në të, por akoma e mban inatin dhe urrejtjen me babain. Një ditë ai futet në det dhe duke notuar i shfaqet një balenë. Nga ajo dëgjohet zëri i babait duke i kërkuar falje djalit. Kështu e dashura e tij e motivon atë që të notoj rrugën qe nuk arriti ta kalojë babai. Kështu ai vendos ta bëj këtë hap te madh, ta sfidoj babain e tij.

Rruga që merr djali nuk dallon aspak nga e babait dhe ka të njëjtat vështirësi e dhimbje. Sado që dorëzohej gjatë notimit, zëri i babait i ndihmonte të vazhdonte. Djali arrin tek caku dhe e kupton se babi i tij e kishte tejkaluar gjithë këtë rrugë dhe se nuk e kishte gënjyer askënd.

Me të kuptuar këtë, djali i kërkon falje babait të tij, ndërsa narracioni përfundon me “Të dua baba”. Ky film thekson se kudo që janë prindërit tonë, ata janë çdoherë me ne, brenda nesh!

 

“And Yet We Are Not Super Heroes” – Lia Bertels 

Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta!

Një film i animuar në regji të Lia Bertles sjellë rrëfime interesante nga filozofet e vegjël, me një atmosferë shumë të bukur dhe muzikë që të bën të pushosh shpirtin duke dëgjuar fëmijët e në shumë raste edhe veten tonë deri sa ishim të vegjël.

Filozofet e vegjël i ndajnë mendimet e tyre në një rrugë të gjatë ku bisedojnë për gjithçka; një imagjinatë e mrekullueshme me tema të ndryshme që vetëm fëmijët mund t’i flasin.

Duhet kohë për t’u rritur dhe ndonjëherë të gjithë e kanë pyetur veten se a ja vlenë të rritemi apo të qëndrojmë përgjithmonë të vegjël, te sinqertë e me zemër te madhe? Fëmijët e kanë durimin të lëvizin ngadalë me ritmin e tyre, ndërsa rrugës duke u rritur bëjnë pyetje dhe vetë i shpikin përgjigjet duke e përdorur vetëm imagjinatën.

Në këtë film dëgjohen zëra të ndryshëm fëmijësh dhe filmi përshkruan udhëtimin e imagjinatës së fëmijërisë nga një film i vizatuar që quhet “Road Movie”. Një udhëtim me plotë surpriza, dyshime dhe gëzime.

Filmi fillon me një bisedë mes një fëmije dhe një të rrituri ku përgjigjet e fëmijës janë shumë të sinqerta. Imagjinatat e tyre mes fantazisë dhe realitetit janë shumë të afërta, ndonëse ata nuk duan të jenë në një film ku ka luftra. Ata kërkojnë të dalin jashtë atyre filmave dhe te vazhdojnë rrugëtimin e të shëtitën në imagjinatën e tyre mes planeteve, rrugëve dhe universit…

Njëri nga fëmijët do që të bëhet elektricist pasi që dëshiron të bëj gjëra më teknike. Ai gjen lumturi e argëtim në lidhjen e telave për të ndezur dritën. Ata janë çdo herë në kërkim të dritës – errësira i pengon. Drita për fëmijët është bota dhe çdo gjë që shikohet është e bukur.

Një milingonë me një zë fëmijë na tregon se kur jemi të vegjëli çdo herë habitemi pse bota është e madhe, kurse kur rritemi ne habitemi pse bota është e vogël, pastaj ne vazhdojmë e komunikojmë e diskutojmë edhe për planetët. Të gjithë do rritemi një dite, të gjithë fëmijët do bëhen më të moshuar, kurse për një milingonë asnjëherë nuk kuptohet se kur është e moshuar e kur jo?

Aventurat e tyre vazhdojnë me një rrugë pa kthim, deri sa një ditë të gjithë të rriten.

 

5.“The Passerby“ – Pieter Coudyzer 

“Unë jam duke të pritur Tomas, ku je, lajmërohu?!” – Një histori e errët dashurie, ku vajza e pret djalin që nuk shfaqet asnjëherë. Një kalimtar rasti e sheh ngjarjen tragjike që i ndodh Tomasit. Vajza nuk e di, kurse kalimtari e kupton historinë e dhimbshme të tyre.

Një ditë e bukur me diell, Tomasin nuk e zgjon alarmi por nëna e tij. Kuadri hapet me sytë e Tomasit, sy me plotë shkëlqim e dashuri. Sado që Tomasi mundohet të koncentrohet në detyrat e tij, në tavoline e ka një vizatim, që është portreti me i bukur që ai e mban kudo që shkon. Janë sytë e bukur të vajzës me emrin Karen që e shpërqendrojnë.

Ndërkohe i bie telefoni, është ajo Karen, që e fton të dalin bashkë. Tomas bëhet gati dhe takimin e caktojnë tek ndalesa e autobusit. Tomasi merr biçikletën dhe niset i lumtur që të takohet me Karen. Gjatë rrugës, rrota e biçikletës së tij sillet shumë shpejtë. Fokusohemi aty sikur të shohim botën që sillet rreth boshtit të saj, por diçka e papritur ndodh. 

Tomasin e godet makina. Jeta e tij ndalet, rrota biçikletës nuk sillet. Ajo ndalet bashkë me jetën e Tomas në këtë botë. Por, kamera nuk ndalet dhe vazhdon të ec, pasi që ishte vetëm jeta e Tomas që mori fund, kurse të tjerët vazhdojnë të jetojnë, me një kuadër të pa ndërprerë ashtu siç është jeta. Kamera vazhdon dhe shkon tek ndalesa e autobusit, aty ku është dashur të ndodh takimi i Tomas dhe Karen.

Mirëpo tek ndalesa a autobusit e ka shtëpinë edhe një person tjetër. Është shtëpia e djalit me biçikletë, apo siç e njohim ne si kalimtari. Ai del nga shtëpia, merr biçikletën dhe niset në drejtim nga ku ishte duke ardhur Tomas. Ne tani më e shohim gjithë ngjarjen përmes këtij kalimtari. Shohim atë që Tomas na ka njoftuar më herët dhe tani mbetet vetëm e kaluara e tij në këtë bote. 

Njerëzit janë mbledhur, policia, ndihma shpejtë, familjarët. Është bërë një rrëmujë sa edhe qielli është prishur dhe fillon të bie shi. Nga një dashuri u krijua një dhimbje e madhe. Çdo gjë ka ndryshuar. Një histori dashurie mbaroi aty ku u ndaloi rrota e biçikletës, ndërsa vazhdon një histori tjetër me një biçikletën e kalimtarit. Rrota e biçikletës së kalimtarit sillet shpejtë dhe vazhdon të ec. Pasi kalimtari kthehet në shtëpi, aty jashtë shtëpisë se tij e shikon një vajzë duke pritur tek ndalesa e autobusit, ajo është Karen në vendin ku e kishte lënë takimin me Tomas, por Tomas nuk është më, kurse Karen po e pret e vetmuar, pa e ditur se çfarë ka ndodhur me Tomas… 

Kalimtari ndihet i mërzitur sa në sytë e tij shohim dëshpërim dhe mërzi. Këta dy djem që nuk kishin asgjë të përbashkët, tani më për ta nuk do të ishte asgjë e njëjtë.

Ky tregim shumë i thjeshtë por i konceptuar me një formë shumë të veçantë, i detajuar në çdo pikë e nga çdo kënd dhe çdo personazh, por edhe muzika e këtij filmi që është zëri, jeta dhe dashuria, emocioni dhe dhimbja, përfundon me dhimbje ashtu siç përfundon çdo jetë!

Article Image

Ibër Deari biografi:

Ibër Deari është regjisor, producent, i lindur në 1990, në Maqedoni. Ai është i njohur për filmat e tij fitues të çmimeve: My City Screams (2015), Toka (2016), A Long Way Home (2017). Ai gjithashtu ka qene regjisor dhe skenarist ne një numër videosh të shkurtëra dhe dokumentarë. Ibër Deari ka studiuar në Shkollën e Filmit në Universitetin e Arteve Audiovizuale “ESRA” në Shkup. Ai u diplomua në vitin 2013 me filmin “Rrëfimi i fundit”. Deari fitoi Masterin e tij të Arteve në Departamentin e Drejtimit të Filmit me filmin “Toka” (Land) dhe tezën “Të filmosh apo te mos filmosh”. Iber Deari është fituesi i çmimeve të shumta prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Artistin më të mirë në Maqedoni nga Milingona e Artë; cmimin e Audiencës për Filmin më të Mirë për “Rrëfimi i Fundit” në Javën e Filmit Shqiptar në New York në Manhattan dhe fitues i “Excellence in Leadership Award” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në New York në Manhattan.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related