4 vjet më parë

Hasnije Ilazi: Gara Ndërkombëtare II

Hasnije Ilazi

Tema e edicionit 2020 të festivalit të filmit animuar Anibar titulluar “HUMANS” shfaq  preokupinim e sotëm të njeriut për mbijetesën e individit brenda krizave të jetës bashkëkohore neomoderne, në përpjekjen e ruajtjes së vlerave humane.  Përveç raportit të ri ndaj vetes, njeriu i sotëm vendoset në raporte të ndryshuara intersubjektive dhe me mardhënien specifike me botën natyrore. 

Ndryshimet nëpër të cilat kalon bota në kulmin e saj teknologjik dhe shkencor dhe në mbylljen e saj brenda asaj që e njohim si “bota jonë”  ka stimuluar kreativitetin,  ka zgjuar  shqetësime nga e panjohura e pasigurtë, dhe e ka ngritë pikëpyetjen mbi pronësinë (individuale apo kolektive) të ndryshimeve.

Filmat në Kategorinë e Garës Ndërkombëtare në përgjithësi kanë treguar ballafaqimin individual të autorëve me sfidat e raporteve ndërnjerëzore, shoqërore dhe sfidat e përballjes me efekte anësore të progresit.

Filmi i animuar “Acid Rain shfaqë jetën e rëndomtë e të rinjëve në kohën e sotme, në të cilën nga raportet e të rinjëve  zhduket  formaliteti, duke i kapërcyer limitet e një realiteti të obligueshëm. Personazhet janë tipike bashkëkohore në lirinë e tyre, liria e cila në momente të caktuara arrinë shfrenimin kozmik. Largimi nga “civilizimi” dhe përbuzja e tij shfaqet përmes ndryshimit të personazhit kryesor (vajzë), jo vetëm në pamjen e  jashme por edhe si personalitet në një ambient natyror. Personazhi identifikohet me një koloni të të rinjëve të rebeluar dhe përjeton rrezikun dhe pasojat e rebelimit. Fundi e kthen shikuesin brenda kornizave shoqërore, të shfaqura përmes një burgu, ku personazhi kryesor është vizitor i jashtëm, ndërsa i kthehet lirisë përmes ikjes nën refleksionin e universit të përsëritjes të së njëjtës brenda një pelgu me ujë.

Në 25 minuta të filmit, përmes vizatimeve që pasqyrojnë fytyra të rrepta dhe brutale të njerëzëve dhe natyrën e butë dhe të shumëllojshme, dhe përmes muzikës dhe ngjyrave që japin të vetmin optimizëm brenda filmit, autori ka arritur që në mënyrë artistike të paraqesë shoqërinë dhe individin e sotëm në përpjekje për largimin, qoftë edhe fragmentar nga realiteti i pashpresë.

Filmi i animuar “Out of Bounds shoqërinë e sotme e paraqet si një video lojë brenda së cilës janë rregulla strikte. Në momentin kur ndryshojnë rolet që i mbajnë këto rregulla të gjalla, individi futet në një botë të përmbysur ku në mënyrë fanatike kërkon kthimin në “të njohurën e humbur”. 

Pjesa dominuese e animacionit është e mbushur me thirrje zënore, mesazhe, pak a shumë stereotipe, për thyerjen e barrierave dhe kornizave, me pyetjet ekzistenciale mbi jetën e individit në kufirin e detyrimit. Thënia e fundit “së paku mund të provoj” shfaqë besimin e autorit në përjekjet si proces, dhe orientimin e tij nga veprimi dhe jo domosdoshmërisht nga rezultati.  

Ideja udhërrëfyese e filmit, e realizuar përmes video lojës nuk tregon shumë origjinalitet (pasi thirrjet për tejkalimin e kornizave dhe mendimin ndryshe janë tipike për periudhën e globalizmit), por është me vlerë mënyra e realizimit të idesë duke pasë parasysh se si tërësia edhe vetë filmi është sipërfaqje e realitetit të kornizimit nga të arriturat kryesore të njerëzimit: teknologjia dhe ideologjia.

Animacioni “Time of Signs”, autori ka arritur që në vetëm 8 minuta dhe 36 sekonda të paraqesë thelbin e botës njerëzore, veçanërisht të sotmes. Varësia absolute e njeriut të sotëm nga rutina e përditshme e paracaktuar jo nga vet ai, në të cilën individi është vetëm një pjesë e zëvendësuseshme e makinerisë  kontrolluese, shfaqet  përmes simboleve të mekanizmit vlerësues. Individi është i vendosur brenda kërkesave të shtuara dhe pritjeve mbyetëse të shoqërisë përmes karrierës,  të arriturave dhe ambicieve që e kanë larguar tërësisht personin nga bota reale, e kanë shkëputur lidhjen e tij të drejtëpërdrejtë me natyrën, dhe e kanë  tjetërsuar nga vetja. Bota funksionon ashtu siç është e interpretuar nga procesi, progresi dhe jo si është në të vërtetë  dhe në  përjetimin  individual. Fundi është fatal.

Kombinmi i vizatimit me efekte potencuese dhe rritjen e presionit të cilin pothuajse arrijmë ta përjetojmë edhe ne shikuesit, i jep filmit jo vetëm vlerën artistike por edhe kuptimore.

Filmi i animuar “Average Happiness trajton varësinë e mendësisë së sotme nga statistika. E tërë jeta e njeriut është shëndërruar në përqindje, tabela, analiza dhe krahasime. Individi është i humbur brenda numrave dhe grafikoneve. Në këtë mënyrë trajtohet edhe lumturia, e cila tanimë nuk është as kategori etike, as përjetim individual por një mesatare. Absurditeti i mesatares (e cila paradoksalisht, duhet potencuar, pasqyron numrin më të vogël të njerëzëve) e udhëheqë njeriun dhe shoqëritë sot. 

Kombinimi i ngjyrave dhe muzikës shton efektin e një harmonie pezull brenda vet animacionit.

Filmi i animuar “Sh_T_Happens pasqyron jetën e një individi të rëndomtë në një komunitet të rëndomtë. I preokupuar me detyrime të përditshme, jeta dhe njerëz të afërmë avullohen nga jeta e individit. E vërteta e padëshiruar dhe mashtruese do të shfaqet në fund duke e fundosur anijen e madhe të iluzionit, së bashku me simbolin e paqes.

Vlera e veçantë e këtij animacioni qëndron në llojllojshmërinë e personazheve dhe kombinimin e panatyrëshëm të tyre, ndërsa ky kompozicion është parakusht i domosdoshëm për realizimin e idesë fillestare, gjë për të cilën autori është më se i vetëdijshëm. 

Article Image

Hasnije Ilazi biografi:

Hasnije Ilazi është ligjëruese në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet themelore i ka përfunduar ne Universitetin e Prishtinës ndërsa studimet M.Sc dhe PhD i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit për Filozofi. Per një përiudhë ka shërbyer edhe si Shefe e Departamentit të Filozofisë. Puna e saj akademike përfshinë, përveç mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës, dhe publikime të shumta, numër të madh të paraqitjeve në konferenca, seminare, universitete ndërkombëtare dhe vendore, dhe aktivitete hulumtuese. Së fundmi ka publikuar edhe librin e saj te parë Njeriu shumëdimensional”. Aktualisht Hasnije Ilazi është kryetare e Shoqatës së Filozofëve të Kosovës.

 

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related