4 vjet më parë

Gëzim Selaci: Kategoria e Të Drejtave Të Njeriut

Gëzim Selaci

Përmes tetë rrëfimeve të të rinjve nga të katër anët e globit, ky program flet për gjendjen njerëzore duke vënë në pah viktimat e konstrukteve shoqërore në shoqëri shtypëse. Qendra e fokusit është te problemi i shkeljes së të drejtave të kategorive të caktuara gjinore, racore e etnike nga ana e pushteteve shtypëse. Ato kategori janë migrantët, gratë, transgjinorët dhe raca. E përbashkëta e tmerrshme e këtyre pushteteve shtypëse është se ato lëndojnë e vrasin dhe janë të pranishme në shoqëri të ndryshme gjithandej globit. 

Programi ka dimensionin kohor dhe kulturor. Dimensioni kohor zbulohet përmes fëmijëve punëtorë në Anglinë e shekullit XVIII që u rrezikohet shëndeti e jeta në punë; fëmijëve imigrantë nga Siria e shekullit XXI, shpresat e të cilëve për shpëtim kërcënohen nga pasiguria e rrugëtimit të tyre drejt shpëtimit. Dimensioni kulturor ilustrohet me të rinjtë që paragjykohen e diskriminohen si pasojë e kontrukteve shoqërore të racës a gjinisë, që nga në shoqëria shtypëse në SHBA e deri tek ajo në Kroaci.

Jetojmë në epokën e sistemeve ndërkombëtare e kombëtare për të drejtat e njeriut. Këto zhvillime në fushën e vetëdijes njerëzore dhe ligjeve shtetërore e ndërkombëtare, sado të rëndësishme dhe të dëshirueshme të jenë, megjithatë nuk kanë arritur ta mbyllin hendekun në mes të drejtave dhe lirive të njeriut si ide e ligj, në njërën anë, dhe si etikë që rregullon marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe si marrëdhënie legjitime ndërmjet shtetit e qytetarëve të tij, në anën tjetër.

Siç ilustrohet edhe në këtë program, kategori të ndryshme të njerëzve janë të përjashtuar nga garantimi i të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Ky program synon të ofrojë një hapësirë joformale për edukimin sentimental përmes artit për të drejtat e njeriut me qëllim për të edukuar e ngritur vetëdijen njerëzore për një kulturë që në thelb ka respektimin e të drejtave të njeriut.

Tematika e filmave i thëret ndërgjegjjes njerëzore dhe aftësisë njerëzore për dhembshuri. Kështu, arti bëhet një medium që luan një rol të pamohueshëm në zgjimin dhe ushqimin e një prirje fisnike njerëzore, siç është dhembshuria për tjetrin që nuk është si ne. Arti filmik troket në dyert e ndërgjegjjes njerëzore dhe i thërrasin emocionit njerëzor në mënyrë që njerëzit në gjendje më të mirë e më të privilegjuar ta vëjnë veten në lëkurën e atyre në gjendje më të keqe dhe në disavantazh. 

Ideja për të drejtat e njeriut, si ideal, përbën vegël politike në duart e të shtypurve, të përjashtuarve, të rrezikuarve dhe të margjinalizuarve të shoqërisë. Është një ideal që orienton aspiratat dhe përpjekjet tona për një shoqëri të drejtë e të emancipuar. Me fjalë të tjera, ideali i të drejtave dhe lirive të njeriut është një agjendë e aktivizmit politik dhe kauzë për mobilizim politik.

Article Image

Gëzim Selaci biografi:

Gëzim Selaci është ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka studiuar Sociologji dhe Teori politike në Prishtinë, Londër dhe Budapest. Specializimi i tij ka të bëjë me legjitimimin e pushtetit dhe ndërtimin e shtetit. Interesimi i tij përqëndrohet tek politika dhe pushteti në shoqëri nga perspektiva ndërdisiplinore dhe shtrihet tek të kuptuarit e pranimit/mospranimit të autoritetit, dinamikës së identiteteve kolektive, si dhe aktivizmit politik.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related