4 vjet më parë

Fjoralba Miraka: Gara Ndërkombëtare I

Si mënyrë për të reflektuar mbi kohërat e vështira që po përjetojmë për shkak të pandemisë COVID-19 më 2020, Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, organizuar nga Anibar, po përqendrohet në edicionin e 11-të tek Njerëzit, atë element që na karakterizon si njerëz dhe mënyrën se si ne bashkëveprojmë si njerëz. Në kategorinë e filmit ndërkombëtar qëndrojnë pesë filma nga regjisore të reja, duke përfaqësuar katër shtete: Francën, Gjermaninë, Brazilin dhe Rusinë. Secili film ofron një përvojë vizuale të punës së disa animatoreve interesante dhe të talentuara, të cilat i afrohen publikut me mjeshtëri dhe kreativitet për të treguar historitë e tyre. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e këtij programi.

Symbiosis

Me një pikëpamje të sinqertë për marrëdhëniet njerëzore dhe me një përkushtim për përfaqësim autentik, animatorja hungareze Nadja Andrasev na tregon historinë e një gruaje të tradhtuar nga bashkëshorti, e cila fillon të hetojë gratë e tjera në jetën e tij dhe gradualisht bëhet kurioze për to. Si mund të bashkëjetojë njeriu me një bashkëshort të pabesë? Si qëndron njeriu në një martesë me kaq plot njerëz? Këto janë pyetjet që lindin nga kjo histori tradhtie dhe marrëdhënie njerëzore e dështuar. Mjedisi urban është elementi kryeson i tregimit, një vend tjetërsues ku të gjithë jetojnë së bashku në vetmi, tradhti, dhe zhgënjim emocional.  Filmi tregon historinë në terma minimaliste dhe është estetikisht ambivalent: nga njëra anë kemi hapësirën urbane të errët, të vetmuar dhe trishtuese, dhe nga ana tjetër personazhe disi më të gjallë. “Symbiosis” është një film premtues me gjashtë fitore dhe disa nominime në festivale të ndryshme ndërkombëtare. 

Sheep, Wolf, and a Cup of Tea

E frymëzuar nga përvojat e saj duke parë gjyshen e vetë në rutinën e saj të darkës para gjumit, animatorja Marion Lacourt na sjell një botë të bukur dhe abstrakte të fantazisë dhe ëndërrave, ku pavetëdija merr një ton të errët dhe krijon imazhe izolimi dhe arratisjeje në të njëjtën kohë. Filmi mund të thuhet se kufizohet me groteskun dhe herë-herë zhvendoset në një super-realitet, ose surrealitet, që tregon rutinën e një familje para gjumit të darkës, nga perspektiva e fëmijës, para se të zhytet plotësisht në botën e ëndërrave ku fëmija e gjen veten të fuqizuar, i lirë nga realiteti dhe normat shoqërore që i mbajnë njerëzit të nënshtruar. Lacourt ka sjellë në jetë këtë histori ëndërrash kryesisht përmes përdorimit krijues të dritës, ngjyrave, dhe efekteve zanore që krijojnë një atmosferë frike por dhe admirimi. 

Flesh

Pesë gra secila me historinë e saj, pesë animatore me stile të ndryshme, dhe një regjisore me një vizion unik, të gjitha bashkohen për të na treguar një histori të fuqishme në këtë film që korrigjon keqpërfaqësimin e grave në media dhe synon të kapërcejë një mesazh të qartë për larminë e identitetit të gruas në mënyrë viscerale. “Flesh” është filmi debutues i regjisores Camilla Kater dhe po impresionon publikun nëpër festivale ndërkombëtare për shkak të temës e guximshme që po trajton si dhe për teknikën që ajo përdor për ta zhvilluar atë në imazhe. Ky film “profil” dhe zhvillimi i tij vizual e krijon një metaforë akute për fazat e ndryshme të jetës së një gruaje – duke filluar nga përvojat e hershme të vajzërisë deri tek përvojat e mëvonshme të menopauzës – dhe na ofron zërat aktual të personazheve kryesore. Kjo i jep filmit një sens autentik të jashzakonshëm dhe krijon një efekt të menjëhershëm tek spektatori. 

Just a Guy

Duke marrë titullin nga një frazë që vrasësi serial Richard Ramirez përdori në një intervistë, “Just a Guy” është një film që fokusohet jo tek personazhi i Ramirez por tek disa nga gratë që ishin lidhur romantikisht me të – midis tyre dhe regjisorja e filmit “Shoko Hara” e cila shkëmbeu me të vetëm një letër. Megjithëse është një film dedikuar dashurisë, siç pretendon regjisorja, është edhe një histori e egër që hedh dritë mbi motivet e grave për vendimet e tyre që të lidhen me vrasësit, sesa vetëm për zemërimin dhe zhgënjimin e Ramirëz, zemërim ky që e shtyu atë të veprojë ashu siç veproi duke kryer mizoritë për të cilat u dënua. Duke kombinuar kolazhin dhe materialin arkivor me një ndjenjë energjie misterioze si dhe sensuale, filmi demitologjizon viktimizuesin dhe humanizon gratë që u lidhen me të gjatë kohës sa ka qenë i burgosur, duke i dhënë atyre zë të flasin dhe të tregojnë të vërtetën e tyre para se të etiketohen si gra të pamoralshme ose të devijuara. Një “dokumentar” i rrallë që kulmon me bashkimin e regjisores me personazhet e filmit të saj në një kuadër sikurse filmi arrin fundin. 

Urban Goat

Kjo është një histori e thjeshtë në lidhje me të qenit i ri në një mjedis rural dhe tradicional, dhe çdo të thotë të mesosh të jetosh në të. Në një nivel tjetër filmi përcjellë një mesazh dytësor për realitetin dhe dashurinë: nëse ndjek fantazinë e dashurisë së përsosur dhe nuk vlerëson realitetin pavarësisht sa zhgënjyes mund të duket, nuk mund të dallosh atë që është në të vërtetë i lidhur emocionalisht me ty. Filmi ka një histori të drejtpërdrejtë me disa momente humoristike të cilat e bëjnë më humane (edhe pse tregohet në personazhe kafshësh!). Personazhi kryesor, një bricjap nga qyteti, arrin në këtë mjedis të ri dhe largohet përsëri pa aritur të krijojë asnjë lidhje të vërtetë, i zhgënjyer nga realiteti rural i cili nuk i përshtatet idesë së tij për botën ideale. 

 

Article Image

Fjoralba Miraka: Biografi

Fjoralba Miraka është një studiuese e filmit të Hollivudit në vitet e Rilindjes (në fund të viteve 1960 – mesi i viteve 1970) dhe kandidate për doktoratë në Fakultetin i Medias, Gjuhës, dhe Kulturës të Universitetit Roehampton në Londër ku ajo herë pas here ofron leksione. Ajo mban një Master në Letërsinë dhe Kulturën Amerikane si dhe një Bacelor në Gjuhën Angleze, të dy dimploma nga Universiteti Aristotel i Selanikut, Greqi. Në vitin 2020 kapitulli i saj mbi historinë e Teorisë Feministe së Filmit do të botohet në Enciklopedinë e parë Ndërkombëtare të Gjinisë, Medias, dhe Komunikimit nga Wiley Blackwell. Gjithashtu, botime të ardhshme përfshijnë një kapitull mbi regjizorin Martin Scorsese dhe Melodrama (nga Bloomsbury Academic) dhe një kapitull mbi Marcia Lucas (nga Rutgers University Press). Aktualisht Fjoralba është duke zhvilluar një propozim libri për Edinburgh University Press mbi jetën dhe filmat e Xhanfize Kekos. Ndërkohë, ajo paraqet subjektet e saj për studime të mëtejshme në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Related