4 vjet më parë

Fation Kryeziu: Kategoria e Video-Animacioneve Muzikore

Fation Kryeziu

Në videon “Don’t Die”, elementet e animuar ndërfuten në realitetin e skenës në një performancë muzikore të një grupi muzikor prej 4 vajzash. Njëjtë siç ndërthuren animacionet e engjëjve dhe djave në kokat e tyre, ashtu përzihen edhe skenat surreale me djaj në varreza. Me gjithë mistikën që mbështillet jeta përtej varrit, ajo na shfaqet si një formë po aq premtuese dhe argëtuese me djaj qe luajnë në kitarë muzikë rok midis flakëve. Titulli “Don’t Die” është një proklamim po aq paradoksal duke fshirë kufirin midis jetës dhe vdekjes, realitetit dhe ëndrrës, duke na shtyrë të mendojmë nëse ferri që njohim ekziston vetëm në mendjen tonë.

Videoja “Every Feeling”, nëpërmjet një gjuhe vizive minimale dhe ritmit të ngadaltë të disa prej aktiviteteve ditore, synon të rrokë thjeshtësine dhe qetësine e munguar. Ndërsa te “Hummingbird”, manifestohet solidariteti njerëzor në momentetet e vështira si dhe bashkëjetesa me natyrën përmes nje teknike animimi tejet interesante me elemente të kulturave indigjene të trupëzuara në negativin e siluetave humane.

Tek “The Turning Point”, qenia njerëzore këtë herë gjendet përballë rrezikut flagrant të shkatërrimit të çdo ekosistemi si pasojë e konsumerizmit të pafre që ka ngërthyer kafshët. Përmes kësaj metafore domethënëse të raportit të përmbysur të marrëdhënieve të njeriut me natyrën, ngrihen dilema të mëdha morale dhe etike mbi epokën e hiperkonsumit të të mirave materiale dhe prodhimit të tyre, duke theksuar edhe rrezikun global që i kanoset jetës së gjallë në Tokë. Urbanizimi i skajshëm, jeta e automatizuar dhe sistemet shtypëse që krijojnë pabarazi po e kthejnë njeriun në qenie që e ka të pamundur ndërgjegjësimin.

Filmi “Birds”, me ngjyrat dhe imazhet popart i dedikohet një historie të shkuar sentimentale ku çdo element i peisazhit urban sjell kujtime te pranisë dhe njëkohësisht edhe mungesës së njeriut që fluturon dhe largohet duke hequr një paralele midis tyre dhe zogjve. Edhe videoja që e karakterizon “Atlantic Perfumes”, eksploron temën e lirisë përmes analogjive me zogjtë dhe natyrën. I mbyllur në kafazin jofizik, njeriut i duhet të fluturoj për të qenë i lirë.

Më tej, “Garnet Graves” është një video psikodelike me efekte kaleidoskopike dhe ngjyra neon si një mundësi për te paraqitur imazhe rastësore të nënndërgjegjes. Gjithashtu, “The Closing Door” që është një video bardh e zi, përmban efekte psikodelike dhe peisazhe metafizike të dyerve që hapen e mbyllen ndërkohë që silueta e njeriut me kapelë ecën në dimensione dhe simbolika të objekteve që fluturojnë rreth tij. “Facing Water” ndërkohë është një video art që nis në dushin e shtëpisë dhe zhytet në thellësitë e ujërave të detit me pajisje polumbari. Kjo video i dedikohet një jete të humbur në det.

“Violin Tsunami” i referohet burgosjes se 120 mijë qytetarëve me origjine japoneze në Amerikë më 1942 gjate Luftës së Dytë Botërore. Videoja me ngjyra akuareli ilustron ngritjen dhe rrethimin me tela të kampeve të internimit pa shfaqur trupa njerëzore në asnjë çast, por vetëm xixëllonja në formën e ndërtesave, që pasi pushojnë së ekzistuari ngrihen drejt qiellit.

Një tribut plot ngjyra i kthimit në natyrë paraqitet në “Mountain”, ku animacioni 3D herë me forma abstrakte e herë me evokimin e elementeve të natyrës në shkëmbinj, ujë e qiell, ndjek rrugëtimin e një udhëtari që shkrihet një me natyrën.

Në “Summer Nights”, katër të rinj kalojnë rrethimin e një ndërtese të braktisur për të përjetuar lirinë e të vepruarit fshehur syve të botës që i rrethon. Aty janë zot të hapësirës fizike por edhe pertej saj. Por ky objekt nuk do të jetë i vetmi që do të shkelin. Diku fshehur mes pemëve dhe ujit do të gjenden edhe shumë kujtime të lojërave të femijërisë.

“All i Knew” në ngjyra pasteli, rrëfen sfidat e përditshme të jetës në getot amerikane ku alternativa e vetme për mbijetesë është krimi, ndërsa “Christmas Morning’’ rikrijon në 3D atmosferën e Krishlindjes dhe domethënien e saj në raportet familjare.

‘’Yoshitoo – Oto no naru houe” dhe “Pudesse Eu’’, priren të krijojnë forma dhe imazhe gati abstrakte dhe rekreative si bashkëshoqëruese të tingujve muzikore të videove përkatëse.

Të gjitha videot e mësipërme prekin në thellësi të ndryshme raportet e njeriut me të tjerët, natyrën dhe sidomos me veten e tij. Sigurisht theksi vihet në ndjenjat dhe fenomenet më sublime si liria dhe solidariteti duke e kthyer kultivimin e tyre në detyrë jo vetëm morale, por edhe në parakushtin e ekzistencës në formën e saj më të lartë.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related