4 vjet më parë

Eroll Gashi: Gara e Studentëve III

Eroll Gashi

“The Storm“

Në Kategorinë e Garës së Studentëve shpalosen disa filma që trajtojnë në mënyrë lakonike aspekte dhe probleme të ndryshme të jetës së njeriut. Filmi “The Storm“ (origjinal: La Tempête – shq. Stuhia) i Astrid Guinet, e shpërfaq dramën martesore të një gruaje të cilën e lë burri i saj. Në tryezën e kuzhinës, burri papritur lëshon lugën dhe ia mbath përjashta, duke e lënë gruan e re nën mundimin e vetmisë dhe presionin social, i cili shfaqet në formën e ligjërimit konservator të nënës së saj. I gjithë filmi përshkohet prej detajesh që paralajmërojnë stuhinë. Ndonëse zëri i nënës konservatore e paralajmëron se sa e rrezikshme është liria, vajza del nga shtëpia që i imponon vuajtje e presion dhe shfaqet e çliruar duke dëfryer mes vajzash. Këto momente çlirimi autori i përzien me pamje të një sorrollatjeje nëpër mal, një prekje që e shfaq lirinë e vajzës sipas botëkuptimit të nënës konservatore, për të cilën liria e vajzës s’është tjetër veç një mal plot rreziqe dhe të panjohura.

Entropia”

Filmi “Entropia” i artistes hungareze, Flóra Anna Buda, përshkohet prej një loje të gjallë ngjyrash të ndezura dhe një kolone zanore me motive distopike. Filmi i ka për personazhe tre gra, në tre ambiente paralele sociale. Seksualiteti femëror e përshkon paraqitjen e personazheve. Gruaja e parë paraqitet në egërsi, ku ajo vihet në gjuetinë e një dreri. Gruaja e dytë shaqet në ambiente të botës së sotme, të cilin filmi e paraqet me motive konsumeriste. Në një ambient distopik shfaqet gruaja e tretë, e cila është e ngujuar në një dhomë, muret e të cilës janë ekrane që shfaqin zogjë tek fluturojnë ndërsa gruaja vrapon në një trakë vrapimi. Ky paralelizëm në një moment bie. Gradualisht të tria gratë përfundojnë në të njëjtin vend, ku shpërthejnë në një marrëdhënie pasionante seksuale.

Umbilical

Mund të thuhet se emancipimi gjinor është një ndër betejat kryesore politike të këtij shekulli. Kjo betejë politike është e përfaqësuar edhe në artin e këtij shekulli. Filmi “Umbilical” i regjisores kinezo-amerikane, Danski Tang, e shoqëron me animacione kuptimplota dialogun mes një nëneje kineze dhe bijës së saj lesbike. Dialogu përban rrëfenja të fuqishme si nga nëna, e cila flet për jetën e saj me një burrë të dhunshëm në një shoqëri që gruan e ngarkonte me barrë më të rëndë prej jetës seksuale deri te ajo martesore e shoqërore, ashtu edhe nga vajza, e cila është e rritur në një konvikt vajzash ku kishte përjetuar bulizëm dhe kishte zbuluar orientimin e saj seksual që binte ndesh me normat morale të shoqërisë.

In Orbit

Një element i rëndësishëm në jetën e njerëzve është edhe trauma që mbetet prej ngjarjeve të caktuara të jetës dhe ndjenja e fajit që ato lënë tek individi. Këtë aspekt e trajton filmi futurist “In Orbit” i një grupi studentësh francezë. Në një stacion hapësinor futurist, Sonia, personazhi kryesor i filmit, së bashku me ngritjen në karrierë, përjeton traumën dhe ndjenjën e fajit për humbjen e shoqës së saj në aksident jashtë stacionit hapësinor. Krahas realitetit festiv të stacionit, mendja e saj i prodhon vazhdimisht pamje që ia kujtojnë ngjarjen e kobshme. Fjalët e kolegut të saj, i cili vazhdimisht e thërret që ajo të shikojë përpara, përfaqësojnë ngushllëimin e pafuqishëm të njeriut që zgjedh t’i mbetet besnik krijimeve mendore të traumës.

Sola

Filmi “Sola” i regjisorit hungarez, Zoltán Debreczeni, e jep një perspektivë tjetër të përjetimit traumatik të vendit të punës. Në një zyrë të rrëmujshme, një grua e re përballet me komplekset e saj dhe bulizmin e kolegëve për një gungë në kokën e saj. Në mënyrë mjeshtrore vihet në pah dyzimi mes zhvillimit të gungës në mendjen e saj, ku ajo bëhet një botë në vete, ndërkohë që në realitet ajo mbetet e njëjta derisa zhduket. Gjithçka që mbetet është kujtimi traumatik i saj, që mbetet si një fotografi, e cila e paraqet gungën si një person në kujtimin jetësor të gruas së re.

GNT

Rrjetet sociale shpeshherë konsiderohen edhe si prodhuese të asgjësë prej asgjëje. Filmi “GNT” i regjisoreve, Sara Hirner dhe Rosemary Vasquez-Brown, e shfaq këtë perspektivë në mënyrë mjeshtërore në paraqitjen e personazhit të saj, Glen, që është një vajzë me ambicie për të ‘shpërthyer’ në rrjete sociale. Glen hyn në botën e hashtagut “#thrush” dhe del prej saj si e mbijetuar në një emision të një doktori qesharak. Mungesa e ndonjë rrëfimi domethënës nga kjo mbijetesë, kompenzohet me plasimin e një produkti, një gjë që është shumë e pranishme në rrjetet sociale.

Helfer

Filmi surrealist “Helfer”, i regjisores Anna Szöllösi, e trajton një grua që përballet me ankthin dhe tmerrin e ndjenjës së mbytjes në ujë gjatë gjumit. Ajo paraqitet para një njeriu, që aludohet si njeri që ofron ndihmë për dalje nga një gjenjde e tillë. Ndërkohë, gruaja i kërkon atij pavdeksinë, ai i ofron një dalje të volitshme nga gjendja. E gjithë pjesa luhet në një lojë surreale të dominuar nga uji. Sipas regjisores, filmi është luajtur prej njerëzve të vërtetë, para se të animohej. Ngjyrat e animacionit janë zgjedhur që t’u ngjajnë vizatimeve në vazot prej porcelani të stilit kinez. Gjendjet mendore në një formë interesante i trajton edhe filmi “Our Sleeping” i regjisores, Ászity Boglárka, ku shpalosen shprehitë e fjetjes së familjes së saj. Një narracion që shpalos frikërat dhe shprehitë e gjumit të të gjithë anëtarëve të familjes, shoqërohet me skena dhe shënjues të këtij rrëfimi.

Article Image

Eroll Gashi biografi:

Eroll Gashi është politolog. Ka mbaruar studimet Bachelor në shkenca politike në Universitetin e Prishtinës dhe vijon studimet ndërdiciplinare MA në Universitetin e Siegenit në Gjermani me fokus në perspektivat historike dhe bashkëkohore mbi kulturën politike dhe pabarazinë sociale. Ka qenë  aktivist dhe bashkëthemelues i Klubit Politik të Studentëve në Prishtinë.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related