4 vjet më parë

Dritan Dragusha: Gara Ndërkombëtare III

Dritan Dragusha

“Mr. Mare”

Interpretimin i veprave artistike çdoherë është një sfidë, sepse koloriti që bartin ato shprehin edhe vetë kompleksitetin e artit. I të njëjtës natyrë është edhe filmi i animuar “Mr. Mare” i regjisores Luca Tóth. Filmi nis me zhvillimin e një trupi shumë të vogël brenda trupit të një njeriu të madh, prandaj në fillim filmi duket disi i paqartë, mirëpo, gjatë zhvillimit sa vjen dhe qartësohet. Ky film është traumatik si në realizim, ashtu edhe në përmbajtje, gjithashtu, përbrenda ka edhe linjën metaforike biblike. Në një moment trupi i vogël del nga kraharori i njeriut dhe fillon ta eksploroj ambientin në të cilin jeton. Ambienti është i pistë, sepse përkujdesja është minimale dhe kështu ky trup i vogël i padukshëm fillon që ta mirëmbaj shtëpinë, të pastroj, të ujis lulet, etj. Pastron vazhdimisht, kurse burri është dikush që vazhdimisht del jashtë e argëtohet dhe kur vjen në shtëpi bën rrëmujë ose shtrihet në shtrat. Metafora e këtij filmi është se njerëzit të cilët përkujdesen për ne dhe rreth nesh, ne jemi të prirur t’i neglizhojmë, madje deri aty sa edhe mos t’i vërejmë. Gjithçka që na rrethon e marrim si të mirëqenë, a në fakt është dikush që ne vazhdimisht e shpërfillim, siç është ai/ajo që merret me ne, na e lehtëson jetën tonë, mirëpo, ne sillemi sikur ata e kanë për detyrë përkujdesin ndaj nesh. Këtyre qenieve ne nuk u japim dashuri, në fakt jemi zhgënjim për ta, ashtu sikurse në filmin “Mr. Mare”, kur në fund ky trup i vogël del jashtë shtëpisë dhe ne do ta kuptojmë vëtëm atëherë kur vërejmë se lulet nëpër saksi janë tharë.

“Mémorable”

Një nga krizat më të mëdha të kësaj kohe apo të epokës digjitale është vetmia, e sidomos tek shtresa e të moshuarve. Po ketë temë e trajton edhe filmi “Mémorable” i regjisorit Bruno Collet, ku personazhi kryesor, Louis, një piktor, vuan nga harresa. Louis është sinonim i një njeriu të dëshpëruar përkundruall aktualitetit kaq shpërfillës. Si piktor në epokën dixhitale, epokë e vrazhdë kjo që nuk të lë shumë hapësirë, Louis është në kërkim edhe të kohës së shukar. Meqenëse vuan nga smundja e Alzhaimerit, Louis nuk dihet sakt se a jeton bashkë me gruan e tij Michelle, apo janë vegimet e tij prej një të çmenduri që kujtoj kohët e shkuara. E shkuara ishte më e thjeshtë, më pak komplekse dhe si e tillë më pak tendosëse për Louis, prandaj, ai fillon që të gjitha gjërave të reja që e rrethojnë në shtëpi,t’u vendosë etiketa që përmbajnë emërtimet e asaj kohe. Mirëpo, në një çast, keto etiketa shpërndahen në ajër duke e bërë një grumbull të madh copëzash emertimesh të harruara, e që simbolizojnë copëza kujtimesh të një të moshuari, i cili në mënyrë permanente lufton me harresën. Në njëfarë forme ky film tregon se njerëzit që vuajnë nga smundja e Alzhajmerit, nuk është se preokupohen se si do te jetë nesër, por është frika e harresës se si ishte dje.

“Story”

Filmi “Story” i regjisores Jolanta Bańkoëska, vë në spikamë problemin më të madh aktual, vetminë e shkaktuar nga varësia dixhitale. Sot bota virtuale e njohur edhe si një rrjet komunikimi social, apo nga mediat sociale, në fakt ka marrë trajtën e asocializimit. Njerëzit janë të kapluar nga vetmia ashtu siç janë personazhet e këtij filmi. Secili jeton në “guacën” e tij të cilën nuk e ka zgjedhur vet, por që i’a kanë paracaktuar rrethanat. Të zhytur në virtualitet e asnjëherë të mishëruar me të, personazhet e filmit “Story” pothuajse vazhdimisht janë në arratisje, mirëpo dëshpërimisht pa sukses përfundimtar. Secili është i zhytur në telefonin e tij dhe të krijohet përshtypja se secili është duke kërkuar diçka, sikur njeriu që kërkon gjënë e humbur, dhe me gjasë edhe personazhet e këtij filmi, të cilët na sjellin ndërmend telefonat tanë, na tregojnë se edhe ne pavetëdijshëm jemi në kërkim të të shkuarës e cila nuk kthehet më.

“The Box”

Personazhi Chloé duket sikur personifikon vet regjisoren Marie-Pierre Hauwelle, te filmi “The Box”. Ky film na paraqet një vajzë të ndrojtur (Chloé), e cila si fillim shpejtë do të niset për rrugë. Aty paraqitet një vajzë e cila në dukje të parë duket se është e preokupuar me të qenit e përpiktë. Mirëpo, që në nisje plani i saj i përpiktë merr një kthesë të paparashikuar, sepse në kutinë e dërgesave gjenë një kuti që është e dedikuar për të, por se nuk thuhet se kush e ka dërguar. Dhe këtu rrëfimi fillon dhe na merr me vete. Kur nis ajo të hamendësoj se kush mund ta ketë dërguar kutinë, shikuesi shumë lehtë do ta zgjidhte enigmën, sepse do ta hapte kutin dhe do të përfundonte ky problem. Mirëpo, Chloé nuk e hap kutinë sepse e kaplon ankthi i të panjohurës. Frika se çfarë mund të ketë aty brenda fillon dhe bëhet e padurueshme sa që gjatë rrugës Chloé bën përpjekje që ta lë kutinë, mirëpo, çdoherë del dikush që ja ndërmend, deri në momentin kur ajo e lë në platformë dhe futet brenda në tren. Rrëmujën që ndodh në platformë, Chloé e shikon e tronditur nga treni, e që e gjithë kjo mund të jetë një vizion i një njeriu që vuan nga ankthi. Gjithashtu, në film paraqitet fryma johumane, ku njerëzit nuk kanë një komunikim normal social, por duket sikur secili jeton në botën e tij, e që në fakt duket si e tillë, sepse realisht është një botë në të cilën jemi të vendosur dhe kjo për njerëzit bëhet më e pasigurt, e thellon ndarjen dhe e rritë ankthin.

“Bela”

Filmi “Bela” i regjisorit australian Nick Simpson, është i bazuar në biografimë e Bela Julesz, neuroshkencëtarit më të famshëm vizual të Hungarisë, i cili prodhon jetën depresive në izolim të dy njerëzve. Ky film flet për jetën e dy njerëzve të izoluar. Filmi zgjatë katër minuta e gjysmë e që paraqet mjaft mirë zymtësinë e izolimit. Duke qenë të izoluar dy personazhet zhvillojnë një jetë ku gjithçka është e koncentruara në atë hapësirë dhe duke qenë një jetë depresive, personazhet flasin për mundësin e ikjes nga Hungaria për në Amerikë. E gjithë kjo histori arratisje përvijon përmes një libri “Magic eye”, që duket më shumë një prodhim i monotonisë së izolimit. Nëse e kontekstualizojmë, atëherë sot njerëzit jetojnë në ishuj izolues e të cilët shpeshherë përveç real, janë edhe imagjinar. 

Article Image

Dritan Dragusha biografi:

Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online “sbunker.net”. Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në “The British School Kosova”. Bashkautor në projektin kulturor televiziv “Filozofema”, në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit “Prizma”, në televizionin T7.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related