10 muaj më parë

Dashuria si një katalizator për ndryshim

Vështrime nga paneli "50 nuancat e dashurisë " dhe përfaqësimit të komunitetit queer në botën e kinematografisë

Në një panel diskutimi, që na fton të mendojmë dhe të përqendrohemi tek dashuria dhe mënyra e përfaqësimit të përmbajtjes queer në kinematografi, regjisorët vendas dhe rajonal ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi fuqinë e dashurisë, ndikimin në konflikteve sociale dhe përgjegjësinë e artistëve për të formuar narrativa që promovojnë përfshirjen dhe pranimin. Diskutimi përveç tjerash reflektoi mbi sfidat me të cilat përballen individët queer, si në jetën e tyre personale ashtu edhe brenda industrisë së filmit, dhe hodhi dritë mbi rolin e kinemasë si një platformë për ndryshime pozitive.

Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit “Martesa”, filmi i parë me përmbajtje queer nga Kosova, e filloi bisedën duke ndarë njohuritë e saj për lidhjen e thellë midis dashurisë dhe konflikteve shoqërore. Duke u frymëzuar nga përvojat e saj gjatë krijimit të “Martesa”, ajo shprehu se si dëshmitë e portretizimeve të përsëritura kinematografike të luftës dhe konfliktit, e kishin bërë të ndihej e inatosur me botën, dhe kjo kishte ndikuar tek ajo në krijimin dramatik të filmit të saj. Blerta theksoi me pasion nevojën për të ekspozuar rrëfimet alternative, ato që përshkruajnë dashurinë dhe pozitivitetin, pranimin.

“Ne si artistë mbajmë përgjegjësinë për atë që krijojmë. Tani, si drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, synoj të fus më shumë dashuri në pamjen më të gjerë duke e fuqizuar industrinë të flasë për dashurinë”, tha Blerta Zeqiri.

Ndërsa, Erblin Nushi, regjisor nga Peja, shprehu dëshirën për përfaqësim gjithëpërfshirës në kinema dhe në industri në tërësi. Nushi reflektoi mbi edukimin e tij si një djalë queer në një shoqëri që shfaqte vetëm një pikëpamje të ngushtë të dashurisë në media. Nushi theksoi rëndësinë e nxitjes së një mjedisi gjithëpërfshirës, veçanërisht në përfaqësimin mediatik, për të siguruar që brezat e rinj të mund ta shohin dashurinë në të gjitha format e saj.

“Mbetet për të ardhur keq që brezave të rinj ende u mungon gjithë përfshirja në mediat që ne konsumojmë. Sfida kryesore qëndron në pamundësinë për të parë dashurinë mes njerëzve të së njëjtës gjini”, theksoi Erblin Nushi, i cili do të shfaq premierën e një film të ri, me temë DASHURINË, në fund të shtatorit të këtij viti. Ai ndau historinë e kirjimtarisë së tij të fundit, një film të ngrohtë që portretizon përvojën e një fëmije adoleshentë dhe dashurisë së tij të parë, me qëllimin për të përshkruar një të ardhme të mbushur me shpresë për individët LGBTQ+. Ai beson se krijimi i filmave ka potencial të jashtëzakonshëm, pavarësisht sfidave të industrisë.

Ndërsa, Marko Djeska, regjisor nga Kroacia, foli për rolin që ka kinemaja dhe artistët në demaskimin e realiteteve të dashurisë për individët transgjinorë duke ndarë përvojën e tij gjatë krijimit të filmit të tij “Sensations of the Belly” (Fluturat në bark). Ai tregoi udhëtimin e tij gjatë krijimit të filmit të tij, një dokumentar i animuar i fokusuar në historinë e një gruaje transgjinore. Marko theksoi sfidën kryesore me të cilën përballen gratë trans në kërkimin e dashurisë dhe pranimit.

“Duke krijuar këtë film, fillimisht nisa të përshkruaj tranzicionin e saj, por shpejt kuptova se sfida e vërtetë ishte kërkimi i saj për dashuri – dashuri të sinqertë dhe e vërtetë. Për çka kemi sfida të gjithë. Për gratë trans, gjetja e dashurisë është edhe më sfiduese dhe ka kaq shumë vështirësi. Ato shpesh përballen me dilemën e fshehjes së identitetit të tyre të vërtetë ose rrezikimit të refuzimit ose dhunës,” shpjegoi Marko Djeska.

Panelistët u pajtuan që industria e filmit duhet të përfshijë më shumë Dashurinë dhe dashurinë e lumtur në tregimet e njerëzve queer, ndërsa deklaruan se industria po ndryshon në mbarë botën, por jo aq shumë në vende si Kosova, ku demokratizimi i filmit mbetet sfidë, dhe përmbajtja queer nuk normalizohet në mediat kryesore.

Diskutimi i panelit theksoi rolin kryesor që luan kinemaja në formësimin e perceptimeve shoqërore për dashurinë dhe pranimin. Perspektiva unike e secilit regjisor tregoi potencialin e kinemasë për të nxitur ndryshime pozitive, për të nxitur ndjeshmërinë dhe për të promovuar përfshirjen. Duke sfiduar normat shoqërore dhe duke mbrojtur për përfaqësim të larmishëm, fuqia e dashurisë mund të kapërcejë kufijtë dhe të kontribuojë në një botë më të dhembshur. Ky ishte paneli i dytë i organizuar në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit të Animacionit Anibar në Pejë.

Në panelin e radhës, i cili do të mbahet sot në orën 17:00. në Galerinë e Arteve në Pejë, një panel tjetër do të diskutojë për dashurinë për veten.

Leonora Aliu

Related