4 vjet më parë

Ben Apolloni: Gara e Studentëve I

“Nobody Hear”

Ky film i ndërtuar si një vrapim filmik, ku personazhi zgjohet, bëhet gati për punë, shkon në punë, mërzitet, mbaron punën, shkon në bar, dhe në mbrëmje sërish kthehet në banesën e tij, i vetmuar, i lodhur nga rutina. Një tregim përplot referenca nga filmat që kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë, si “Shkretëtira e Kuqe”, “Modern Times”, “2001: A Space Odyssey”, “Her”, etj. Një tregim i shkurtër por i mbushur me ide,  ku spikatet merzia nga rutina e njeriut bashkëkohor dhe vetmia e tij.

“Protocole Sandwich”

Një histori që provokon parashikueshmërinë. Derisa e shikon këtë film, të duket sikur është realizuar në kohën e pandemise Covid-19, ku njeriu ka frikë nga njeriu, ku një njeri apo një grup njerëzish përbën rrezik për njeriun apo grupin tjetër të njerëzve. Një temë e gjetur për nga aktualiteti dhe një film i shkurtër i realizuar mjaft mirë si në aspektin ideor, po ashtu edhe si formë.

“The Shadow of The Sun”

Dokuanimacion, i ndërtuar mbi rrëfimet e personazheve në bazë të të cilëve ndërtohet edhe karakteri i personazhit kryesor. Pra, ky film na tregon atë që të tjerët tregojnë për dikë, apo thenë ndryshe: ky film na e thotë se ne, në të vërtetë, nuk jemi asgjë tjetër por se si na shohin të tjerët. Një rrëfim me një ritëm të ngadaltë, por që ta rrëmben kureshtjen e këtë e bën edhe falë një imazheri të ndërtuar me shije të hollë.

“Ovule” 

E zezë është pamja e parë dhe e fundit e këtij filmi. Kurse mes këtyre dy pamjesh kemi edhe ngjyrat tjera por dominojnë e zeza dhe e bardha në një përplasje me njëra-tjetrën, si në një betejë për të dominuar. Tregimi i këtij filmi nga një shtëpi, ku banojnë një grua dhe një burrë, ku burri del dhe merr rrugën për kush e di se ku dhe duart e gruas që herë duket sikur duan ta ndalojnë, e herë sikur duan ta mbrojnë, na shpie deri në kopshtin Eden, me ngjyra e me një Evë dhe një mashkull (Adam apo djall) që bëjnë dashuri. Dashuria është gjaku që i jep jetë një lidhjeje dashurie, e pa të jeta është akromatike.

“The Bear Hunter”

Ariu në gjueti për ushqim, njeriu në gjueti të ariut. Ky film sikur na e kujton teorinë draviniane, raportin mes specieve ku secili është ushqim potencial i tjetrit. Por që këtë film mund ta shikojmë edhe si një përrallë, morali i së cilës është: mos vrit se do të vritesh. Një film i animuar, me tri ngjyra: bardh, zi dhe kuq, ku e kuqja është edhe ngjyra e jetes dhe e vdekjes. Kurse e bardha dhe e zeza, krijojne atë pjesën gri të jetës.

“Gravedead”

Njeriu është pjesë e natyrës dhe gjendja e tij shpirtërore varet shumë nga natyra, nga moti. Ky film na shpie në një vend latin (në Amerikën e Jugut apo në vendet e Gadishullit Iberik), dhe jo vetëm nëpërmjet gjuhës së folur, por edhe muzika, zhurmat, dielli që përcëllon, na e krijojnë idene e lokacionit të ngjarjes. Por edhe pse në shumicën prej nesh vendet latine mund të jenë vende ku gjihmonë rrëzon dielli, e kjo do të thotë se njerëzit gjithmonë janë të gëzuar, ky film na tregon se njerëzit dhe natyra, në të gjitha pjesët e planetit tonë kanë ditët me diell dhe ato të vrenjtura.

“Cante”

Njeriu i mbyllur në mes katër muresh, që natyrën e shikon përmes dritares kurse punon me kompjuter, por ëndërron për një takim të sërishëm me tokën, me atë që na ushqen dhe e ushqejmë, që i kemi borxh e na ka. I punuar në një frymë që të kujton penelin vangogian, “Cante” është një himn për raportin e ndërprerë të njeriut me natyrën. E, për t’u ritakuar duket se është aq kollaj. Mjafton të hapim dritarën (ose derën) dhe të hidhemi në përqafim të natyrës, atje ku këndohet, atje ku trupi dhe shpirti janë të lirë.

“Nobody Speak”

Në këtë film ku askush nuk flet, flet vetë filmi, përmes imazheve shumë domethënëse dhe na tregon se si njeriu është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme (ushtarët në plazh, telefoni i mençur që na kontrollon), madje gjendja është përkeqësuar aq shumë sa sot edhe kur ëndërrojmë edhe në ëndrra shohim se jemi nën mbikëqyrje, jemi të rrethuar nga ushtarët (nga sigurimi, madje edhe vetë kryeministri “kujdeset” e sillet rreth nesh). Dhe ne bashkë më ëndrrat kemi rënë në ujë dhe më as nuk po mund të flasim atje në fund të detit sepse uji do të na e zë frymën. Ky film na e kujton thënien biblike: “kotësi nën diell.” Ashtu çfarë është bërë jeta e njeriut të kohës tonë.

Article Image

Ben Apolloni: Biografi

Ben Apolloni ka mbaruar studimet për regji teatri dhe mbaruar nivelin master për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Përveç si regjisor ai shkruan kritikë filmi, teatri dhe në përgjithësi për fenomene kulturore të cilat i ka publikuar nëpër revista e gazeta të ndryshme në Kosovë, Shqipëri,Maqedoni dhe Zvicër. Zi ka realizuar disa filma të shkurtër si regjisor e skenarist, të cilat janë shpërblyer me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe krijuar disa shfaqje nëpër teatro të ndryshme në Kosovë e Maqedoni.

Related