10 muaj më parë

“Beautiful Woman” : Një dedikim familjar, si ftesë për të pranuar në emër të dashurisë

Amanda, gruaja që na shfaqet si reflektim mbi përformancën e sjelljes gjinore sipas Butler

E gjithë skena e parë nis me imazhin e asaj gruaje, me shikim të mprehtë e flokë të shkurtër kaçurrele, e cila shikon drejt objektivit të kamerës sikur ka për t’i thënë diçka. Diçka, që në vetë përmban një vendosmëri. Amanda është gruaja në të tridhjetat që na shfaqet në sfondin e një dhome të kuqe, si protagonistja kryesore e filmit Mooi Missi “ mooie vrouw” (Zonjusha, Gruaja e bukur) nga regjisori holandez Diëgo Nurse që e hap Programin Special të kuruar për edicionin e 14 të Festivalit Ndërkombëtarë të Animacionit – Anibar në Pejë, programit “Queer Toons”.

Rrëfimi në këtë film është i ndarë në dy dimensione. Në dimensionin e parë, shfaqet portreti i gjallë i Amandës, në një dhomë të kuqe, që ngjason me ato dhomat e fotografëve që ju duhen për zhvillimin e fotografisë, vetëm se Amanda nuk po zhvillon fotografi por po prezanton imazhin e saj, sikur do ta ruaj, njësoj si fotografinë, nga sensitiviteti i dritës së jashtme. Ajo që ka ndërtuar ajo, është tepër e vlefshme për ta dëmtuar. Dimensioni tjetër, është ai bardhë e zi, që shfaqet përmes animacionit, si memoria që gruaja mbanë thellë brenda vetës, memoria që i takon Beyong dhe përjetimeve të tij si tetë vjeçar, përgjatë rrugëtimit të tij të transformimit dhe gjetjes së vetë –  Amandës, gruas transgjinore.

Historia e këtij rrugëtimi poetik, nis në një fshat ku jeton më dy prindërit heteroseksual dhe vëllain. Larg nga idetë e reja, por në një konflikt të përhershëm me vetën, Beyong ka problem të kuptojë ndjenjat e tij, ani pse kishte pranuar feminitetin e tij, që i bëhet cak i sulmeve nga vetë familja, përmes figurës së babait. Përballë kësaj figure maskuline që kishte problem me feminitetin e djalit të tij, nuk mund të ikte, por të gjente prehje vetëm tek Nëna e ti. Si grua, ajo e kuptonte.  

Filmi më ktheu te leximet e  shkrimeve të filozofes së njohur amerikane dhe studiueses në fushën e studimeve gjinore, Judith Butlerm më saktësisht tek shënimet në librin e saj të shumë njohur “Gender Trouble: Feminism and the Subversion of Identity” (Problemi gjinor: Feminizmi dhe përmbysja e identitetit), botuar për herë të parë në 1990 dhe ribotuar në 1999. E ku, Butler,  vë në pikëpyetje besimin se disa sjellje gjinore janë të natyrshme, duke ilustruar mënyrat se si performanca e mësuar e sjelljes gjinore (ajo që ne zakonisht e lidhim me feminitetin dhe maskulinitetin) është një akt i llojit, një performancë, që na imponohet nga heteroseksualiteti normativ.

Para dy viteve, në një intervistë për “The Guardian”, në 30 vjetorin e librit të saj,  Butler i rikthehet teorisë së saj të “performativitetit’ të sjelljeve gjinore, si një pikëpamje e diskutueshme se si funksionon gjinia, duke elaboruar se çfarë kishte në mendje kur shkroi librin aso kohe. “Aktet ‘performative’ të të folurit janë ato që bëjnë diçka të ndodhë ose kërkojnë të krijojnë një realitet të ri. Kur një gjyqtar deklaron një dënim, për shembull, ata prodhojnë një realitet të ri dhe zakonisht kanë autoritetin për ta bërë këtë. Por a themi se gjyqtari është i plotfuqishëm? Apo gjyqtari po përmend një sërë konventash, duke ndjekur një sërë procedurash? Nëse është kjo e fundit, atëherë gjyqtari po thirret në një pushtet që nuk i takon si person, por si autoritet i caktuar. Akti i tyre bëhet një citim – ata përsërisin një protokoll të vendosur”, pati deklaruar ajo, duke  pohuar se ajo që ajo dëshironte t’i tregonte njerëzimit 32 vjet më parë, ishte që me vetëdije ose jo, ne citojmë konvencione gjinore kur pretendojnë se po shprehin realitetin tonë të brendshëm ose edhe kur themi se po krijojnë veten përsëri.  

Butler argumentonte se askush nuk mund të ju shpëtojë normave shoqërore, porse problemi është se askush nga ne nuk është plotësisht i përcaktuar nga normat kulturore. Dhe kështu gjinia, sipas saj, bëhet një negociatë, një luftë, një mënyrë për tu përballur me kufizimet historike dhe për të krijuar realitete të reja. Beyong, historia e transforimit të të cilit portretizohet në filmin “Mooi Missi “ mooie vrouw” (Zonjusha, Gruaja e bukur), krijoi realitetin e tij të ri, Amandën.

“Kur e vesha fundin e shkurtër, vendosa grimin dhe bizhuteritë, dhe shikova vetën në pasqyrë, gjithçka u qartësua. Aty e pashë vetën. Unë isha grua”, Amanda rrëfehet në monologun e saj.

Ajo që e bënë të veçantë këtë film për ta zgjedhur për analizë e trajtim, është mesazhi qw ai ofron, në mes tjerash paqen e Amandas, gruas transgjinore, në momentin kur Nëna e saj e pranon. Në një edicion si ky i sivjetmë i Anibar, ku temë bëhet dashnia, një mesazh i tillë vjen si një rrufe që të hapë sytë nga ndriçimi, për të kuptuar se dashnia në fund të fundit nënkupton pranim, dhe se pranimi nis nga ata që janë më të afërt me ne, vetë familja.  

Ky është dedikimi që regjisori Diëgo Nurse ia kushton familjes së tij, si kërkim falje ndaj nipit të tij,  me të cilin ishte rilidhur vetëm pesë vite pasi ai kishte dalur hapur para familjes rreth orientimit të tij seksual.

Leonora Aliu

Related