4 vjet më parë

Arlind Qori: Gara e Studentëve IV

Arlind Qori

“Pile”

Filmi “Pile” mbart dy linja të mundshme interpretimi. Në të parën kemi një histori të shkurtër të kalimit nga një shoqëri parakapitaliste (mesjetare), të karakterizuar nga një marrëdhënie simbiotike me natyrën, drejt një shoqërie në fillim kapitalisto-industriale, më pas kapitalisto-postindustriale. Duket sikur autori majën e kritikës e mpreh veçanërisht ndaj fazës së fundit, me tollovinë dhe tjetërsimin e saj – të gjitha këto nën ethet e shpejtësisë së shumëfishimit të imazheve. Jo më kot historiani Perry Anderson e përkufizon kalimin nga kapitalizmi industrial në atë postindustrial si zëvendësim të imazhit të makinerisë me makinerinë e imazhit. 

Sidoqoftë, filmi ka edhe një linjë të dytë interpretimi të mundshëm. Kalimi nga një shoqëri në tjetrën nuk ka vetëm vazhdimësinë historike në kohë, por vendoset edhe në hapësirë: në majë të piramidës ndodhet shoqëria e sotme hiperkapitaliste, me të privilegjuarit e saj, e cila nuk mund të qëndrojë përveçse përmbi punën e mundimshme e të nëndheshme të një mizërie njerëzish, shfrytëzimi i punës së të cilëve tregon se brenda të njëjtës epokë bashkekzistojnë kohë e logjika të ndryshme – si brenda një shoqërie, ashtu edhe ndërmjet qendrës dhe periferisë së ekonomisë globale.

“Nestor”

Filmi “Nestor” shfaq maninë e njeriut bashkëkohor me rregullin, me ruajtjen e gjithçkaje në vendin e vet “të natyrshëm”. Barka që lëkundet – ku më fort e ku më ngadalë – nga valët e detit, simbol i ndryshimeve shoqërore jashtë kontrollit të vepruesve individual, e trazon status quo-në e njeriut të zakonshëm, i cili te ndryshimi nuk sheh mundësinë e përmirësimit dhe emancipimit, por pasigurinë. Po pavarësisht përpjekjeve të pandalshme të personazhit të filmit për t’i vënë gjërat në vendin e tyre, për të ruajtur ritmin e zakonshëm të historisë, kjo e fundit prodhon tallaze dhe, në fund, prish çdo rend e rregull brendapërbrenda barkës. Nga përsëritja e trokitjes së lapsit të personazhit në përplasjen e kanatave të dollapëve që shkakton furtuna detare, duket sikur në fund autori do të na tregojë se katastrofa nuk është një ndërhyrje nga fuqi madhore jashtë ndikimit të njeriut, por rezultat i mosndryshimit të sjelljes së këtij të fundit ose, më saktë, i mosguximit për të imagjinuar dhe ndërtuar një shoqëri të re. E reja do të vijë. Është në dorën tonë nëse ajo do të ketë pamjen e një shkretimi natyror e obskurantizmi shoqëror apo vërtet do t’i hapë rrugën emancipimit njerëzor. 

“I Just Call  It Love”

Filmi “I Just Call It Love” paraqet nën një muzikë ritmike atë që mund të quhet bota e jetës (lebenswelt), me gëlimin e të ndryshmes, lëvizjes, papërcaktueshmërisë dhe pasionit. Nuk bëhet fjalë vetëm për jetën njerëzore, por për jetën në përgjithësi, unitetin e atij që mund të quhet rend kozmik. Sigurisht që ky rend (unitet) kozmik qeniesh ka kontradiktat e veta, është i rrezikuar në çdo çast – nga shpërfillja e Tjetrit si natyrë, lloje, grup shoqëror/kombëtar i ndryshëm etj. Por duket sikur autori na fton ta ngremë shikimin përmbi çdo logjikë lokaliteti dhe të shohim nga lart të tërën e botës së jetës, e cila mund të shpëtohet vetëm përmes dashurisë. Një dashurie jo thjesht si shprehje intime pasioni, por si vetëdije se jemi pjesë e një tërësie pa të cilën jeta jonë individuale do të ishte e varfër, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale.

“1000 Dreams: Zenti The Invincible”

Zenti është një personazh që jeton në një botë surreale, udhëtar kozmosi i një shoqërie që i ka kapërcyer kufijtë e saj fizikë, por duket se riprodhon të njëjtat marrëdhënie shoqërore e mënyrë jetese – nga betoni te toka e heshtur, ku Zoti i Parasë (Mamoni) vazhdon të sundojë mes njerëzve. Po Zenti është i huaj midis njerëzve. Prej një shekulli kërkon bashkëshorten e tij të humbur. Ai endet në dimensione, planete të ndryshme për të gjetur çka e mbante të gjallë shpirtërisht, po më kot. Ai ka parë gjithçka, madje “edhe një copëz Zoti”, por sërish mbetet vetëm, në kërkim të dashurisë së humbur. “Kam vdekur me mijëra herë pasi të humba” – i drejtohet imagjinarisht bashkëshortes, “por kam jetuar mijëra ëndrra duke të kërkuar.” Në një kthesë të fortë dialektike, jeta e tij është njëkohësisht mjerim i pafund, por edhe një kërkim i pandalshëm i dashurisë, që me mbylljen e syve e kredh njeriun në botë të reja, shtangëse e rrëqethëse njëkohësisht. Ky kërkim i pandalshëm i dashurisë së humbur e bën njeriun të pamposhtshëm përpara çdo fatkeqësie, si Zenti ynë i pamposhtshëm. 

“Tales Of Creation”

Filmi “Tales of Creation” mëton të realizojë një shfaqje të logjikës së evolucionit të llojeve – duke kombinuar jo vetëm logjikën e më të fortit (ligji i xhunglës), por edhe përshtatjen e llojeve natyrore e shoqërore drejt formave më komplekse. Ligji i të fortit shfaqet edhe në raportin midis njeriut dhe kafshës (njeriu si gjuetar i tyre), edhe në mënyrën se si sakrifikohen kafshët në industrinë e sotme ushqimore dhe përdoren kockat e tyre si ornamente të industrive estetike. Nuk lihet mënjanë as paradoksi i industrisë së lëndëve djegëse fosile që bazohet, në thelb, në fosilet e organizmave të ndryshme të groposura. Po në fund njeriu, kjo qenie që do të hamendësohej triumfatore e procesit të evoluimit të llojeve, gjendet si i huaj në botën që ka krijuar, i tjetërsuar deri në pikën që ëndërron të arratiset nga krijesa e vet qytetërimore.  

“Bye Little Block!”

Filmi “Bye little block!” nis me telefonatën ku bashkëshorti i komunikon të shoqes se më në fund ka gjetur blerës për shtëpinë e tyre dhe do të largohen prej saj. Në sytë e gruas pikon një lot melankolie, gur i rëndë, që rrokulliset nëpër lagjen e saj duke na sjellë në vëmendje jetën e përditshme të banorëve. Fokusi vendoset në disa personazhe: nga të moshuarit në stola që ndërrojnë kokat, te nëpunësi që ecën duke u zvarritur, adoleshenti bullues etj. Po personazh kryesor mbetet gruaja dhe melankolia e saj për shtëpinë dhe kontekstin nga i cili do të shkëputet, me sa duket pa dëshirën e saj. Në fund, në një arrati edhe më sureale se ndodhitë e tjera, fantazma (ose shpirti i saj) shkëputet nga ballkoni i apartamentit të saj dhe i bashkohet Hënës, duke i hequr lagjes çdo dritë. Ajo po humb habitatin e saj social, por ky i fundit duket se ka humbur shpirtin e vet. 

“I, Alive”

Filmi “I, Alive” rrëfen llokoçitjen e një njeriu në gjendje kome midis jetës dhe vdekjes. Me gjasë është viktima e një tentative vetëvrasjeje. Ai nis me pyetjen “ç’ndodh pas vdekjes?”, të cilën personazhi duket se po e provon. Ajo nuk është as e bukur, as e tmerrshme, si në rrëfenjat fetare, por thjesht e zbrazët. Zbrazëti e vetmi; barku i nënës dhe arkivoli – parajeta dhe vdekja si dy kohë e logjika të ngjashme formalisht, por të kundërta përmbajtësisht. Po në këtë angështi triumfon dëshira për jetën, e ndihmuar nga ideja e nënës si dhënëse, mbështetëse dhe përforcuese e jetës. 

“Twigs”

Filmi “Twigs” është një kritikë e fallocentrizmit edhe si logjikë botëkuptuese, edhe si mënyrë hierarkike e organizimit të jetës shoqërore. Rrëfimi nis me një grua që kërkon të tërheqë erotikisht vëmendjen e të shoqit, të cilin asgjë nuk mund ta ndajë nga celulari si dritare e vockël që e lidh me botën e madhe. Ajo i shërben, i afrohet intimisht, por ai largohet. Duket sikur ia ka shtrydhur tanimë lëngun e jetës dhe përpara saj preferon masturbimin në tualetin e shtëpisë. Po në masturbim e sipër i mbetet penisi në dorë, duke e kthyer në një qenie mjerane – me kokë e organe prej kaktusi, simbol i një jete në shkretëtirë. Në fund gruaja, e çliruar nga “zhburrërrimi” i të shoqit, duke u masturbuar me penisin e tij të rënë në formë kaktusi, ka fituar autonominë e saj, pranë të cilës mbijeton kokulur ish-padroni i saj. 

“Milkoffe”

Filmi “Milkoffee” tregon një copëz jete amerikane, ku një nëpunës i privilegjuar (me gjasë banke), përfaqësues ose mbrojtës i interesave të elitës ekonomiko-politike të atij vendi, ndal makinën në një diner dhe porosit kafe me qumësht. Në sfond dëgjohet një copëz fjalimi propagandistik mbi lirinë si mit i jetës shoqërore amerikane. Përballë tij është ulur një njeri me kanotiere dhe birrë në dorë, tipare karakteristike të punëtorit amerikan. Ata e kundrojnë njëri-tjetrin, por një moment punëtorit i duket se ai nuk është i barabarti në tavolinë, por thjesht kokrra e sheqerit të patretur në gotën me kafe e qumësht të zotërisë përkundruall. Nëpunësi elitar shqetësohet se kokrra e sheqerit nuk po tretet – simbol i rezistencës së punëtorisë dhe njerëzve të klasave të nënrenditura të atij vendi, dhe e trazon gotën edhe më fort, ndërkohë që pas çdo trazimi punëtorit i merret fryma më shumë dhe gulçon i djersitur. Derisa në fund një e shtënë pistolete i jep fund gjithçkaje…

“Catgot”

Filmi “Catgot” është një himn abstrakt i bukurisë së jetës si larmi qeniesh, mënyrash jetese e përjetimesh, ku nga pikat më të vogla shpërthejnë emocione të shoqëruara me muzikë që tregon ritmin e jetës. Jeta është si një shatërvan, bukuria e saj gjendet tek e larmishmja, e gjithëndashmja, te lëvizja dhe shkuarja drejt komplekses, shumëngjyrëshes. Gjithçka shoqërohet me një muzikë notat e të cilës janë si goditjet e pikave të ujit mbi sipërfaqe. 

Article Image

Arlind Qori është ligjerues ne Universitetin e Tiranës në lëndë si: Filozofi Politike dhe Kritikë Ideologjise. Gjithashtu është edhe aktivist I Organizatë Politike.

-Opinionet, gjetjet, dhe konkluzionet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Festivalit Anibar

Related