2 javë më parë

Filmi i vlerësuar me çmime ndërkombëtare “Ruben Brandt Collector” shfaqet në Anibar

Ruben Brandt Collector një film i metrazhit të gjatë që fitoj në disa festivale të animacionit, vjen në Anibar si pjesë e programit të filmave të gjatë për këtë edicion.

Filmi i regjisorit Milorad Krstiq, trajton një temë mjaftë interesante dhe të pazakontë, vjedhjen e veprave të artit për arsye të shërimit psikoterapeutik.

Filmi fokusohet në personazhin e Ruben Brandt, i cili është një psikoterapeut i famshëm, që është i “detyruar” të vjedhë 13 piktura nga muzetë e famshme botërore për të parandaluar vuajtjet e tij nga ankthet e tmerrshme që ai mori si fëmijë. I shoqëruar nga katër pacientët e tij, ai rregullisht ja del me sukses të vjedhë vepra arti nga muzetë si: Louvre, Tate, MoMA etj. Ai shpejt kthehet në kriminelin më të kërkuar në botë, ndërsa shpërblimi për kapjen e tij vazhdon të rritet. Për 90 minuta sa zgjatë filmi ka një ritëm mjaft dinamik me skena me ndjekje të përshtatshme për një film aksion, është shpesh qesharake dhe tallje për kritikët e artit.

Ky film ka debutuar në edicionin e 71 të Locarno Film Festival, dhe që atëherë është vlerësuar nga kritika duke fituar disa çmime nëpër festivalet evropiane të animacionit. Së fundi fitoj çmimin kryesor në kategorinë e filmave të gjatë në Animafest Zagreb. Po ashtu në 2019 në Trieste Film Festival fitoj çmimin për filmin më të mirë, ndërsa në 2018 fitoj çmimin për skenarin më të mirë në Seville European Film Festival. Cineuropa e kishte vlerësuar si “Një arritje e mrekullueshme”.

Krstić, i cili do të jetë në Pejë për shfaqjen e filmit të tij, ka një kohë të gjatë që njihet në boten e animacionit, filmi i tij i animuar “My Baby Left Me” fitoj “Silver Bear” në Berlin film festival, si dhe fitoj si filmi më i mirë në Annecy festival. Filmi tjetër “Das Anatomische Theater” të cilin e realizoj bashkë me gruan e tij, përmban dy orë animacion interaktiv me çka mori çmimin Annecy-MIFA për projektin më të mirë interaktiv në vitin 1999. Milorad Krstić ka qenë aktiv si artist vizual për pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Filmi është pothuajse tërësisht i vizatuar me dorë një teknik që për Milorad Krstiq është e pavdekshme. “Unë mendoj që vizatimi është i përjetshëm, sepse njerëzit që duan të vizatojnë duan të lëvizin duart (me laps ose laps dixhital) në drejtimin që ata frymëzohen. Ata marrin gëzim nga kjo lëvizje, njëjtë sikur valltarët e mirë që ndjekin muzikën, por ndjekin edhe ritmin e tyre”.

Filmi Ruben Brandt Collector është pjesë e programit garues të Anibar dhe do të shfaqet për publikun në Kinemanë Jusuf Gervalla të Pejës me 17 Korrik nga ora 16:00, Përgjatë ditëve të festivalit në Pejë do të jetë edhe regjisori Milorad Krstic i cili do të jetë pjesë e aktivitetit Meet the Filmmakers në kuadër të Festivalit Anibar.

Related