4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Luan Sapunxhiu, kitarist

Në vitin 1994, isha i prekur nga hepatiti, sëmundje që nuk ka dhimbje por karakterizohet nga një lodhje e papërshkrueshme. Lodhje ku si punë e vetme të bëhet dëshira e përhershme për pushim. Mëgjithatë e bëja një punë me dëshirë të papërshkrueshme: lexoja pandërprerë libra. Nga ajo kohë më kujtohet një libër që e lexova me një frymë nga shkrimtari amerikan, Irving Stone, “Agonia dhe Ekstaza”. Roman biografik për njërin ndër artistët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, Michelangelo Buonarroti. Skulptorit e piktorit gjenial. Një personazh shumë i zakonshëm në jetën e përditshme.

Këtë libër do ia sugjeroja çdokujt në këtë kohë të izolimit sepse na mundëson një udhtim në Italinë e shek. XVI pa ndonjë rrezik nga koronavirusi.

Gjatë këtyre ditëve me shumë kënaqësi po shikoj edhe filma që ishin trend në rininë time të hershme. Bëhet fjalë për filmat “western” të cilët nuk po më ngarkojnë, përkundrazi po i përjetoj me shumë lehtësi. Shikimin e tyre ua rekomandoj të gjithëve.

Gjëja e parë që më bie në mend në situatat kur kërkohet një disiplinë, siç janë urdhërat nga shteti, është një dëshirë e brendshme e imja që t’i rezistojë çfarëdo urdhëri. Pavarësisht nga dëshira ime, përvoja më thotë se mënyra më e mirë që shoqëria të mos rrëshqasë në kaos (në këtë situatë kaosi është gjëja më e dëmshme) është t’i përmbahemi me përpikmëri këshillave që për qëllim kanë të mirën e përgjithshme.

Sidoqoftë, shpresoj se sa më shumë qytetarë të vendit tonë të kenë shtëpi ku mund ta kalojnë këtë pushim të imponuar nga rrethanat. Gjithsesi duhet të jemi sa më aktiv gjatë këtij pushimi. Është momenti që më në fund t’i bindemi refrenit që e kemi dëgjuar nga tjerët në shtëpi: Shtëpia ka shumë punë!

Rri n’shpi se edhe shtëpia ka nevojë për ty!

#rrinshpi

Related