4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Edmond Beqiri, profesor

Jam mësimdhënës deri tani i 30 gjeneratave të studentëve, në disa Univesitete dhe e kam lirinë të ju këshilloj që të ndiqni masat e rekomanduara, të qëndroni në shtëpi, të dilni vetëm kur e keni të lejuar dhe vetëm nëse është kjo e domosdoshme, mos të mblidheni në vendet ku janë të pranishëm shumë njerëz, të lani duart sa më shpesh, por edhe të kaloni kohë në diell, aq sa mundeni në shtëpinë apo banesën tuaj.

Këto ditë e mësuam që shtëpia dhe jeta në familje ofrojnë shumë kënaqësi nëpërmes: zbulimit të sjelljeve dhe kulturave të ndryshme në familje, praktikimit të solidaritetit dhe respektit, kujdesit për mjedisin, vazhdimit të mësimit online, meditimit për punën e duhur dhe të sigurimit e të ardhmes sonë sa më të bukur dhe të qëndrueshme, si dhe për krijimin e mundësive të reja për të gjithë ne…

Të gjithë e dimë që nëse qëndrojmë sot në shtëpi, mund të dalim, të punojmë, të luajmë, të udhëtojmë dhe të kënaqemi nesër.

Gjatë këtyre ditëve, mund të kënaqeni në mes tjerash edhe duke lexuar dhe duke shikuar filma. Nga një libër dhe një film mund të ju rekomandoj në vijim.

Romani që e rekomandoj për ta lexuar është “Post Office” (Posta) nga Charles Bukowski. Në kohën kur isha student, në vitet e tetëdhjeta erdhi deri te ne veprimtaria e një shkrimtari amerikan gjenial me emrin Charles Bukowski. Ai ishte një burrë që kur kishte para e kaloi tërë kohën në kafene ose kur nuk kishte para – e kalonte jetën në rrugë, dhe në të dy rastet ishte i dehur maksimalisht. Ai shkroi për jetën e tij ashtu siç është. Bukowski nuk njihej deri në vitet e pesëdhjetë të shekullit XX, por më pas befas u bë një nga autorët më të lexuar Amerikan.

Leximi i Bukovskit është kaq i lehtë, sa që do të habiteni se sa shpejt lëvizni prej faqes në tjetrën pa u ndalur. Thjesht, sipas meje ky është materiali më i qetë për lexim që mund të keni në duar këto ditë. Shkrimtari ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij duke punuar si postier, dhe ky roman ka të bëjë me ngjarje nga ajo periudhë.

Filmi që e rekomandoj është “Gone with the Wind” (Fërfëlluar nga era) film klasik 3-orësh. Ky është një film i cili edhe pse i xhiruar para dhjetra vitesh, ai mbetet një nga kryeveprat e të gjitha kohërave. Drama epike e Luftës Civile përqendrohet në jetën e personazhit të fuqishëm jugor Scarlett O’Hara (Vivien Leigh – në bazë të së cilës e ndjera artiste e jonë e veçantë e viteve të tetëdhjeta, Violeta Rexhepagiqi, e quajti pop grupin e saj: Vivien). Duke filluar me idilikën e saj në një plantacion të zjarrtë, filmi gjurmon mbijetesën e saj përmes historisë tragjike të Jugut gjatë Luftës Civile amerikane dhe pastaj gjatë viteve të Rindërtimit, si dhe marrëdhëniet e saj të dashurisë me Ashley Wilkes (Leslie Howard) dhe Rhett Butler (Clark Gable).

Ju i dini udhëzimet, ju dini gjithçka, mbani të sigurt jetën tuaj dhe të të tjerëve.

#rrinshpi dhe #kënaqunshpi.

Related