4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Dafina Halili, gazetare

Covid-19 ka nxjerr në shesh edhe më shumë se si hegjemonia patriarkale brenda mureve të shtëpisë, shpërfaqet më së miri në punën e papaguar, që rëndon kryesisht në kurriz të grave. Puna e papaguar – koha e kaluar për të bërë punë shtëpiake rutinore, pazari për sende të domosdoshme shtëpiake, përkujdesja për fëmijët, të moshuarit dhe anëtarët e tjerë të familjes dhe aktivitete të tjera të papaguara në lidhje me mirëmbajtjen e familjeve – mbetet kryesisht e padukshme dhe merret e mirëqenë. Vlerësohet që puna e papaguar e grave kushton mbi 10 trilionë dollarë në vit globalisht, duke kursyer qeveritë nga shpenzimet për shërbimet publike siç janë kujdesi për të moshuarit dhe kujdesi për fëmijët. Do të ishte shpresëdhënëse nëse izolimi po nxit reflektim në lidhje me këtë.

Për të reflektuar për pabarazimë gjinore na duhet edhe tronditja. Prandaj filmi “Mustang”. Aty regjisorja turke Deniz Gamze Ergüven paraqet shtypjen e grave në një familje e shoqëri patriarkale, në formën më të vrazhdë të saj. Por tronditja kryesore që të shkakton filmi është fakti që tërë brutalitetin e dhunës dhe të pabarazisë të paraqitur aty, shumë lehtë mund ta ndeshim në familjet tona edhe sot. “Mustang” është vendosur në Turqinë rurale dhe tregon historinë e pesë motrave jetime, të cilat jetojnë me gjyshen e tyre në një shtëpi të madhe. Xhaxhai ndërhyn për ta shpëtuar “nderin” e familjes që është “në rrezik”, në dëm të lirisë së pesë vajzave, në dëm të jetës së tyre.

Përveç tronditjes, na duhet edhe njohja më e thellë e përvojave të grave. Prandaj “Saga Napoletane” e autores italiane, që shkruan dhe publikon nën pseudonomin Elena Ferrante. Katër librat e sagës sillen rreth Elenes dhe Liles dhe shoqërisë së fëmijërisë që merr hov në lagjet e varfëra të Napolit të pasluftës së dytë botërore.

Eshtë rrëfimi i jashtzakonshëm i miqësisë së dy grave të cilat duhet të mbijetojnë brenda një kulture të dhunshme ku rregullat e jetësës shkruhet nga “Camorra”, grupet e krimit të organizuar. Dhe përfundimisht është rrëfim se si pabarazia sociale shpesh përcaktohet në prejardhje, kur lindja në skamje e bën mbijetesën shumë më rënduese në krahasim me fëmijët me privilegje të trashëguara. Por, pabarazia ndodh edhe brenda botës së privimeve, ku lufta më e madhe bëhet prej vajzave: Elenes dhe Liles.

#rrinshpi

Related