4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Jeton Neziraj, dramaturg

Ajo çka më ka befasuar më së shumti këtyre ditëve është njëlloj ‘urie’ e publikut për vepra e krijime artistike. Krejt befasishëm, shfaqjet teatrore që po jepen online morën vëmendjen e publikut dhe u bënë njëlloj atraksioni i rrjeteve sociale. Por, e kam parë që ka pasur kurreshtje edhe për poezinë, për videot e ndryshme, për filmat, për muzikën e për format tjera të shprehjes kreative.

Arti na e krijon ndjesinë e normalitetit, na bënë ta prekim dhe ta ndjejmë pulsin e ‘jetës në normalitet’. Arti, ndër të tjera, është edhe si një lloj hallke lidhëse mes ritmit tonë të jetës ‘normale’ dikur dhe synimit për t’iu kthyer sërish atij ‘normaliteti’. Pa këtë hallkë, duket se këtyre ditëve edhe ne do t’kishim qenë të humbur, si mes ndonjë mjegulle.

Librin që e rekomandoj për lexim këtyre ditëve do t’ishte: “Ferdydurke” e Witold Gombrowicz. Dhe do të rekomandoja krejt filmat e Aki Kaurismäki, e sidomos “Le Havre”.

Dhe kështu, në këtë frymë ‘kreative’ të këtyre ditëve, po e ndaj edhe unë një copëz teksti nga nga një dramë e imja – me shpresën që ndokush edhe do ta lexoj si me pahiri.

BALETI KOMBËTAR I KOSOVËS

Balerinëve të rinj të trupës së Baletit të Kosovës,
në Kosovën e pasluftës,
ndër të tjerë, hapat ua mësonte edhe Elez Nikçi.

Elez Nikçi, përpos mësues baleti,
ishte edhe truproje e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova,
i njohur edhe si “pacifisti” e “gandisti” i Kosovës.

Elez Nikçi, vinte njëherë në javë në studion e baletit,
nga rezidenca e presidentit Rugova.
Hynte në sallë, përshëndetej me balerinët e rinj,
jelekun anti-plumb e lente mbi tavolinë,
e revolen e varte te varësja e rrobave.
Dhe pastaj, i lirë, pa peshën e revoles e të jelekut anti-plumb
Vallëzonte bashkë me nxënësit balerinë.

Hop një, hop dy… piruetën tani…

Dhe vallëzonte Elez Nikçi, si dikur, para viteve ’90,
para se Millosheviqi ta zhbënte trupën shqiptare të baletit në Kosovë.

Hop një, hop dy… piruetën tani…

Dhe mendonte Elez Nikçi: Po sikur ndërsa unë vallëzoj,
dikush t’i zëri pritë e ta vrasi Ibrahim Rugovën?

Mbas 60 minutave, Elez Nikçi ndalonte mësimet,
përshëndetej me nxënësit e baletit,
vishte këmishën anti-plumb në trup,
në brez shtrëngonte revolen,
dhe sërish kthehej te Ibrahim Rugova.

Vigjilent, sytë katër, bënte trup-roje.

#rrinshpi

Related