4 vjet më parë

Njerëzit dhe Kinemaja

Aurela Kadriu, sociologe

Më kujtohet si në janar, kur lexoja lajme për shpërndarjen e virusit në Kinë, arritja e tij në Evropë apo Kosovë më dukej joreale. Virusi arriti shumë shpejt në Evropë e edhe tek ne, duke na e ofru në mënyrë shumë të prekshme praktikën e asaj për të cilën debatojmë tash e shumë vjet, bota është zvogëluar. Nëse dikur kemi qenë më të distancuar nga kjo ide, duke mos menduar për ditë për lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e mallrave – tash të gjithë jemi dëshmitarë të zovgëlimit të botës, e kjo natyrisht që i ka anët e veta të mira dhe më pak të mira.

Përmes rrjeteve sociale, e ashtuquajtura “jetë private” që ndodh brenda shtëpive tona e të cilën dikur nuk e kemi publikuar kaq shumë, tashmë është bërë shumë publike. Për mua, kjo është kohë e vëzhgimeve mbi dinamikën e familjeve dhe grupeve të ndryshme brenda shtëpisë. Po ashtu, kjo është kohë kur po ballafaqohemi me frikërat që dikur ndoshta nuk kemi guxuar as t’i mendojmë – izolimi dhe pamundësia për të qenë fizikisht afër komuniteteve që janë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë tonë.

Kam përshtypjen që kjo kohë me të gjithë të këqijat e veta, po na ndihmon të rritemi emocionalisht, të mos marrim asgjë dhe asnjë njeri si të mirëqenë, pra, të investojmë në mënyrë aktive në mirëmbajtjen e raporteve tona shoqërore. Për mua është e rëndësishme që çdo ditë t’ia kujtoj vetes privilegjin e të pasurit mundësi për të kaluar këtë kohë rehatshëm në shtëpi, kur e dijmë se ka shumë njerëz që në shtëpi ballafaqohen me dhunë e mospranim si dhe shumë të tjerë me pasiguri financiare dhe frikë për çka do të sjell e ardhmja.

Për të kaluar më lehtë këtë periudhë, për ata/o që kanë mundësi do të rekomandoja eksplorimin në kuzhinë – aty ushtrohet arti i finesës dhe durimit. Librat që më kanë ndihmuar në këtë kohë janë dy nga autorja turke Elif Shafak, të cilët i rekomandoj për ata që duan të njihen për së afërmi me dinamikat kulturore në kohën e perandorisë osmane dhe pas saj. Elif Shafak ka një përzgjedhje gjeniale dhe tepër poetike të shprehjeve në të dy librat: “The Architect’s Apprentice” (Çiraku i Arkitektit) dhe “The Bastard of Istanbul” (Bastardi i Stambollit). Po ashtu, Milan Kundera: “The Book of Laughter and “Forgetting (Libri i qeshjes dhe harresës për ata/o që janë të interesuar/a të reflektojnë mbi harresën, si ndodh ajo në nivel personal, historik e politik. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe disa herë i jam kthyer “Liquid Modernity” (Moderniteti i Lëngshëm) nga Zygmunt Bauman, tek i cili mund të gjejmë referenca që kanë kuptim edhe për situatën të cilën po e jetojmë tash, kur të gjithë e bazojmë jetën në komunikime virtuale. Gjithashtu poezi! Lexoni shumë poezi!

Po e rekomandoj një seri që pata rastin ta shoh së fundmi, “Unorthodox”, dhe këta filma: “The Imitation Game”; “The Two Popes”; “Marriage Story”; “Woman in Gold”.

Nuk është situatë e lehtë dhe të qenit produktiv në kohëra të pasigurisë si këto mund të jetë e vështirë. Të qenit larg njëri-tjetrit fizikisht, më duket se na ka afruar më shumë mendërisht e shpirtërisht. Prandaj, tentoni të ruani qetësinë. Qëndrimi në shtëpi nënkupton solidaritet. Do t’ia dalim!

#rrinshpi

Related