4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Vlora Konushevci, poete

Njeriu duhet të nxjerr mësime nga secila përvojë, ndaj mësimi që mund të nxjerrim nga kjo pandemi është se jeta mund të ndryshojë në çast, nuk është asnjëherë e qëndrueshme siç besojmë. Kur të përballemi me këtë fakt duhet të reflektojmë dhe të bëjmë një shqyrtim të prioriteteve. Kur e gjithë kjo të përfundoj, e sigurisht që do të përfundoj një ditë, dua të besoj që do të dalim nga kjo gjendje si njerëz me të mirë! Uroj që mos ta marrim si të mirëqenë përqafimin spontan e plotë dashuri kur takojmë në rrugë dikë që na ka marrë malli, kur e pimë kafenë gjatë pauzës së drekës nën hijen e drunjve tek Kafet e Vogla, kur ngrehim gotën verës përcjell me të qeshurat me zë të lartë të premten mbrëma në rrugën B, apo kur e kalojmë të dielën bajate e të ngadalshme të gushtit.

Gjatë izolimit duhet kujtuar se nuk është gjithçka aq zi sa duket. Siç predikohet në filozofinë kineze yin dhe yang drita dhe errësira ecin bashkë në çift sikurse hapat që i hedhim njërin pas tjetrit. Kjo përfaqëson dualitetin e të gjitha gjërave në univers. Ekuilibri dhe harmonia midis yin dhe yang paraqesin parimin thelbësor për pothuajse të gjitha fenomenet që na rrethojnë, dhe në këtë kontekst duhet parë edhe izolimi. Të kërkojmë dritën, t’u marrim erë luleve, t’i dëgjojmë me durim ëndrrat e fëmijëve, ta ndihmojmë njëri tjetrin.

Tek rekomandimi i librave dua t’i evitoj qëllimisht emrat e shkrimtarëve klasikë me nam botëror apo emrat e shkrimtarëve nga letërsia shqipe me të cilët besoj se publiku njihet, prandaj për lexuesit e rinj e rekomandoj biografinë e Elon Musk të shkruar nga Ashlee Vance me titullin: “Elon Musk: Tesla, SpaceX and the quest for a fantastic future.” Kjo nuk është biografia e parë e tij por është më e pasura deri më tani, në të cilën me një gjuhë të thjeshtë e me humor portretizohet rruga e këtij gjeniu nga Afrika e Jugut për në “Silicon Valley”. Rrëfimi për njeriun që me mish e me shpirt përpiqet që përmes shpikjeve të tij ta bëjë botën vend më të mirë, apo me fjalët e autorit kur citon një ish punonjës të Facebook, sipas të cilit “Mendjet më të ndritura të brezit tim po mendojnë se si t’i bëjnë njerëzit të klikojnë reklama”. Elon Musk punon në raketa “SpaceX” dhe veturat “Tesla”, dhe ndër tjera dëshiron edhe të shpëtojë racën njerëzore nga asgjësimi i vetë-imponuar apo aksidental, pasi që ka frikë se Google aksidentalisht mund të krijoj robot që do ta rrezikoj racën njerëzore.

Ndërkaq për lexuesit më të rryer rekomandoj romanin “Me’med, crvena bandana i pahuljica” nga Semezdin Mehmedinović poet e shkrimtar boshnjak, i cili në vitin 1994, mori çmimin Hellman-Hammet nga PEN për këmbënguljen në ruajtjen e demokracisë në mes të luftës. Mehmedinović emigroi në SHBA si refugjat politik në 1996. Ky roman është i ndarë në tri pjesë, dhe pjesa e parë “Me’med” flet për sulmin e shkrimtarit në zemër, përjetimin dhe mëdyshjet, mbijetesa që e çon shkrimtarin pesëdhjetëvjeçar të përballet me jetën e tij, e cila çoi në këtë shpërthim të papritur. Kjo pjesë që prej rreshtit të parë: “Sot si duket është dashur të vdes” të merr përdorë sikur një fëmijë të vogël dhe të futë në botën e brendshme të shkrimtarit dhe ballafaqimin e tij me pyetjen “Pse unë”. Zakonet e pashëndetshme, pakënaqësia, trishtimi i përhapur ose një e kaluar që filloi diku larg nga kjo pikë e botës ku është ai tani. Pjesa e dytë “Crvena bandana” është një udhëtim, me djalin e tij fotograf, si pjesë e rikuperimit të zemrës në shkretëtirën amerikane, ku shpaloset ndryshimet mes gjeneratave formimi, fatet e njerëzve të dashur dhe fotografitë e qiellit të natës me yjet dhe fatin që ato përpiqen të përcaktojnë. Pjesa e tretë dhe e fundit “Pahulijca” përfundon me historinë e gruas së shkrimtarit dhe sulmit në tru që ajo përjeton i cili ia dëmton në mënyrë të pakthyeshme kujtesën. Kujtimet e saj janë fshirë pa ndonjë rend a rregull por edhe pse nuk i kujtohet cili vit apo muaj është asaj i kujtohet vargu: “Prilli është muaji më i egër”, shkruar nga T.S. Eliot. Ky është një roman për familjen, emigracionin dhe vetminë e tij, për Amerikën. Është edhe një histori dashurie. Kërkimi i kujtimeve të humbura dhe frika e harrimit.

Me gjithë këto sfida familja e vogël përpiqet që ta ruaj veten dhe dinjitetin e saj në një vend të huaj me humorin e njohur boshnjak dhe dashurinë.

Dua t`ua rekomandoj edhe serialin me vetëm tetë episode “Unbelievable”, të bazuar në artikullin e gazetarit T. Christian Miller dhe bashkautorit të tij, Ken Armstrong nga Marshall Project “An Unbelievable Story of Rape” për të cilin ata fituan çmimin Pulitzer në vitin 2016. Ky serial, produksion i Netflix, shpërfaqë pasojat e mizogjinisë shoqërore në veçanti kur merr formën e dhunës ndaj gruas, respektivisht përdhunimit në këtë rast si dhe trajtimin e këtij fenomeni nga sistemi i drejtësisë. Rrëfimi është thjeshtë i pabesueshëm ashtu siç edhe tregon vet titulli, por megjithatë është ngjarje e vërtetë, tejet dramatike.

Rrëfim nga i cili mund të mësojmë për dëmet që mund t`i shkaktohen një individi, familje apo shoqërisë shkaku i dështimeve zinxhirore të sistemit. Kur hetuesit policorë i përmbahen strikt protokollit të hetimit në këtë rast dhe në këtë mënyrë parandalojnë zbardhjen e rastit. Ndaj një qasje e tillë e shtynë viktimën ta mohoj krimin ndaj saj, duke deklaruar se ka gënjyer vetëm e vetëm ta ndërpresë ciklin e torturës psikologjike të hetuesve. Këtu viktima dhunohet dyfish; së pari nga përdhunuesi serik dhe së dyti nga sistemi i drejtësisë.

Megjithatë fundi shënon kthesën në gjithë këtë situatë. Rrëfimi përmbyset duke e konstatuar krimin ndaj të përdhunuarës falë punës dhe përkushtimin të dy hetueseve (gra) duke verifikuar tezën se zbardhja e cilitdo krim mund të vonohet, porse jo të mbetet e pandriçuar!

#rrinshpi

Related