4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Elvira Berisha, gazetare

Libër: “Dashuria në kohën e kolerës”, Gabriel Garcia Marquez

Sa do të prisnit për dashurinë e vërtetë? Florentino pret 51 vjet, 9 muaj e 4 ditë. Protagonisti i kryeveprës së gjigantit botëror të letërsisë e dëshmon se dashuria triumfon ndaj së keqes, në formën e një shpëtimi hyjnor dhe force që i jep vlerë jetës.

“Dashuria në kohën e kolerës” është rrëfim për një nga dashuritë më të mëdha që është shkruar ndonjëherë. Para 35 vitesh Marquezi nëpërmjet shkrimit i dha forcë idesë se dashuria është “bukfalisht sëmundje”, madje e krahasueshme me kolerën. Sot, njerëzimit mund t’i hyjë në punë dashuria në kohën e koronavirusit, si forcë për përballuar pandeminë që ka kapërthyer botën.

Prandaj rekomandimi im për ju është “Dashuria në kohën e kolerës”, libër që personalisht më është dhuruar për ditëlindje, me një dedikim nga një person shumë i dashur.

Film: “Shpija e Agës”, Lendita Zeqiraj

Është një rrëfim për traumat e së kaluarës dhe jetën përtej dhimbjes. I ekranizuar mjeshtërisht nga regjisorja kosovare Lendita Zeqiraj, e cila me këtë projekt filmik debutoi në metrazh të gjatë, filmi provokon emocione të shumëfishta. Të qeshurat e grave që jetojnë në shtëpinë e përbashkët (që portretizohen me lojën perfekte të aktoreve Ardiana Matoshi, Melihate Qena, Shengyl Ismaili, Rozafa Çelaj, Rebeka Qena dhe Molikë Maxhuni) fshehin vrragët e të kaluarës së errët.

Në ditët e pandemisë, ekipi i “Shpija e Agës” po e ndan falas linkun nëpërmjet të cilit mund ta shihni filmin. Ndani 90 minuta të ditës suaj në izolim për t’u familjarizuar me filmin e prodhuar në Kosovë, që po emocionon audiencën botërore duke u shfaqur në ekranet e festivaleve të mëdha.

Askush se tha që është gjë e thjeshtë përballja me të panjohurën, stuhinë që na luhat nga binarët e zonës së komfortit. Por njëmend gjithçka e ka një fund.

Është pritja ajo që i komplikon gjërat. Derisa pret rikthimin e gjërave të vogla: një përqafim me njerëzit e zemrës, një shtrëngim duarsh… derisa pret ta shijosh kafen nën përcëllimin e diellit, reflekto mbi kuptimin e gjërave të vogla. Sepse gjërat e vogla janë të mëdha.

Asnjëherë nuk ka qenë më e lehtë se sot ta shpëtosh veten dhe botën.

#rrinshpi

Related