4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Kushtrim Sheremeti, aktor

Yin & Yang, një simbol filozofik nga Kina e lashtë që flet për konceptin e dualizmit, që tregon se si dy forca të kundërta bashkëjetojnë me njëra tjetrën dhe si njëra tjetrës mund t’i japin hov. Dhe kjo filozofi vjen nga po ajo hapësirë e botës (Kina) që po supozohet se na erdhi edhe ky dreq virusi i cili po na mbanë të ngujuar tash e sa ditë.

Nëse pika e zezë në këtë simbol është mungesa e lirisë së lëvizjes, fusha e bardhë është se ne po jetojmë dhe kemi po ato mundësi emocionale e intelektuale ta tejkalojmë, dhe në fakt, nuk po lëvizim në mënyrë që ta mbrojmë veten dhe të tjerët, në anën tjetër nëse fusha e zezë është virusi atëherë pika e bardhë është e ardhmja jonë, mundësia jonë si qenie njerëzore që ta tejkalojmë edhe këtë situatë.

Prandaj vetëm duke qëndruar në shtëpi, ne ja ndalim hovin të zezës dhe i japim shkëlqim të bardhës.

Do t’ia dalim dhe do të jemi edhe më të fortë… Deri atëherë, të bëhemi kreativ, të shpërndajmë dashuri, të mendojmë për një të ardhme më të mirë… Tek e fundit, raste të tilla nuk vijnë shpesh në jetë, që të jemi afër kaq kohë të gjatë me të dashurit tonë…

Edhe mos të harroj: mos kaloni shumë kohë para frigoriferit këto ditë, sepse na duhet trupi i mirë për verë.

Unë po ju propozoj për këto ditë një libër, një film dhe diçka për të qeshur:

Ju propozoj të lexoni biografinë e “Joseph Fouche” të shkruar nga mjeshtri Stefan Zweig (botuar në shqip nga Buzuku, por mund ta gjeni edhe në gjuhën angleze në internet), të një prej figurave më të urryera të historisë franceze dhe të kuptoni se sa shumë Fouche kemi ne në shoqërinë tonë, sidomos atë politike, dhe ju propozoj të shihni filmin “Parasite” të regjisorit koreano-jugor, Bong Joon–ho ku do të shihni se sa shumë parazitë kemi dhe se sa të dëmshëm mund të jenë ata, nga cilado shtresë shoqërore që vijnë.

Ndërsa për të qeshur: Kult serialin e BBC “Fawlty Towers” apo “Stand-Ups” të Russell Peters.

#rrinshpi

Related