4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Armend Smajli, aktor

Nëse do ta shpëtosh veten dhe botën, rri në shtëpi. Pastro duart, shiko filma, dëgjo muzikë, lexo libra, këndo, vallëzo, shkruaj, vizato, qesh, fli, pi shumë ujë, përgadit ushqime të reja, pastro enët, riparo gjësende nëpër shtëpi, bëj dush disa herë, shijo ujin, dil në ballkon, shijo diellin, luaj, bëj ushtrime, medito, imagjino, ëndërro, kujto, trego, zbulo, shpreso, pi ndonjë gotë verë, ledhato, bëj seks, dashuro, analizo, mendo, reflekto.

Do të propozoja të shihni filmin “Parullat” të regjsorit Gjergj Xhuvani. Besoj se është i vlefshëm edhe për gjeneratat e reja ky film, që për mua vazhdon të mbetet ndër filmat më të mirë shqip. E mira është se këtë film mund ta shihni edhe në Youtube. Filmin e dytë që do ta propozoja është filmi “Hunger” nga Steve McQueen. Ndërsa do të propozoja që ta lexoni edhe një libër klasik, njëherit është edhe më i përkthyeri i të gjitha kohërave. Libri “Don Kishoti i Mançes” nga Miguel De Servantes.

Nuk e dimë se sa kohë do të zgjasë kjo pandemi. Por, si duket pas kësaj pandemie bota do të jetë ndryshe e bashkë me botën do të ndryshojmë edhe ne. Se si do të jetë e ndryshmja, përgjigjet tashmë nuk i dimë. Por, nje pikpëyetje që ka lidhje me ekzistencën tonë edhe mund t’ia bëjmë vetes.

Çka nëse disa nga profesionet tona që i zotërojmë nuk do të mund t’i ushtrojmë për shkak të kufizimeve apo reduktimeve që mund të ndodhin potencialisht për disa vite?

Mbase për një moment këto profesione tona mund të mos ju hyjnë në punë askujt për një kohë. Kjo pyetje apo pyetjet tjera nuk duhet të na bëjnë pesimist apo frikësojnë, por duhet të na shërbejnë si një mundesi që ta rizbulojmë dhe ta rinjohim vetveten dhe kapacitet tona edhe më shumë, edhe më thellë. Ne duhet t‘i rimendojmë alternativat e aktiviteteve tona në një botë potencialisht ndryshe nga ajo që kishim.

Po ashtu në këtë kohë do të mund të korrigjojmë secili vetveten në retrospektiven e jetës që bënim. Unë në këtë periudhë e kam ndjerë thellësisht se paskam një boshllëk dhe deficit të madh me natyrën. Distanca dhe mospërfillja që kisha krijuar këto vite me natyrën po më bën të turpërohem. Prandaj, unë e shoh shpëtimin te natyra. Në male, në fusha. E ardhmja jonë është natyra.

Qenia jonë, në epoka të ndryshme ka ditur të gjej zgjidhje e alternativa të adaptimit. Edhe kësaj here nuk kam dyshim që së bashku do t’ia dalim dhe të krijojmë një botë edhe më të mirë se atë që kishim.

#rrinshpi

Related