4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Fatmir Spahiu, aktor

Si student i aktrimit e kam pasur kënaqësinë që të rri dy herë në grup me aktorin Bekim Fehmiun. Adhurimi im i madh për të dhe qasja e tij ndaj bisedës ka pasur një çarje të cilën nuk kam arritur kurrë ta kuptoj. Bekimi i filmave dhe Bekimi i kokës sime ishin dy realitete krejtësisht ndryshe.

Pas këtyre dy takimeve spontane në grup dhe si student më nuk vrapoja që ta takoja idolin tim, Bekim Fehmiun, aktorin dhe shqiptarin e madh nga Beogradi. Bile kur ishte ndonjëherë afër më shkaktone pak ankth nga zëri i tij edhe pse ai nuk më ka njohur kurrë dhe vetëm një herë më kishte pyetur për emrin tim dhe një herë tjetër se sa poezi i di përmendësh.

Bile, njërën ia pata recituar pothuajse në vesh. “Ankthin” e Ali Podrimjes.

Këto dy perceptime të miat bëhen një dhe të vetme pasi që e lexova veprën autobiografike “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, e ndarë në dy pjesë.

Çdo dilemë, paqartësi dhe pasaktësi e imja dhe kujtdo që mund të ketë pasur, sqarohen në këtë vepër.

Bekimin do ta duam shumë, shumë më shumë se që e kemi dashur nga rolet e tij.

Prizrenin do ta adhurojmë.

Dhe figuren e Ibrahim Fehmiut (babait) do ta lartësojmë akoma më lartë.

Ju rekomandoj shumë këtë vepër autobiografike.

Nuk ka moment më të sikletshëm se sa kur dikush ma kërkon që të flasë për filmin tim të preferuar apo për ndonjë rekomandim. Në të gjitha intervistat e mia ku kjo kërkohet kurrë nuk mund ta gjeni të njëjtën përgjigjje dy herë. Bota ka shumë filma kulmor sa që shumë prej tyre lidhen edhe me çastin e intervistës ose disponimin momental.

Filmin që do ju rekomandoj është “Life Is Beautiful (La vita è bella)” të Roberto Beninit.

Dashuria prindërore, sakrifica dhe në anën tjetër marrezia e racizmit janë boshti i këtij filmi.

Filmat si ky apo edhe “Schindler’s List” i Steven Spielberg janë filma që herë pas here duhet t’i shohim apo edhe t’i sugjerojmë në mënyrë që të kujtojmë kohën kur bota pati shkuar për lesh.

Pasi që ta shihni filmin ”Life Is Beautiful (La vita è bella)” nëse asgjë tjetër, atë natë do të flini si njerëz më të mirë!

#rrinshpi

Related