4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Dukagjin Pupovci, profesor

Do të kisha dashur ta sjellë në vëmendjen tuaj një autor me origjinë nga Afganistani, Khaled Hosseini, i cili është përkthyer në shqip. Në veçanti ju rekomandoj librin e tij “Dhe malet oshtinë” (“And the mountains echoed”), si dhe filmin “Gjuetari i balonave” (“The Kitte Runner”), të bazuar në librin e mëhershëm të Hosseinit me titull të njëjtë.

Kjo që po përjetojmë tani, si duket, nuk ndodhë më shpesh se një herë në 100 vjet. I gjithë njerëzimi është në luftë me një virus, luftë, të cilën, pa asnjë dyshim do ta fitojmë. Si çdo luftë, edhe kjo kërkon sakrificë, por këtë herë sakrifica nuk nënkupton flijimin e jetës, por heqje dorë nga liria e lëvizjes për një kohë. Krejt çfarë kërkohet prej nesh është ta ruajmë veten nga infeksioni, sepse kështu i ruajmë ata që nuk do të mund t’i bënin ballë sëmundjes, në radhë të parë të moshuarit dhe njerëzit që lëngojnë nga sëmundje të caktuara. Të gjithë kemi të tillë në familje dhe në rrethin tonë dhe për t’i ruajtur jetët e tyre duhet të qëndrojmë në shtëpi.

Për fat të mirë, jetojmë në kohën e Internetit, kur komunikimi është i mundshëm edhe pa qenë në kontakt të drejtpërdrejtë fizik, prandaj qëndrimi në shtëpi nuk do të thotë izolim. Si të rinj që jeni, të gjithë do t’i gjeni vetes ndonjë angazhim: mësimi online, librat e palexuar, filmat, lojrat kompjuterike, ndejet online me shoqe dhe shokë, e shumë e shumë aktivitete të tjera.

#rrinshpi

Related