4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Dardan Berisha, basketbollist

I pakapërcyeshëm është filmi “Schindler’s List” që është i bazuar në një ngjarje të vërtetë gjatë pushtimit nazist të Polonisë. Ky film i realizuar në bardh e zi nga mjeshtri i zanatit të filmave, Steven Spielberg, në qendër ka personazhin me emrin Oskar Schindler dhe si vend ku zhvillohet ngjarja e ka Poloninë e pushtuar nga fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke parë trajtimin çnjerëzor të hebrenjve në Poloni, Schindleri vendos që të guxoj dhe kapërcen frikën. Ky guxim rezulton me shpëtimin e 1100 hebrenjve që do të përfundonin në dhomat e gazit të Aushvicit.

Libri “Konti i Monte Kristos” nga Alexandre Dumas është njëri prej më të vlerësuarve botërisht, por edhe më i dashuri për mua. Kjo vepër klasike në qendër ka Edmond Dantesin, një djalosh të ri e të thjeshtë. Për shkak të kaosit të atëhershëm në Francë, Edmond Dantes arrestohet pa ndonjë faj dhe dërgohet në një kështjellë të fortifikuar e me siguri të lartë. Përpjekjet e tij për liri dhe vullneti i pathyeshëm bëjnë që burgu të transformohet në shkollën më të efektshme të jetës së tij. Me gjithë aventurat që i paraqet libri, vullneti i pathyeshëm dhe dija e nxënë në burg ia sigurojnë Dantesit një jetë përrallore më pas.

Përkundër se situata me COVID-19 është diçka që i ka tronditur të gjithë, detyrë e jona është që të guxojmë t’i ruajmë të tjerët dhe veten por edhe të kemi vullnet të pathyeshëm që izolimin ta shndërrojmë në shkollë. Me këto dy virtyte, e tejkalojmë Edmond Dantesin e “Kontit te Monte Kristos” dhe Oskar Schindlerin e “Schindler’s List”. Koronavirusin? Patjetër se po!

#rrinshpi

Related