4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Sibel Halimi, sociologe dhe poete

Ne të gjithë kemi nevojë për një strehë, kur e panjohura që rrezikon jetën tonë ngarend drejt nesh. Një shtëpi e sigurt është kur të gjithë bashkë i dalim ballë. Prandaj, shtëpia është qenia jonë, ku njohim dhe pranojmë secilin nga ne. Kujdes për gruan, gatimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë nuk janë pronë biologjike e saj. Kujdesu sot për fëmijën, izolimi mund të shndërrohet në dashurinë për lirinë.

Libri: “Metamorfoza” – Franc Kafka

Ironia e metamorfozës së trupit në insekt është ilustruesi më i mirë se si trupi është dhe mbetet metafora kryesore e shpërfaqjes së realiteteve shoqërore. Prandaj, metamorfoza na orienton jo vetëm në materien e trupit, si ekzistencë, por drejtë shpjegimit të shumë pyetjeve lidhur me përdorimin dhe instrumentalizimin e trupit nga sistemet e ndryshme shoqërore, kulturore e ekonomike. Mundësitë janë tejet të kufizuara për ta shpëtuar njeriun nga kthetrat e këtyre konditatave shoqërore, derisa Kafka arrin ta shpëtoj njeriun vetëm nëpërmjet shndërrimit të trupit të tij në insekt, në të kundërtën trupi është i burgosuri kryesor i makinerisë së sistemeve të ndryshme.

Gregor Zemza, personazhi i veprës ironike “Metamorfoza” i Franz Kafka në një mëngjes, zgjohet nga gjumi i trishtuar. Ai e sheh veten të shndërruar në një insekt, me këmbë hollake e me bark të fryrë. Përveç pamjes së jashtme nuk i kishte ndryshuar asgjë. Gregor duhet të ngrihet për të kapur trenin e orës shtatë për në punë. Puna, e cila i ndihmonte që ta mbante tërë familjen. Vetëdija për veten, punën dhe ambientin familjar nuk i ndryshonte Gregorit, por trupi i ishte shndërruar në një qenie jonjerëzore, trup i pa dobishëm për familjen dhe punën. Andaj, të gjithë e duan vdekjen e tij.

Filmi: “The Tree of Life”

“The Tree of Life” (Pema e jetës) ka të bëjë me krizën e brendshme të njeriut, i trembur nga kriza e moshës së tij dhe e kaluara e tij e paplotësuar, pozicionet në patriarkun e shtëpisë për të disiplinuar dhe kontrolluar të gjithë anëtarët e familjes së tij. Njeriu, duke mbijetuar në prapavijën e doktrinës së krishterë, është përpjekje për të gjetur veten në simfoninë kolosola të jetës. Njeriu, i pa arritur për veten, për shkak braktisjes së pasionit të tij për muzikën për t`u shndërruar në një biznesmen të dështuar. I dhunshëm, baba mbizotërues, i luajtur shkëlqyeshëm nga Brad Pitt fuqizon rolin nëpërmjet dhunës së shpërfaqur ndaj tre fëmijëve të tij, nga të cilët u kërkohet që t`i fuqizohet maskuliniteti.

Babai kryeson mbi të gjithë si një tiran i dhembur, duke u përpjekur t’i detyrojë ata të vlerësojnë muzikën, por edhe duke i sfiduar djemtë e tij që të ashpërsohen, duke kërkuar që ata ta godasin. Në një ambient të tillë, nëna, rol i luajtur nga Jessica Chastain, udhëzon fëmijët e tyre drejt së mirës universale të proklamuar nga feja e krishterë. Gruaja, e cila heq dorë nga subjekti i saj, në shërbim të perëndisë dhe familjes, është pothuajse edhe mekanizmi i saj mbrojtës për t`i dhënë kuptim mbijetesës së saj.

Andaj, rrugëtimi i fëmijëve në rriten e tyre, është koha dhe hapësira e të cilëve iu mbetet e paplotësuar. Hendek i thellë i krijuar në mes fëmijërisë dhe pjekurisë e si epilog është ndërprerja e rrugës për të njohur veten – lumturia.

#rrinshpi

Related