4 vjet më parë

Valton Marku: Lavd Zero Mosndëshkueshmërisë

Valton Marku

“Zero Impunity” në edicionin e 11-të të Anibar!

Është e pamundur që pas shikimit të dokuanimacionit “Zero Impunity” (Zero Mosndëshkueshmëri) të mos kërkohen arbitrarisht 15 minuta pushim nga vetja. Kjo për shkak se ndërtimi i filmit nuk përkon me të zakonshmën e të lehtën, por me traumën (të përdhunuarit) dhe irritimin (politikanët e shoqëria). Teksa shohim dokumentimin e rasteve të përdhunimit gjatë luftrave e konflikteve gjithandej botës, pa mendje humbasim te mijëra të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, njëzetë mijë të cilët përhumbshëm ende jetojnë me barrën e rëndë që ua ka shkaktuar një luftë e përbindshme. Për më tepër, kur kuptojmë se si paudhësitë e njerëzve e shoqërive janë të ngjashme kudo që rastisin të ngjajnë këto fenomene, janë mëtimet e gazetarëve, regjisorëve, aktivistëve, artistëve e njerëzve tjerë për zero mosndëshkueshmëri që japin shpresë për një botë më të mirë.

Për një orë e tridhjetë e dy minuta dokumentari i animuar “Zero Impunity” i vëllezërve Nicolas dhe Stèphane Blies, i mbështetur nga kërkimet e së paku 12 gazetarëve hetues dhe 10 mediave partnere anekënd botës, përmes vizualizimeve të fuqishme sjellë në dritë fenomenin e përdhunimeve në luftra e konflikte. I realizuar duke kombinuar teknikat e rotoskopisë, 2D-së dhe fotografisë së pastër filmike, filmi trajton edhe raportin e shoqërisë dhe politikanëve me rastet e përdhunimit. Aspekti tjetër dhe mbase më shpresëdhënësi i këtij filmi është thirrja direkte për të mos kryqëzuar duart por për të vepruar, gjë që karakterizohet me aksionet simbolike dhe me lëvizjen #ZeroImpunity, lëvizje kjo që numëron përreth katërqind mijë përkrahës, me shtrirje ngado në botë, efektet e të cilës pasqyrohen edhe në film. Për dallim prej filmave (dokumentarëve) tjerë të fuqishëm po ashtu, siç janë “Soldiers Who Rape” e “The Whistleblower”, filmi “Zero Impunity” tejkalon sipërfaqësimin klasik të shkak-pasojës, për të dhënë zgjidhje e adresë, duke e vënë në plan të parë lëvizjen që për metodë kreative e ka video-dokumentimin.

Dokuanimacioni nis me pamjet amatoreske të filmuara në fillet e para të luftës në Siri më 2011. Protestat ushtojnë me thirrjet kundër regjimit të Bashar al-Asadit i cili nga 17 korriku i vitit 2000 mbante postin e presidentit, të trashëguar nga babai i tij, Hafez al-Assad, që gjer atë ditë e mbante postin nga viti 1971. Revolucioni i nisur sidoqoftë kishte përfunduar pa sukses, me Sirinë e shkatërruar sot e me Assadin ende në pushtet. “Zero Impunity” rrëmbimthi e qëllimshëm na çon në qytetin kufitar me Jordanin me emrin Daraa. Arsyeja? Në Daraa të Sirisë sepse përbën rastin kur forcat shtetërore në mënyrë të organizuar kishin përdhunuar gra e burra. Ndër ta edhe Noran 11 vjeçare rastin e të cilës e sjellë “Zero Impunity”. Si strategji lufte dhe për t’i bërë presion babait të saj të dorëzohej meqenëse ishte pjesë forcave revolucionare, ushtarët e Asaadit e kishin rrëmbyer Noran për 45 ditë gjersa babai i saj u dorëzua. Në ditën e katërdhjetë Nora 11 vjeçare u përdhunua ndërsa për fatin e babait të saj ende nuk dihet. Bilanci? Pesë ditë dhunë seksuale nga shumë ushtarë të Asaad-it, mjeti luftues i të cilëve Noras i shkaktoi ankth, pagjumësi, deformime në vaginë dhe urrejtje për vendin e saj të lindjes.

Një nocion që mvesh në mënyrë interesante gjendjen e të përdhunuarve pasi që ata nisin të kthehen në pikën e para përdhunimit e të cilën e karakterizon kapitulli i parë i “Zero Impunity”, është përdhunimi si “Armë Radioaktive”. Të përdhunuarit pasi fillojnë tejkalimin gradual të traumës përballen me stigmën dhe përjashtimin. Si të shënjuar nga përdhunimi dhe të perceptuar sikur të ishin objekte me radioaktivitet të lartë, riintegrimi i tyre bëhet edhe më i zorshëm. Sidoqoftë, përdhunimi si armë radioaktive ka gjetur shtrirje edhe në luftën e fundit Kosovë më 1999. Nga njëzetë mijë që raportohet se janë përdhunuar gjatë lufës së fundit në vend, vetëm treqind e tridhjetë gëzojnë të drejtën për pension si viktima të dhunës seksuale. Në anën tjetër, vetëm tre gra kanë dalur haptazi duke kërkuar drejtësi e duke nxitur edhe të tjerët që ta thyejnë damkën e të mos falin përdhunuesit e luftës. Marte Tunaj tashmë e ndjerë dhe Vasfije Krasniqi Goodman e Shyhrete Tahiri që janë ndër më të zëshmet në këtë drejtim. Të tjerë që kanë pranuar të flasin duke e fshehur identitetin kanë rrëfyer se si janë shpallur nga shoqëria e familja si njerëz me lloj-lloj çrregullimi. Përse? Për shkak të përdhunimit.  Krahasuar me këto numra, përdhunimi si krim lufte e ka arritur efektin e vet edhe në Kosovë, pasi që përdorimi i këtij mjeti lufte ka bërë që të mohohet ekzistenca e tjetrit.

Përdhunuesit në luftra e konflikte nuk kanë komb, racë, fe a gjini. Karakteristikë e tyre është ushtrimi brutal i fuqisë në ambiente çnjerëzore, siç janë luftrat e konfliktet, kryesisht nën direktiva të aksh autoriteti. Psikologu Philip Zimbardo kishte realizuar një eksperiment me vullnetar në Universitetin Stanford, eksperiment ky i realizuar me shëmbëllimin e burgut më të burgosur e gardian në bodrumin e këtij universiteti. Eksperimenti kishte përfunduar më herët për shkak se situata kishte eskaluar duke dhënë si rezultat përbrendësimin e roleve të paracaktuara. Të burgosurit u bënë më të nënshtruar e të dëshpëruar ndërsa gardianët më mizor. Pra, me fjalë tjera, situata të caktuara mund të nxjerrin më të keqen tek njerëzit dhe se ata me delegimin e autoritetit dhe fuqisë veprojnë në përputhje me rolet e tyre. Tek ushtarët ky ushtrim i rolit është edhe me i lehtë për shkak të natyrës së funksionit të tyre.

Të kthehemi tek filmi. Kapitulli dytë nis me trajtimin e rasteve të përdhunimit në konfliktin e armatosur që kishte nisur më 2014 në Ukrainë. E gjithë kjo kishte marrë dhenë për shkak të statusit të rajoneve Dansk dhe Donbass. Forcat ruse kishin aneksuar Krimenë. Të gjitha këto ngjarje erdhen pas Revolucionit Portokalli që kishte sjellur ndryshimin e pushtetit, pasi presidenti pro-rus Viktor Yanukovych e kishte burgosur lideren opozitare Yulia Tymoshenko e më pas kishte shtuar masa tjera autoritare në vend. “Zero Impunity” zbret në Donbass për arsyet e njëjta që zbarkoi në Daraa. Përdhunimet si mjet lufte ishin përdorur edhe në këtë rajon sikundër gjithandej Ukrainës. Kësaj radhe dokuanimacioni sjellë rrëfimin e Alises që pasi u drogua, u përdhunua nga një ushtar rus. Me t’u këndellur Alisa filloi të ndjente ftohtë brenda vaginës. Përdhunuesi ia kishte vendosur një plumb aty. Vite më vonë Alisa kishte vendosur që krimin e padukshëm ndaj saj ta kushtronte duke shkruar një lojë teatrale dhe duke kërkuar drejtësi përmes Gjykatës Evropiane Për Të Drejtat e Njeriut.

Vëllezërit Blies dhe shumë gazetarë, artistë e aktivistë, tutje përgjatë filmit trajtojnë rastet e marrjes në pyetje me metoda perverse seksuale të burgosurve në Guantanamo Bay të Kubës dhe në Abu Ghraib të Afganistanit nga ushtarët amerikan. Pastaj, pasqyrohen rastet me skllavet e seksit në Kongo ku në qendër janë ushtarët francez e duke e përfunduar këtë dokuanimacion të guximshëm me kritikën për pamjaftueshmërinë e OKB-së. “Zero Impunity” nuk është assesi thirrje për të dëgjuar e mbetur në mizoritë e të përdhunuarve. Përkundrazi, “Zero Impunity” është ravijëzimi i mundësive për të gjetur ngado që është ajo pikë force që tejkalon secilën vështirësi. Sepse njerëzit sidoqoftë mund të mbrojnë qytete e hapësira publike; mund të vendosin për përfaqësim 50/50 të grave; mund të triumfojnë mbi frikërat; mund ta zbresin në zero mosndëshkueshmërinë e rasteve të përdhunimit e secilit subjekt tjetër që është pre e mosndëshkueshmërisë.

Prandaj, lavd secilës përpjekje për zero mosndëshkueshmëri.

Article Image

Valton Marku biografi:

Valton Marku është politolog dhe Menaxher i Projekteve në organizatën Anibar. Ai ka kontribuar me hulumtime, shkrime, analiza, raporte dhe aktivitete në disa çështje kulturore, sociale dhe politike, përmes organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Aktualisht ai është Menaxher i Projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian, dhe po ashtu është Koordinator i Rrjetit të Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë.

Related