WTF?! | Festivali Anibar 2025

14–20 July | Peja
What’s the future?
What the fuck?
Po, e thamë. Se s’kishim qysh mos me e thënë.
Këtë vit, nuk jemi në rregull.
As bota nuk është. Dhe nuk po mundohemi më me e fshehë.
Në vend të përgjigjeve, po japim hapësirë.
Në vend të zgjidhjeve, po ofrojmë pyetje.
Pyetje që digjen. Që qeshin. Që përqeshin. Që thonë “boll ma”.
Po japim frymë. Po krijojmë çarje. Po lejojmë që gjërat me ndodhë pa kontroll.
Pas dy temave të forta, të artikuluara e politike – “Smash the Patriarchy” dhe “LOVE” – këtë vit e kemi liru frenin.
Sepse ndonjëherë nuk don më me ndërtu korniza. Don me shpërthy. Me reagu. Me qajtë pak. Me qeshë pa arsye e me u ngjitë diku ku nuk ke qenë.
Kështu ka lindë “WTF?!”.
“WTF?!” nuk është një temë konceptuale, është një reagim i sinqertë dhe emocional ndaj asaj që po ndodh rreth nesh. Gjendja e përgjithshme në botë, pasiguria, tensionet, polarizimi, luftërat, ka ndikuar thellë në mënyrën si e përjetojmë realitetin. Ky edicion shënon një kthesë drejt spontanitetit dhe eksperimentimit. Po ndërtojmë lidhje me komunitetet. Po shpërndajmë jo vetëm artin, por mënyrën si arti mund të lidhet me njerëzit në mënyrë të thellë dhe të vërtetë. Animacioni ka fuqinë të krijojë realitete të reja pa iu bindur logjikës tradicionale. Është zë për të padëgjuarit, formë për ndjenjat, armë për idetë.”
– Arba Hatashi, Drejtoresha e Festivalit
Jetojmë në kohë të papërmbajtshme.
Të rrëmbyer prej lajmeve e infortamave që s’na lënë as kohë me i procesu.
Të lodhur nga narrativat që ndryshojnë çdo orë.
Të mbushur me pasiguri që s’largohen veç me logjikë.
Dhe po e ndjejmë në trup. Në nerva. Në mendje. Në relacione me njëri tjetrin. Në ëndrra.
E këtë vit, Anibar është kthyer në një fushë loje për pasigurinë.
Një strehë për ata që ndihen të lodhur, të mbingarkuar, të hutuar.
Një vend ku absurditeti nuk është për t’u shmangur, por për t’u eksploruar.
Filmat janë më të guximshëm. Më të errët. Më të ndritshëm. Më të ndërlikuar.
Narrativat janë të çuditshme dhe të thella.
Zërat janë të rinj. Të papritur. Të sinqertë.
Publiku nuk është spektator. Është bashkë-krijues. Bashkë-përjetues.
Por festivali nuk ndalet te ekrani.
Këtë vit, ne si Anibar kemi marrë frymë thellë dhe kemi hapë rrugë të reja.
Përmes Anibar Pro, po fuqizojmë industrinë e animacionit në Kosovë.
Përmes punëtorive, diskutimeve dhe performancave, po e zhvendosim festivalin në rrugë, në hapësira publike, në net që nuk përfundojnë me titra, por me biseda e ide.
Dhe tashmë, veç jemi nisur.
Turneu i festivalit ka fillu me i vizitu qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë filma, tema, ndjenja, energji për të gjithë ata që ndoshta s’mund të vijnë në Pejë, por që janë pjesë e kësaj klime emocionale që po na prekë të gjithve.
Dhe në qendër të gjithë kësaj është animacioni.
Jo si zbavitje.
Jo si teknikë.
Por si formë jete.
Si rrëfim që i reziston kufijve.
Si mbështetje e thirrje e brendshme.
Kështu që… po, këtë vit ne bërtasim.
WTF?!
Me zemër.
Me shpresë.
Me mllef.
Me mall.
Me muzikë.
Me gjithë çka kemi.
Lexo intervistën e plotë me Arbën → Kliko këtu për artikullin
E nëse don me lexu edhe temën e plotë të Anibar 2025 kliko këtu për ta eksploruar me gjithë absurditetin dhe dashninë që përmban.
Anibar 2025 – 14 deri më 20 Korrik në Pejë
Hajdeni siç jeni.
Me pyetje pa përgjigje.
Me konfuzion e ndjenja të paemërtuara.
Ne do të jemi këtu.
Të qeshim, të qajmë, të bërtasim.
WTF e gjithçka.