4 vjet më parë

Sipas Lul Rakës, edicioni i 12-të i ANIBAR do të zhvillohet fizikisht dhe pa maska

Lul Raka, mikrobiologu më i famshëm Kosovar

Lul Raka, mikrobiologu më i famshëm Kosovar, në një intervistë për Anibar Press, foli për menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe sfidat me të cilat u përballën jo vetëm punëtorët shëndetësorë, por edhe të gjithë qytetarët. Ai flet për solidaritetin i cili u vu në pah edhe më shumë gjatë kësaj pandemie. Sipas tij, kjo është një sfidë e gjatë, mirëpo duke qëndruar të gjithë së bashku dhe duke i respektuar masat mund ta kalojmë.

 

  1. Si mund ta komentoni menaxhimin e pandemisë Covid-19 në Kosovë?

Përgjithësisht, jo vetëm në Kosovë, pandemia është sfidë për secilin institucion shëndetësor dhe secilin shtet. Ju e keni parë që edhe shteti më i fuqishëm në botë, superfuqi botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur probleme të jashtëzakonshme, edhe pse, ato, ta zëmë e kanë 4% të popullatës së njerëzimit, por i kanë 25% të të gjitha rasteve dhe vdekjeve. Është një shembull tipik, një superfuqi e cila ndan më së shumti buxhet edhe për shëndetësi, edhe për shkencë, edhe për hulumtime, ka probleme të jashtëzakonshme e lëre më vendet e tjera të pazhvilluara siç është Kosova, në të cilën pandemia po i shpërfaq të gjitha mangësitë e sistemit shëndetësor, të gjitha problemet. Prej fillimit kemi thënë që në çdo shtyllë, ato janë 8 shtylla përgjegjëse ndaj pandemisë. Ka sfida e probleme të cilat çdo ditë e prekin edhe qytetarin. Edhe menaxhuesit, edhe qeverinë, edhe vetë pacientët. Prandaj, është një sfidë e cila do të zgjat, ende do të zgjat, është maratonë, dhe këtu është poenta, nëse qëndrojmë të gjithë së bashku, nëse  popullata i zbaton masat parandaluese në njërën anë, fuqizohet, ka besim të ndërsjellë me institucionet shëndetësore dhe qeveritare, atëherë më lehtë e përballojmë edhe me më pak viktima e probleme.

 

  1. Sa e vështirë ka qenë për juve ta ushtroni profesionin tuaj në këtë kohë me këtë sistem të vështirë? Sfidat profesionale?

Askush më mirë se punëtorët shëndetësorë nuk i di problemet, sfidat dhe mangësitë e vetë sistemit. Normalisht që ka qenë shumë sfiduese jo vetëm për mua, por për çdo punëtor shëndetësor, dhe jo vetëm për punëtorët shëndetësorë sepse në këtë pandemi janë prekur të gjithë. Në këtë pandemi e kemi policinë, i kemi mësimdhënësit, e kemi inspektoratin, i kemi gazetarët, i kemi qytetarët. Të gjithë janë me një anije të përbashkët, që them shpesh unë. Dhe, normal që është sfiduese për secilin. Edhe për popullatën është sfiduese sepse nëse zgjat një sfidë e tillë me muaj të tërë atëherë shtohet stresi. Mos ta harrojmë aspektin socio-ekonomik, mos ta harrojmë edhe shëndetin mental që ka pasoja në profesion.

 

  1. Si e komentoni solidaritetin e njerëzve, me fokus të veçantë te mantel bardhët, gjatë kësaj kohe?

Po, pikërisht pandemitë do të duhej të ishin kthesë drejt solidaritetit, jo drejt izolimit, as drejt vetvetes, por drejt solidaritetit, drejt ndihmesës. Këtë e kemi vërejtur në çdo pjesë të jetës, edhe në Kosovë edhe në botë. Në radhë të parë, qysh e përmendët edhe ju, te punëtorët shëndetësorë të cilët kanë qenë të papunë, te studentët, te qytetarët e thjeshtë që janë lajmëruar vullnetarë dhe kanë ndihmuar prej fillimit dhe ende janë duke ndihmuar. Pastaj e ke solidaritetin tjetër të qytetarëve e thjeshtë në kategoritë më të rrezikshme, njerëzit më të ndjishëm, personat e moshuar, personat me probleme monetare, personat e varfër me probleme socio-ekonomike. Në përgjithësi ne jemi popull që afërsinë, familjen, miqtë dhe ndihmën e ka pjesë të gjeneve dhe normal që në këto raste nuk mungon as solidariteti.

 

  1. Duke pasur parasysh situatën që po kalon vendi ynë tani, a do të ketë shpresë që edicioni i 12-të i ANIBARIT të zhvillohet fizikisht dhe pa masa?

Po, besoj që do të zhvillohet pa maska. Deri atëherë del vaksina, furnizohet një pjesë e botës, vendet e pazhvilluara e marrin një pjesë të vaksinave falas, një pjesë e blejnë vetë. Uroj që gushtin e ardhshëm të mos i mbajmë maskat dhe gjithçka të zhvillohet fizikisht.

Related