9 muaj më parë

Sillni Fëmijët Tuaj në Programin e të Rinjve!

Bota e fëmijëve përmes animacionit

Çfarë do të ishte një festival i animacionit, pa filmat që i do çdo fëmijë? Nga filmat vizatimorë të tipit çarton, te anime, dhe seritë shumë episodesh, asnjë fëmijë nuk ankohet për një animacion të mirë. Epo, po qe se kthehemi mbrapa në kohë, kujtojmë se Anibar faktikisht kishte nisur si një festival i krijuar nga djemtë dhe vajzat e reja e të guximshëm të Pejës, të cilët krejt çka dëshironin ishte të shikonin filma të animuar së bashku me familjarët dhe bashkëqytetarët e tyre, dhe nëse kjo nuk është dashuri, çfarë mund të jetë?

Ja ku jemi, 14 vjet më vonë, duke vazhduar këtë traditë dhe duke i ftuar prindërit dhe fëmijët që të vijnë e të zënë vendet e tyre në Kinema dhe të shikojnë filma të animuar, në Programin e  Publikut të Rinj, i cili do të shfaqet duke filluar nga e marta, më 18 korrik, nga ora 10:00 në Kinema “Jusuf Gervalla” në Pejë.

Në edicionin e këtij viti, Programi i Publikut të Rinj ofron një larmi filmash, të krijuar nga të rinjtë për të rinjtë dhe të ndarë në 6 programe specifike. Pesë prej të cilave, janë të kuruara për fëmijë deri në moshën 5 vjeç dhe një për mbi 13 vjeç.

Vita Kasapolli, kuratorja e programit të Anibar, e cila ka kuruar këtë program specifik, thekson se Programi i Publikut të rinj synon të prezantojë audiencën e re, fëmijët, me stile të ndryshme të animacionit, të cilat rrallë prezantohen në mediat kryesore.

“Përmes këtij programi specifik, i cili përfshin të 6 nënprograme, synojmë të kontribuojmë që të frymëzojmë kreativitetin e tyre dhe t’u tregojmë se ka mënyra të ndryshme për t’u shprehur përmes animacionit”, thotë Kasapolli.

Ajo shton gjithashtu se përmes këtij programi, animatorët e rinj reflektojnë përmes animacionit mbi tema të ndryshme që ndikojnë në këndvështrimin e fëmijëve dhe botën e tyre.

 

“Për shembull, frika nga dentisti, dashuria për vëllezërit e motrat, dëshira për të luajtur në lagje, miqësia me kafshët, apo edhe imagjinata për të qenë një krijesë mistike si një zanë apo një shtrigë”, shpjegon Kasapolli. Sipas saj, synimi është t’u tregohet fëmijëve se po shihen, kuptohen dhe se mendimet e tyre kanë vend në botën e të rriturve.

Gjithsej, 30 filma do të shfaqen në Programin e Publikut të rinj këtë vit dhe me shumë krenari mund të njoftojmë se filmi i parë që do të shfaqet do të jetë “Roots” (Rrënjët), i krijuar nga studentja jonë nga Akademia e Animacionit të Anibar, Finesa Peja.

Për më shumë mbi Programin e Audiencës së Re, filmat që mund të shikoni ju dhe fëmijët tuaj, dhe përshkrime të shkurtra të tyre, klikoni këtë vegëz: https://anibar.org/program/young-audience/

 Leonora Aliu

Related