5 vjet më parë

“Rick and Morty” vjen në Anibar!

Prej aventurave ndërdimensionale drejt e në Anibar.

Sikurse çdo edicion tjetër, Festivali i Filmit të Animuar, Anibar ka për synim që përveç programit të tij, të sjellë në Kosovë artistë nga gjithë bota për të ndarë përvojën në krijimtarinë artisitike që trondit botën dhe zgjon shoqëritë. Ne kemi kënaqësinë që këtë vit të ju njoftojmë me mysafirët special të Anibar 2019, e që janë dy regjisorë të shumënjohur nga ekipa madhështore që ka krijuar një ndër seritë më të guxishme të animuara të kohërave tona “Rick dhe Morty”.

Bryan Newton regjisor i serisë “Rick & Morty” dhe Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, do të na bashkohen këtë vit në Anibar përmes diskutimeve të hapura me ju dhe duke ndarë eksperiencën e tyre e të qenurit pjesë e ekipës që ka punuar në serinë që u shfaq për tre sezona me radhë në programin e mbrëmjes të Adult Swim në kuadër të rrjetit të kanalit për animacione Cartoon Network.

Bryan Newton nga Los Angelos, ka drejtuar disa nga episodat më të pëlqyera të “Rick dhe Morty” dhe Anibar këtë vit po e sjellë atë për të folur për punën e tij në programe të animuara për të rritur si dhe për suksesin që kanë arritur me “Rick & Morty” duke fituar cmime Emmy në dy kategori, atë të kritikës më të mirë për filmat e animuar (2018), dhe programit më të mirë ë animuar(2018). Newton është i njohur për punën e tij në Rick dhe Morty (aktiv që nga 2013-ta), Aventurat e Ninja Cowboy (2009), dhe Teen Titans Go! (2013). Por kjo nuk është e tëra. Newton është pjesë e “kuzhinës” që po gatuan sezonin e shumëpritur, të katërtin me radhë të serisë “Rick dhe Morty”. Andaj mos e humbisni mundësinë që të dëgjoni nga brenda se çka pritet në atë sezonë.

Matt Taylor ndërkaq është artist po ashtu me origjinë nga Los Angeles, dhe me mbi një dekadë përvojë në industrinë e animacionit. Ai punoi në Titmouse Inc. për një pjesë të madhe të karrierës së tij në seri televizive si Metalocalypse, Superjail!, Kina IL, Moonbeam City dhe për serinë fituese të disa cmimeve Emmy, King Star King. Ai po ashtu ka drejtuar një numër projektesh, duke përfshirë “The Rick dhe Morty Exquisite Corpse”. Matt gjithashtu ka punuar në mënyrë të pavarur, duke krijuar ID të stacionit për Adult Swim dhe animacion për videon muzikore “Cut Chemlight Moonlighting With Biz”. Matt aktualisht punon në Cartoon Network si dizajnues karakteresh në “J.J. Villard’s Fairytales”.

Related